Moderatorja Sonila Meço e prezantoi si pengu më i madh i programit “Kontrata” mysafiren e mbrëmshme në “Tempora”; por duke i premtuar Anisa Markarianit se në një moment tjetër ato të dyja do ta realizojnë patjetër një ‘kontratë’ televizive, nëpërmjet një rrëfimi shumëdimensional.
Anisa Markariani mund të quhet me plot gojën si shkrimtare apo rrëfimtare e kujtesës; pasi ‘lënda’ ku ajo frymëzohet janë kujtimet!
Rrëfimi i Anisës përballë vetes këtë të mërkurë në “Tempora” nisi nga kujtimet e fëmijërisë, marrëdhënien e ngushtë me të atin armen e deri tek tre sëndukët domethënës në shtëpinë e fëmijërisë së Markarianit; si dëshmi e orvatjeve vuajtëse të largimit të Armenëve nga Atdheu i tyre, gjatë genocidit të tmerrshëm kur më shumë se 1 milion prej tyre u ‘shkulën’ me forcë nga rrënjët e tyre. Babai i shkrimtares zgjodhi Shqipërinë si Atdheun e tij të dytë dhe në fëmijërinë e saj, Anisa ka dëgjuar të rrëfyer në vetën e parë nga i ati vuajtjet e popullit gjatë genocidit…
Duket se në psihikën e një fëmije, në mënyrë fare të pandërgjegjshme që në moshë fare të re, Anisa fiksoi mirë në memorien e saj çdo rrëfim të dhimbshëm të të atit dhe ndonëse fëmijë, ajo rrekej t’i fshinte lotët apo t’i hiqte trishtimin të atit sa herë që ai mes kujtimesh të dhimbshme ndjente t’i lagështoheshin sytë e t’i dridhej mjekra.
“Të shohësh një burrë të qajë është e rëndë, por të shohësh babain tënd të qajë është me të vërtetë e rëndë. Them se gjenetikisht unë isha e kushtëzuar të mos harroja dhe të rrëfeja kujtimet e tim eti në librat e mi’; u shpreh artistja gjatë intervistës.
‘Mikrobi i parë artistik është kinematografia’; kështu e ka quajtur artistja dhe mjekja e njohur qasjen e saj të parë në fushën e artit në rrëfimin para gazetares Sonila Meço. Që nga shfaqjet në kuzhinën me shumë pak metër katrorë që vogëlushja Anisë jepte për familjarët e saj, e deri tek rolet e mirëfillta në kinematografi në të cilat ajo do të dallonte për origjinalitetin dhe shkrirjen e rolit në psikologjinë e portetin e saj…
Krahas me kinematografinë Anisa kreu studimet e larta për mjekësi e ndonëse në moshë të re, kur ende nuk i kishte mbushur të 30-tat artistja e njohur qe kthyer në një emër tejet popullor si mjeke, aktore e skenariste e talentuar…..
Emigrimi do ta shkëpuste atë krejtësisht nga kinematografia, por kurrsesi nga mjekësia dhe letërsia…
“Mërgimi edhe për mua si për të gjithë ishte një kafshatë e ashpër”; u shpreh artistja teksa u pyet për momentin e largimit nga Shqipëria.
Duket se ‘fati’ i emigrantit njëjtë si babai i saj armen do ta ndiqte edhe Anisën, pasi fill në kulmin e karrierës në Shqipëri ajo vendos të emigrojë në Francë, ku edhe tashmë jeton prej 30 vitesh. E specializuar për ‘mjekësi urgjence’ mjekja-artiste nuk mund të hiqte dot dorë kollaj nga letërsia, teksa pacientët shpesh ajo i sheh edhe si personazhe të librave të saj siç është edhe “Njeriu brenda meje” për të cilin Anisa rrëfen se ka ‘narratuar’ historinë e vëretë të një prej pacientëve të saj.
Letërsinë apo të shkruarit, ajo e sheh si mënyrë për të ruajtur gjuhën e (kulluar) shqipe, për të mbajtur gjallë kujtimet, apo edhe për të relaksuar veten…
Sa i përket artit skenik, teatrit apo kinematografisë së fundmi Markarian është pjesë e nismës “Artistët për artin”, nëpërmjet mbrëmjes poetike në tempullin e artit; Teatrin Kombëtar.