Kur luajti “Mimoza llasticën” në vitin 1973 ishte një 7 vjeçare e përkëdhelur, me tipare shumë të bukura dhe shikim të mprehtë. Sot Zhaklina Dhimojani nënë e një vajze jeton në Bern të Zvicrës, me familjen e saj, bashkëshortin Stefan dhe vajzën Alexandra.
Ish-aktorja rrëfeu këtë të shtunë në programin e Rudina Magjistarit se si po e përjeton familja e saj, vajza dhe bashkëshorti izolimin brenda mureve të shtëpisë.
“Këtu nuk është aq tragjike situata, në përgjithësi është e ndaluar të bësh grupe me më shumë se 5 persona, në rrugë mund të dalë kushdo, nuk kontrollohet, mund të shkosh kur të duash për të bërë pazarin, kërkohet distanca. Zviceranët në përgjithësi nuk kanë frikë si ne mesdhetarët. Para pak javësh një grua kur më pa me maskë, më tha: Ej, jemi në Zvicër ne! Mendojnë se janë me imunitet si popull”- tha Zhaklina.
Mandej ish-aktorja rrëfeu ‘luftën’ e madhe që i është dashur të bëjë me bashkëshortin, i cili mban funksionin e shefit të policisë, për t’a bindur që të qëndrojë në shtëpi.
“Marrëdhënia ime me karantinën është kështu: Ditët e para rrija vetëm në kuzhinë, pastaj ra entuziasmi i kuzhinës, fillova pastrimin e garderobës, sport në oborr, shoh Netflix, nuk kam lexuar shumë të them të drejtën. Nuk jam një tip që më mungon shumë e dalura, por më bën keq ideja që nuk mund të pres një biletë avioni e të shkoj diku”, vijoi më tej Dhimojani