Me ngrohjen e temperaturave, pyetja dhe dëshira që na rreh të gjithëve si çekan mbi kokë këto ditë është ‘a do të mund të bëjmë plazh këtë vit?’.
Pandemia e Covid-19 na ndryshoi shumë plane, e po ashtu duket se e ardhmja (e afërt ose jo) rezervon një ndryshim drastik në stilin e jetës.
Ajo çfarë është e qartë këtë verë është se s’do të ketë festa me shkuma party, apo diskoteka deri në orët e para të mëngjesit, por të paktën a mund të dimë nëse do të shijojmë detin, rërën, guralecat dhe diellin në shezlonge nê plazh?!
Mjeku Pëllum Pipero, që është kthyer në qetësimin e shpirtrve të trazuar këto kohë pandemie, me deklaratat e tij optimiste, por duke mos harruar asnjë herë thirrjen për të patur kujdes, na qetësoi edhe kësaj here.
I ftuar në programin “Dita jonë” në televizionin A2, Pipero u shpreh se gjasat që të kemi një verë të shëndetshme janë të mëdha. Mjeku i njohur nuk përjashtoi as plazhin për muajt e ardhshëm.
“Po shtohet çdo ditë numri i pacientëve që shërohen dhe numri i rasteve të rënda është më i reduktuar. Epidemia po kalon dhe po bie në mënyrë të qëndrueshme. Faza e dytë zgjat pak më shumë, por duhet ta dimë që virusi është ende duke qarkulluar mes nesh. Duhet të jemi të kujdesshëm për të shikuar ritmin e transmetueshmërisë. Nuk mund të jemi tërësisht të sigurt pa pasur vaksinë apo ilaç kundër Covid-19. Por, muaji maj do të na gjejë shumë më të relaksuar. Jam besimplotë që do të kemi një verë të shëndetshme dhe do të kemi edhe plazhe”- u shpreh Pipero.



















