BORDO PERSONAZH
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Fation Rapishti
Fare rastësisht, në kohën e duhur, në vendin e duhur; kështu e quan Fabiola takimin e parë me studion e lajmeve ku ajo tashmë prej disa vitesh informon publikun nga ekrani i Abc News. Tre vite më parë, për studenten e gazetarisë, që ëndërronte të investigonte në kronikën e zezë, do të vinte një sugjerim të cilin as nuk e kishte menduar dhe as nuk e kishte dëshiruar më parë: Të ishte spikere lajmesh!
“U bëra spikere pa e synuar si pozicion, pa e kërkuar, madje edhe pa e dashur. Më shumë më donte studio sesa e doja në atë kohë. Isha praktikante në një tjetër televizion kur drejtuesit e Abc News me panë në një aktivitet që transmetohej ‘live’. Ju duka portret i përshtatshëm për në ekran dhe më kërkuan të bëja një provë. Kam bërë vetëm dy prova dhe më duhet ta them, pa dëshirë dhe duke iu shmangur drejtuesve të Abc News. Pas një kohë shumë të shkurtër, e gjej veten në studion e lajmeve. Dhe jo me 1 edicion, por 3 edicione rresht, në një transmetim të drejtpërdrejtë. Ka qenë momenti më emocionues, ndoshta dhe traumatik për mua. S’kam për ta harruar kurrë ndjesinë që kam përjetuar ne ato 3 orë transmetim”; kujton folësja e lajmeve kur në studion e informacionit u ndez për herë të parë pika e kuqe në kamerën përballë.
Edhe pse, nuk qe Fabiola ajo që zgjodhi spikerimin, por spikerimi zgjodhi Fabiolën, me kalimin e kohës erdhi një moment kur bukuroshes që dikur qe e dashuruar pas gazetarisë investigative, ju desh të zgjidhte; studion apo terrenin. Dhe në fakt prej tashmë më shumë se tre vitesh, zgjedhja ishte e pashmangshme, sepse koha tregoi se folësja e Abc News nuk mund të jetojë tanimë pa zhanrin që ju sugjerua fare rastësisht; Dhe të njohë publikun me të rejat më të fundit nga vendi, rajoni e bota për Fabiolën është puna që do…..
Në transmetime të drejtepërdrejta e të vrullshme siç janë lajmet, aq më tepër në fillime të karrierës është pothuajse e pamundur që një spiker/e të mos ketë në portofolin e tij një apo disa incidente, dhe Fabiola kujton me humor një lapsus në fillim të karrierës së saj:
“Do veçoja një lapsus që e kam bërë pak vite më parë. Ndërsa duhet të lexoja një mbulim, ku ishte një fjali e tillë “për shkak të difektit që pësoi në fluturim, piloti u detyrua të kthehej në pistë”. Në vend të fjalës “piloti”, unë e lexova “idioti” dhe kjo ndodhi live. Dhe regjia u detyrua të fuste reklama, pasi më kapi e qeshura”
Ndonëse në fillim të karrierës spikerja bukuroshe e ka të qartë terrenin e vështirë që ka zgjedhur të përshkojë duke u bërë pjesë e medias, dhe me çiltërsi Fabiola tregon se ajo e di mirë që ky profesion kërkon edhe kompromise për t’u përshtatur, madje edhe duke tejkaluar veten, por duke mos hequr dorë kurrsesi nga parimet dhe bazat e forta të një gazetari të mirë.
“Media është vend i vështirë. Une besoj, ose më saktë kam bindje se kur del nga media, nuk je më ajo që ishe kur hyre. Duhet të përshtatesh, ndonjëherë të tejkalosh veten, rrethanat që krijohen gjatë punës, vështirësia e profesionet që ne gazetarët kemi zgjedhur, fatkeqësisht të bën edhe të dalësh nga vetja! Por e sigurt është që të bën më të fortë, më të aftë, të kultivon vigjilencën, durimin, intuitën… Kur punon në media, ti praktikisht jeton në media dhe me median. Dhe kjo reflektohet në çdo aspekt tjetër të jetës. Aq sa shpesh herë bëhet bezdisëse për familjarët. Por me pak vullnet mund të gjendet një ekuilibër dhe pse gazetaria është punë vërtet intensive”; e pëshkruan Fabiola mënyrën se si ajo vetë dhe media kanë bashkëvepruar.
Por pas seriozitetit të studios, kur drita e kuqe e kamerës fiket e reja ka pasionet e saj të cilat i shijon me t’ju dhënë rasti, kur bën gati valixhet për udhëtimin e radhës, një nga pasionet më të mëdha të Fabiolës, si dhe kërcimi apo baleti që për folësen e lajmeve është pengu i saj më i madh…
Nëse shumë mund të mendojnë se për një vajzë të re që del çdo ditë në ekran, të qenit e famshme është ‘fruti’ që i shijon këtij profesioni, për Fabiolën nuk është aspak kështu. Fabiola do të ishte njësoj e lumtur, edhe nëse pasi do të dilte nga studio e lajmeve nuk do ta njihte askush…mjaft që ajo të bëjë mirë dhe me profesionalizëm punën që i është besuar; ky është objektivi i Fabiolës!
_____________
Botuar në Revistën BORDO
Numri Qershor-Korrik 2020



















