Pasi veshi fustanin e krijuar nga çifti i stilistëve nga Kosova Kujta & Meri në dhjetor të 2019, diva Beyonce ja ka besuar paraqitjen e saj sërish stilistëve shqiptarë.
Në video-albumin ‘Black is King’ Beyonce ka veshur një fustan animal-print krijuar edhe kësaj here nga dyshja Kujta & Meri.
Të emocionuar stilistët kanë ndarë lajmin e rëndësishëm të karrierës së tyre në Instagram, teksa e përshkruajnë krijimin për divën e njohur botërisht si perla më e çmuar që kanë krijuar duart e tyre.
“Beyoncé me Kujta&Meri. Faleminderit Zerina Akers. Jo i lehtë, por shumë motivues ka qenë rrugëtimi për krijimin e veshjes së Beyoncé-s në ‘Black is King’. Pamja e divës me Kujta&Meri ka qenë deri tani, perla më e çmuar që kemi prekur dhe krijuar nga duart tona të palodhshme. Beyoncé, do të jesh gjithnjë motivimi ynë për të krijuar art dhe për të avancuar përtej oqeanit. Krijimtaria jonë te ti është dëshmia jonë më e madhe. I adhurojmë njerëzit si ty.” – shkruhet në Instagramin e Kujta&Meri, në mbishkrimin e videos ku shfaqet Beyoncé e veshur me fustanin për të cilën bota do të mësojë se e kanë krijuar duar dhe mendje shqiptare.



















