KreuStil Jetese

Daniel Craig, ndryshoi përgjithmonë James Bond!

Aktori që gdhendi rolin e agjentit 007 dhe hyri me sukses në panteonin e personazheve të ekranizuar të shkrimtarit Ian Fleming, duke plotësuar 3 kushtet: i fortë, seksi dhe padyshim 100 për qind britanik

 

Pak para mesnatës, një të premte me shi Daniel Craig xhiroi skenën e fundit si James Bond. Ishte një sekuencë aksion, në studio Pinewood në Londër, me një peizazh hauaian mbi një kadillak me nuanca neoni, skenë e cila duhej të ishte filmuar në Karaibe, nëse Craig nuk do të kishte dëmtuar ligamentet e këmbës.

Ai ishte 37 vjeç dhe bjond kur veshi petkun e spiunit më të famshëm në botë në vitin 2005, ndërsa sot është 52 vjeç dhe flokët i ka të përhirta. Flet shpejt, shumë shpejt, me aksentin tipik britanik dhe sytë që herë ulen përtokë, e kur ngrihen kqyrin gjithçka rrotull sikur të ndihet gjithë kohës në vëzhgim. Nga ekrani fytyra e Craig ngjan me atë të një boksieri, ndërsa në jetën reale, ngjan akoma më i butë. Kur e pyet sesa kohë i është dashur për të përvetësuar rolin e James Bond nga hera e parë e deri më sot, shprehet se nga të gjitha rolet e spiunit më të famshëm britanik ka mësuar aq shumë, sa shpesh e ka ndier veten në siklet për skena që në dukje ishin të njëjta, por ama në thelb ndryshe. “Sapo marr telefonatën për të luajtur episodin e rradhës, më duhet të filloj stërvitjen. Sepse e di që ndryshe do të më duhet shumë kohë të arrij parametrat e kërkuar nga regjisori”- thekson Daniel. Thekson se nuk është tip që i pëlqen të punojë në grup, ndaj është përpjekur gjithmonë që kur ka arritur në set, nga ana e tij çdo gjë të jetë e realizuar.

Edhe pse shumë mendojnë se Craig e shkatërroi rolin e Bond, e vërteta është se ai ka sjellë 3 miliard dollarë fitime, duke bërë që të jetë në krye të listës së aktorëve më të paguar që kanë veshur petkun e spiunit 007. Jeta e ka bërë të jetë shumë i kujdesshëm me vendimet që merr. Pas divorcit të prindërve ka jetuar me të ëmën, një mësuese arti e cila e ka frymëzuar për karrierën e tij. Vetëm 10 vite pasi kishte ndjekur Akademinë e Arteve zbuloi se edhe e ëma kishte fituar studimet po aty, por i kishte braktisur kur kishte qenë 18 vjeçe.

Kur u ftua për castingun e parë për të luajtur agjentin 007, teksa shihte posterat e filmave në mure, Craig mendonte se nuk ishte personi i duhur. Kur mori përgjigjen pozitive e nisi gjithçka si një eksplorim, por nuk e dinte se rolet e spiunit britanik nuk duhej të venisnin atë të aktorit pararendës, që ishte Pierce Brosnan. “Pierce nuk po e linte Bondin, ndaj më duhej të isha në lartësinë e duhur. Ndoshta nuk mund të bëja përshtypje si Sean Connery, por nuk isha anonim. Duhet të krijoja një profil që të mbahej mend”- kujton aktori.

Pasi Craig ra dakord të luante Bond, studioja insistoi një provë në ekran. Do të luante një skenë nga “From Russia with Love” ku duhet të recitonte gjysmëlakuriq në krevat. “Regjisori më tha që dukesh mendjemadh,” thotë Daniel. Edhe pse e kishte studiuar me kujdes pjesën, ai nuk dukej kurrsesi personazhi që kishte ngjizur krijuesi i tij Ian Fleming. Ndaj nisi të lexojë të gjitha romanet e Flemingut ku gjeti disa detaje që e frymëzuan për të gdhendur personazhin, i cili nga libri në ekran duhej të ruante ftohtësinë që e karakterizonte. Ky ishte një kusht, sepse fundja agjentët 007-të në Angli janë po aq të famshëm sa futbolli dhe Familja Mbretërore, ose ndryshe një pasuri kombëtare e cila është mbrojtur gjithmonë me faktin që aktori duhet të ishte britanik.

Nga roli i parë në Casino Royale, ai spikati për dinamikën, por edhe aspektin e tij flirtues, duke e renditur në listën e aktorëve seksi që kanë luajtur James Bond. Me kalimin e viteve, Craig arriti të fortifikonte rolin e tij madje duke arritur të realizonte skena që të tjerë nuk do të kishin dashur t’i realizonin. Fundja, James Bond i bën të gjitha. Por e vërteta është se pas 14 vjetësh, shpatullash e gjunjësh të thyer, ai ka arritur të fitojë mbi 50 milion dollarë, duke gdhendur emrin në panteonin e suksesshëm të aktorëve Bond. Edhe pse Daniel nuk pranon lehtësisht se është Bondi më i mirë, thekson se do ta bënte sërish me qejf të njëjtin rol, përpos faktit se ka shumë thashetheme se do të jetë dikush tjetër, madje më sharmant dhe më seksi. “Kam dhënë maksimumin për këtë rol, sa nuk mund të them jo nëse më ofrohet sërish, por edhe nëse do të jetë një tjetër, jam i bindur se do ta shoh me shumë kënaqësi” – përfundon Daniel Craig.

___________

Botuar ne Revisten Bordo

Gusht – Shtator

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF