Nevoja e një mentori personal për njohjen e vetvetes
Nga Ilda Lumani
Fotografia: Fani Aliko
Sot nuk është aspak tabu të flasësh për nevojën e një mentori, të ndjekësh klasa këshillimi mental, të marrësh mësime online për rritjen personale, apo të tjera çështje që kanë të bëjnë me fokusin tek vetja! Investimi në këtë drejtim nga çdo njeri ka nisur të jetë i dukshëm, dhe manifestohet me mjaft dëshirë! Ndryshe nga një dekadë më parë, që ishte tërësisht një risi dhe gati e pakuptueshme mes nesh. Për Anila Bashllarin kalimi në këtë rrugëtim, nga thirrja për t’iu dedikuar rritjes personale drejt investimit të plotë në të e mandej ndryshimi tërësisht i karrierës dhe stilit të saj të jetesës kaloi në atë që quhet “Kensho”. Sot, ajo është një mentore e njohur në vend, dhe për BORDO na çel një dritare drejt një sprove, prej së cilës e sigurt që del gjithmonë i fituar!
Ilda çfarë është e lehtë në jetë nëse e shohim si sfidë? Shëndeti, shkollimi, krijimi i familjes dhe vazhdimësia e saj, rritja e fëmijëve, karriera apo biznesi? Të gjitha duken të vështira nëse do i shohim si sfida.
Çdo ndryshim që duam të bëjmë perceptohet si “kërcënim” për trurin duke na nxjerrë nga zona “e familjarizuar” dhe justifikuar veten për mos veprim. Napoleon Hill thotë: “Për mendjen konsumohet e njëjta sasi energjie dhe fokusi, si të bëhesh i pasur apo të qëndrosh i varfër”. Të njëjtat parime zbatohen edhe për transformimin e vetes. Cila do të ishte “kosto” nëse nuk do të punonit për të transformuar veten tuaj? Personalisht mendoj që do të ishte më e lartë se sa ajo e transformimit.
Kjo pyetje më kujton vitin 2003 kur besoj ka filluar procesi i transformimit tek unë. Ose më mirë, njohja e vetes. Një këndvështrim totalisht i ri për mua në ato vite që mu desh ta kuptoja nëpërmjet diskomfortit. Ndryshe nga nevoja për shkollim apo rritje profesionale që na kushtëzohet nga tregu i punës ne jemi të pavetëdijshëm për zhvillimin personal.
Në përgjithësi transformimi ndodh nëpërmjet dy formave: Kensho dhe Satori që nënkuptojnë dy forma të “zgjimit”. Kensho, ku zgjimi ndodh gradualisht nëpërmjet “vuajtjeve” dhe parehatisë si dhe Satori, ku zgjimi ndodh menjëherë nëpërmjet atyre momenteve A-ha, depërtimit brenda vetes për të parë dhe kuptuar çfarë më parë ishte totalisht në errësirë.
Transformimi nuk na vjen si ndjenjë, mendim apo nevojë për rritje por si një proces ku përballemi me sfida fizike, shpirtërore apo emocionale nga të cilat duam të “shpëtojmë”.
Po jap një shembull të thjeshtë për ta kuptuar më mirë: ju jeni ambiciozë për të ecur përpara dhe përqëndroheni vetëm tek puna duke neglizhuar ushqimin e shëndetshëm, ushtrimet, hidratimin dhe gjumin e rregullt. Si pasojë ndiheni të stresuar dhe keni vështirësi për ta menaxhuar atë. Filloni të ndiheni të plogësht, pa energji, të pamotivuar, marrëdhëniet në çift fillojnë ndryshojnë, distancoheni nga jeta sociale etj. Nuk jeni më ai/ajo që jeni ndjerë dikur. Stresi fillon t’ju gllabërojë dhe nuk dini çfarë të bëni. Shpeshherë ndjeni simptoma reale fizike. Nëse kjo do të vazhdojë gjatë do të jetë e dhimbshme dhe e parehatshme. Mund të jetoni kështu dhe disa vite pa e kuptuar se çfarë po ndodh me ju. Filloni ta shikoni problemin jashtë vetes, fajësoni të tjerët, veç ankoheni dhe ju duket sikur e gjithë bota është kundra jush. Në fakt jeni duke përjetuar procesin e Kensho, pra nevoja për t’u “zgjuar” dhe kuptuar rëndësinë e shëndetit tuaj dhe raportin midis punës, shëndetit dhe familjes. Kensho ndodh gradualisht saqë shumica nuk e kuptojnë çfarë po ndodh. Ndërsa Satori është një moment zgjimi i menjëhershëm; ndoshta një moment reflektimi gjatë seancave coaching, një trajnimi në zhvillim personal; seminar apo edhe gjatë meditimit të përditshëm. Kjo është edhe arsyeja që e theksoj aq shumë nevojën e zhvillimit personal: që rritja të jetë një proces i këndshëm, shpalosje e ideve dhe momente refleksioni.
Të gjithë njerëzit e suksesshëm që kam ndjekur janë rritur nëpërmjet sfidave të cilat i kanë quajtur si bekime, pa të cilat nuk do të kishin arritur atje ku janë sot. Por një pjesë të dhimbjeve dhe vuatjeve mund t’i eleminojmë nëse zgjedhim të rritemi personalisht dhe transformojmë veten tonë. Kjo rritje nuk ka lidhje me inteligjencën – IQ por me vetëdijen dhe krijimin e një mendësie të rritjes e cila mbështet dhe i shërben këtij transformimi.
Mendoj që procesi i rritjes është i pafund. Këtë e them nga eksperienca personale por edhe e mentorëve të mi. Sa më shumë rritesh kupton se sa pak di në jetë dhe ndihesh i vetë-motivuar për të vazhduar më tej. E rëndësishme është që ky proces të ndodhë në mënyrë të qëllimshme, pra të planifikosh dhe programosh rritjen tënde personale duke pasur sa më shumë momente Satori.
Transformimin dhe krijimin e versionit më të mirë të vetes unë e shikoj si një rrugëtim personal që na është lënë si një detyrë për secilin. Kush do të krijojë një mendësi të tillë do të jetojë jetën në të gjitha dimensionet e saj.
Viti 2003 më kujtohet shumë mirë pasi edhe pse me një status shumë të mirë profesional, karrierë të plotësuar dhe eksperiencë të konsoliduar fillova të ndihem e parealizuar, me një mungesë të ndjeshme energjish dhe motivimi, ndjesi të panjohura për mua më parë. E them këtë pasi në përgjithësi jam natyrë energjike, pasionante për gjithshka bëj dhe e vetë motivuar. Atëhere nuk e kuptoja që kishin filluar sfidat e para të rritjes (momentet Kensho) të cilat sot i shikoj qartë. Ka momente që mendoj sa mirë do kishte qënë të kisha pasur coach apo mentor personal pasi do të më kishin ndihmuar shumë ta kisha kaluar lehtë dhe shpejt atë periudhë. Por nga ana tjetër i them vetes që ishin pikërisht ato vite Kensho (kështu i quaj tani) që më bënë personin që jam sot. Këtu fillon edhe rrugëtimi im në rritjen personale, fillimisht spontan dhe jo i lehtë, më pas i organizuar me krijimin e kompanisë Beyond Limits për të arritur atje ku unë dëshiroja: një familje të shëndoshë, karrierë/biznes të suksesshëm dhe të ndihesha e realizuar personalisht.
Do shprehja mirënjohje për: B. Harris, N. Walsch, W. Dyer, J. Maxwell, M. Waldman, D. Hawkins, Ch. Duhigs, N. Hill, A. Robins, M. Neil, R. Litvin, B. Burchard, B. Tracy, pasuar nga shumë e shumë emra të tjerë në lidhje me coaching, mentorim, marketing online, programe dixhitale, mendësia e rritjes, lidership, spiritualism etj.
Do të habiteshit nëse do ju thoja që për mua kanë qënë universitete më vete dhe mijëra orë studimi. Duke ndjekur më të mirët në fushën e zhvillimit personal u bëra anëtare e John Maxwell International Team; u çertifikova si Coach për jetën, biznesin dhe drejtues të lartë dhe së fundmi si NeuroCoach pranë Universitetit të Loyola Marymount California.
Përveç mentorëve më kanë ndihmuar edhe udhëtimet që kam bërë në lindjen e largët ku përveç kuriozitetit kam qënë e apasionuar mbi mënyrën e të ushqyerit, stilin e jetës, mënyrën se si e shikojnë realitetin, sa në paqe janë me veten etj.
Unë jam praktikante Reiki, ChiGong, Yoga dhe Reconnective Healing të cilat më kanë ndihmuar për një balance midis trupit-mendjes dhe shpirtit.
Chang Mai -Tailandë 2012
Unë kam ushtruar coaching-mentorim prej vitit 2012 duke trajnuar qindra drejtues të lartë në korporata dhe institucione financiare; mijëra orë coaching dhe mentorim për CEO, sipërmarrës, drejtues në organizata, institucione dhe biznese; si dhe individë që janë të apasionuar për rritjen dhe suksesin e tyre personal dhe profesional.
Kam futur për herë të parë në Shqipëri formatin Master Mind dhe kam organizuar qindra orë trajnimi në këtë format në fushën e lidershipit, rritjes, mendësisë së suksesit në aspekte te ndryshme të jetës.
Mendoj që eksperienca e mëparshme në drejtim në institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare financiare dhe zhvillimi apo biznes më ka ndihmuar të zhvilloj aftësitë e të folurës në publik vite më parë. Kam drejtuar tavolina të rrumbullakta donatorësh apo prezantuar projekte në nivelet më të larta por më duhet të theksoj se zhvillimi tek vetja, puna me frikërat dhe pasiguritë e mia, njohja e potencialeve dhe talenteve, praktika dhe eksperienca në fushën e zhvillimit personal më ka krijuar një dinamikë tjetër në lidhje me prezantimet në publik duke më rritur vetëbesimin në njohuritë dhe aftësitë e mia.
Natyrisht kam emocione pasi ato janë adrenalina përpara çdo prezantimi por kam mësuar se si t’i menaxhoj duke e përdorur atë energji në shërbim të aktivitetit.
Unë besoj fort që lumturia është gjendje mentale dhe e kam të provuar tek vetja. Nëse dua të ndihem e lumtur thjesht e vendos veten në një “rrafsh” të tillë dhe ndihem e lumtur. Lumturia është shumë e thjeshtë për t’u arritur. Shikoni fëmijët e vegjël. Bëhuni njësh me natyrën. Shijoni lindjen dhe perëndimin e diellit; përplasjen e dallgëve apo melodinë e shiut; ndjeni freskinë dhe flladin e mëngjesit; bëni një buzëqeshje të lehtë; shijoni mëngjeset në natyrë; kaloni kohë cilësore me familjen dhe miqtë; jeni mirënjohës për gjithçka keni në jetën tuaj; falni kur mundeni duke larguar energjinë negative nga vetja juaj, jetoni momentin dhe jam e bindur që do të ndjeni momentet e lumturisë.
Ne na kanë mësuar ta kërkojmë lumturinë në vendin e gabuar. Kur investoni tek vetja juaj do ta kuptoni që jeni ju ata që krijoni lumturinë tuaj.
Unë takoj shumë njerëz, fizikisht apo virtualisht. Problematikat janë nga më të ndryshmet dhe po përmend disa prej tyre: vetë-vlerësimi; vetëbesimi; paqartësia dhe mungesa e një vizioni të qartë mbi jetën dhe karrierën; stres shumë i lartë; probleme të marrëdhieve në çift apo prindërimit; moskuptimi i rolit të vetëdijes dhe zhvillimit personal etj.
Gjithashtu më shqetëson fakti që të rinjtë ndihen të “humbur” dhe pa shpresa për të ardhmen.
Problemet në vetvete nuk janë problem por qasja e jonë ndaj tyre. Dhe kjo qasje varet nga mendësia që kemi dhe puna që kemi bërë ose jo me veten.
E dija që do më bënit një pyetje të tillë pasi e has shpesh. Coaching apo mentorimi nuk është më luks por një nevojë për këdo. Unë personalisht kam coach dhe mentorët e mi, marr pjesë çdo muaj të paktën në një trajnim duke investuar minimalisht 2 -3 orë studim tek vetja çdo ditë.
Ajo që unë do të sugjeroja është: lexoni vazhdimisht; merrni pjesë në seminare, formate Master Mind, Master Clas, webinare, natyrisht duke u kujdesur që trajnuesi të jetë personi i duhur. Fusha e zhvillimit personal është delikate pasi lidhet me psikologjinë dhe është shumë e rëndësishme që trajnuesi të jetë i përgatitur, i përgjegjshëm për rolin e tij dhe me integritet.
Unë dërgoj 2 herë në muaj newsletter ku trajtohen tema të ndryshme si ajo e lidershipit, mendësisë, frikërat, inteligjencës emocionale, komunikimit efektiv, të menduarin pozitiv, shëndeti & fitnes etj, etj. www.anilabashllari.com/blog si dhe kam lançuar disa programe online në gjuhën shqipe të cilat mund t’ju ndihmojnë në rritjen dhe zhvillimin tuaj personal www.anilabashllari.com/produkte
Personalisht mendoj që vetëdija është çelësi që hap dyert e shumta drejt rritjes dhe zhvillimit. Ndryshe mbetemi njerëz që ecim “të fjetur”.
Unë tashmë besoj që kjo që po bëj më ndihmon që ta jetoj jetën në të gjitha dimensionet e saj pasi ka ndikuar dhe ndikon në rritjen e nivelit të vetëdijes, vetë-besimit dhe motivimit. Duke përmirësuar veten kam mundësi të kontribuoj edhe në jetët e të tjerëve duke i ndihmuar të arrijnë atë që dëshirojnë në jetë: të jenë të shëndetshëm & fit fizikisht-emocionalisht-mentalisht dhe shpirtërisht; partnerë dhe bashkëshortë më të mirë; prindër koshientë që rrisin dhe formojnë individë që dinë të navigojnë në jetë dhe të arrijnë ëndrrat e tyre; të kenë një biznes apo karrierë të suksesshme si dhe mirëqenie. A ka qëllim apo mision më të kompletuar se ky?

Eau de toilette apo Eau de parfum?

Bota e Genc Salihut!

Marina në botën e ëmbëlsirave!

Rubini, sharmi i kuqes!

Bordo IN; glamour dhe stil!

Në qiellin e Xhonatan Islamit!

Luxury Holidays at Morina Palace!

Ngjyra e stinës, NEON!

Përzierje stilesh… French Style!

Në plazh si vitet ’60-të!


Watches & Wonders !

Netë tropikale , tendenca sipas BORDO!


Ylber mbi flokë, tendencat e verës!




