KreuStil Jetese

Jeta në Foto… Mirush Kabashi

Jeta në Foto…

Mirush Kabashi

Herë me role dramatike, e herë me buzën në gaz, aktori Mirush Kabashi mbetet ndër të paktët artistë të cilët kanë krijuar një portret të qartë në kinemanë shqiptare për mbi 50 vjet me rolet e tij në kinema apo teatër. Pas emrit të tij lidhen rreth 100 role në teatër e mbi 20 në filma, qofshin ato të para viteve ’90-të apo më pas. U përfshi në skenë që kur ishte ende gjimnazist në teatrin e qytetit të Durrësit dhe më pas rrugëtimi i tij pas studimeve në Akademinë e Arteve formësoi profilin e një aktori profesionist. Edhe pse i është dashur për dy vjet të lërë në mes karrierën dhe për shkaqe biografie të punojë dy vjet në hekurudhën e Durrësit, talenti i tij dëshmoi se kinemaja dhe teatri shqiptar kishin nevojë për të. Teatri i qytetit të tij u kthye në një shkollë të vërtetë, duke punuar krah emrave të njohur të cilët u bënë shumë shpejt kolegë, por edhe miq të ngushtë.

Role si Filma si: Toger Shazivari në filmin “Koncert në vitin 1936”, Lisimaku tek “Zëvendësi i grave” apo Apostoli tek “Edhe ashtu edhe kështu”, janë portrete që të dhurojnë të qeshura për shkak të interpretimit mjeshtëror.

Ndërkaq, dy monodramat “Apologjia e vërtetë e Sokratit” dhe “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”, janë një tjetër arritje e Kabashit, i cili është vlerësuar me çmime ndërkombëtare, mes të cilave “Sfinksi i Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Kajros.

Artsti është vlerësuar me titullin “Artist i merituar” për kontributin e tij artistik dhe konsiderohet ndër ata emra të cilët kanë arritur të hyjnë lehtësisht në zemrën e publikut, jo vetëm përmes roleve të tij, por edhe kontributit. Shumë pak e dinë që Mirushi është një notar i shkëlqyer, sport i cili e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës në ujërat e detit Adriatik.

__________

Botuar ne Revisten Bordo

Gusht – Shtator

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF