KreuStil Jetese

Alma Spathara, Udhërrëfyesja e rafting & 15 sporteve në natyrë

Nga Ilda Lumani

“Rrugët e zotit janë të panumërta”! Kjo thënie biblike më erdhi në mend, teksa lexoja intervistën e Almës, një nga personazhet më të njohur të qytetit të Beratit, të cilit iu largua për të ndjekur studimet për ekonomi në kryeqytet dhe iu rikthye vite më pas për të vijuar një jetë që ngjan si një aventurë! Pak a shumë si sportet që ajo drejton. Alma Spathara është sot një guidë profesionale e sporteve në natyrë si rafting, kayaking, canyoning dhe hiking.

 

Alma, për lexuesin e gjerë, mund të na tregoni diçka për veten tuaj. Një prezantim dhe si u njohët me sportet e aventurës, të cilat drejtoni sot?

Jam Alma Spathara, kam lindur në Berat ku kam mbaruar shkollën  e mesme  dhe më pas jam diplomuar në Ekonomi dega Financë në Universitetin e Tiranës. Jam e martuar dhe nënë e  3 fëmijëve.

Që fëmijë e kam dashuruar natyrën, sportet, ushqimin dhe njerëzit .

Njohja me bashkëshortin tim Zamo, i cili e dashuronte natyrën dhe kishte më tepër njohuri dhe trainime për sportet si rafting, kayaking, hiking të marra në shtetin fqinj Itali gjatë emigrimit për 10 vite aty, forcuan edhe më tepër pasionin tim për natyrën dhe sportet.

Tashmë pas 20 vite eksperiencë në turizmin e aventurës unë ndihem nje guidë profesionale e sporteve në natyrë si rafting, kayaking, canyoning dhe hiking.

Të dy së bashku kemi  nisur udhëtimin tonë për të promovuar vlerat natyrore, turistike, kulinare dhe njerëzore  fillimisht të zonës së Beratit, Skraparit Përmetit, Sarandës dhe tashmë të gjithë Shqipërisë.

Si nisi gjithçka, që një pasion ta kthenit në një profesion?

Ishte viti 1999 dhe kujtoj me shumë nostalgji ditën kur Zamo, më tha se do të më tregonte vendin më të bukur që kisha parë ndonjëherë .U gëzova pa masë dhe së bashku me disa miq  u nisëm drejt qytetit të Skraparit. Në makinë ai vendosi edhe një gomone të përdorur dhe disa lopata dhe disa jelekë shpëtimi të cilat i kishte blerë në Itali. Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për mua përballja me madhështinë dhe shpatet e  kanionit 3 milion vjeçar. Kur e pashë nga sipër ndalova së marri frymë dhe zemra po më rrihte nga emocione të mëdha.Pasi e mora pak veten nga goditja emocionale Zamo më tha se nga sipër nuk mund të shikosh as 5% të Kanionit prandaj ai do më tregonte kanionin nga thellësia e tij –Por si ? -e pyeta -Unë kam shumë frikë

-Prit dhe do ta shohësh- më tha.

Nga  makina nxorri disa  lopata, gomonen e përdorur dhe na veshi nga një jelek shpëtimi dhe skafandra.

Sot do të bëjmë rafting ,do të lundrojmë me gomone në lumë: tha Zamo.

-Rafting??

Për herë të parë e kisha dëgjuar fjalën RAFTING  pasi mendoja se gomonet përdoreshin vetëm për të kaluar detin për të emigruar klandestin në Itali ☺

Kështu nisi për herë të parë eksperienca ime me rafting. Kanionet e Osumit të gelltisin brenda tyre dhe bëhesh pjesë e aventures. Eshte si të udhëtosh me trup në të sotmen dhe me imagjinate, miliona vjet. E fillon me një lundrim në sipërfaqe të tokës 3 milion vjet më parë, pastaj gërryhet dhe ti zhytesh 150 m thellë, duke shkuar drejt bërthamës së tokës. Muret anësore kanë figura miliona vjet të vjetra, zgavra, skulptura natyrore, ujëvara që rrjedhin në forma të ndryshme si sheqer, shampanjë, pika uji që bien nga qielli dhe thërrmohen mbi kokën tënde me slow motion.

Që nga ai moment Zamo së bashku me mua dhe shumë persona që na u bashkuan nuk rreshtëm së promovuari këtë sport dhe këtë zonë duke  krijuar edhe të parën shoqatë sportive të rafting në Shqipëri ”Albania Rafting Group” e cila më pas së bashku me shoqata të tjera formuan Federatën Shqiptare të Rafting tashmë me të drejta të plota në federatën Botërore të Rafting.

Në vitin 1999  kur ne filluam këtë sport për herë të parë në Shqipëri nuk flitej fare për turizëm dhe numri  i tyre ishte i papërfillshëm kurse në qytete të thella si Skrapari apo fshatrat përreth banorët nuk kishin parë ndonjëherë turistë  të  shkelnin në zonat e tyre. Tashmë këto zona si kanionet e Skraparit vizitohen nga mijëra turistë vendas dhe të huaj jo vetëm për të bërë rafting por edhe për kayak, canyoning (zbritje me litarë e ujëvarave) eksplorim kanioni, stand up paddle, hydrospeed, hiking, karvan me mushka, snowshoeing etj.

 

Nëse dikur ishte ëndrra e dy të rinjve sot është një staf i tërë dhe një mori sportesh që zhvillohen dhe zgjerohen…

Tashmë “Albania Rafting” ka mijëra anëtarë vullnetarë dhe dhjetëra guida të certifikuar sipas standarteve ndërkombëtare në sportet si rafting, kayaking, canyoning, stand up paddle, hiking etj.

Me kalimin e viteve Shqipëria ndryshonte dhe zhvillohej  shpejt duke bërë kuriozë shumë turistë të huaj për ta vizituar. Tashmë pas 2 dekadash pune “Albania Rafting” zhvillon gati 15 sporte të tjera në natyrë si rafting, hydro speed, kayaking në dete dhe liqene, canyoneering, zipline, stand up paddle, hiking, caravan mules, river hiking, snow shoeing etj.  Ajo nëpërmjet paketave turistike ditore dhe shumë ditore  promovon Shqipërinë nëpërmjet sporteve në natyrë nëpër zona të thella të Shqipërisë  duke rritur hapjen e bizneseve dhe punësimin e shumë të rinjve  dhe grave të këtyre zonave dhe duke sjellë punësim për bizneset e vogla lokale dhe banorët lokalë. Të gjithë së bashku kemi lobuar dhe mbrojtur Kanionet e Osumit nga ndërtimi i Heceve dhe vazhdojmë luftën për të mbrojtur lumin Vjosa dhe lumenj të tjerë nga hidrocentralet.

Përtej sporteve të aventurës, ju jeni drejtuese edhe e një kompleksi turistik, ku promovimi i kulinarisë është gjithashtu në qendër të punës suaj?

Ne vitet  2000-2003 ndërtuam “ Castle Park” një kompleks turistik me restorant, dhoma hoteli dhe udhëtime në natyrë duke punuar fort për promovimin e kulinarisë dhe mikpritjes Beratase. Une sot jam presidente e Slow Food convivium Berat.

___________

Botuar ne Revisten Bordo

Gusht – Shtator

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF