Mirjami sfidon dallgët
Me Mirjamin jemi takuar 10 vite më parë në showroom-in e saj Interni Design. Kujtoj që më tërhiqte shpesh vëmendjen teksa shpjegonte produktet e ekspozuara, ku mbaj mend fare qartë sesi më përshkruante me detaje një karrige transparente me nuanca shege të Kartell. Por duket se në dekadën e jetës së një gruaje mund të lindin e forcohen qindra pasione, siç ka ndodhur me Mirjam Hutën e cila prej 6 vitesh sfidon dallgët përmes SUP, një sport uji që i ka dhuruar një energji të pashtershme, e pas kësaj ka përfshirë në axhendën e sporteve të saj Jogën, duke balancuar në mënyrë të përsosur energjinë e pastër fizike dhe qetesinë shëruese të disiplinës se hinduizmit.
Mirjam, nga noti një pasion juaji i vjetër erdhi SUP, një sport uji krejt i panjohur në Shqipëri, si e zbuluat?
E kam zbuluar krejt rastësisht në një plazh të Greqisë para 5 – 6 vitesh, sapo kish dalë në atë kohë dhe bëri bujë si një sport uji dhe filluan ta përdornin në të gjitha plazhet nëpër botë. Më pas lexova më shumë për të, u interesova ku mund ta blija boardin për SUP dhe e kam sjellë me avion nga Franca. Duket shumë humoristike si situatë, por isha kaq e gëzuar që ja dola ta sillja në Shqipëri e nuk pyeta fare për vështrimet e çuditura të njerëzve që më shikonin të kërrusur me një çantë prej 13 kg në kurriz.
Kur pashë për herë të parë një burrë mbi boardin e SUP në Durres, mendova: 60 vjeç nuk paska mësuar akoma not, çfarë ka diçka të veçante ky sport uji?
Momenti i parë që kam parë një njeri mbi board, me duket ishte vajzë, ishte mbresëlënës, ke përshtypjen sikur ecën njeri mbi ujë, është gati mistike, mua më rikujton një moment të Moisiut nga Bibla, që u hap deti që të kalonte me popullin e tij. Në fakt nuk është një gjë e re sepse ka ekzistuar prej kohësh, që njerëzit lundronin nëpër tavolina druri apo varka të sheshta në këmbë kryesisht në laguna apo lumenj duke përdorur lopatën. Risjellja dhe paraqitja në këtë formë të modernizuar ishte një gjetje e goditur, teknologjia natyrisht bëri të sajën dhe për çdo vit shoh që modernizohen dhe sillen variante gjithnjë e më të përparuara. Varianti i boardit që kam unë është “inflatable” domethënë që fryhet dhe shfryhet, dhe këtu qëndron e bukura, është bashkëshoqëruesi në çdo udhëtim të familjes, është gjithmonë në makinë me ne një shok i pandashëm.
Çfarë ndjesie merr kur je mbi tavolinë, duket sikur merr udhë adrenalina, por edhe sikur je në një planet tjetër qetësie, ju si i përkufizoni këto çaste?
Pyetje shumë e bukur kjo, në fakt janë të dyja të shkrira dhe të japin atë ndjesinë e rrallë e të qëndruarit mbi ujë. Mëngjeset me SUP janë shumë të bukura sepse uji është më i qetë dhe shpesh nuk ka dallim se ku mbaron uji e ku fillon qielli, dëgjon vetëm zhurmën që bën lopata që futet në ujë, sheh ndonjëherë ndonjë peshk që kërcen, duket si sport që është i qetë por në fakt angazhon gjithë trupin dhe sidomos për femrat është i përsosur sepse vendos në lëvizje muskujt anësorë të barkut. Perëndimi me SUP është i magjishëm, duket sikur je në një garë me diellin, sepse dëshiron ta arrish para se të perëndojë në ujë, e shijoj këtë moment sa herë më jepet mundësia sepse bregdeti shqiptar ka një fat të madh që thuajse në të gjithë shtrirjen e tij e ka perëndimin në det dhe mendoj që ta shijosh atë duke bërë dhe sportin e preferuar është fantastike.
Di që e nise me djalin windsurfin, kush e motivon më shumë kë dhe si është të kesh në familje njerëz që i duan këto sporte?
Djali ka përparuar shumë në windsurf dhe është një kënaqësi e madhe ta shohësh mbi velë. Motivohemi reciprokisht, i vogli më ndjek në sportet e mia, unë ndihem krenare për përparimet e tij dhe të dy bashkë kuptohemi në mënyrë perfekte. Mendoj që fëmijët rriten më mirë kur kanë shembuj të mirë, kështu që mundohem ta përfshij sa më shumë në aktivitete të ndryshme. Këtë verë janë motivuar edhe shokët e tij për Sup dhe Windsurf dhe janë ushtruar të gjithë bashkë në spotin e Albanian Water Sports në Velipojë.
Yoga mbi tavolinën e ujit, yoga në park, por edhe në majë të malit, sa e ka ndryshuar kjo disiplinë jetën e Mirjamit?
Mendoj që jetën ta ndryshojnë dhe ta zbukurojnë interesat dhe pasionet. Ato të japin mundësinë që të dalësh nga monotonia e përditshme, të superosh stresin e vazhdueshëm të jetës urbane e një nga mënyrat për ta arritur është nëpërmjet yogës. Ndryshe nga sa mendohet yoga nuk është praktikë vetëm për njerëz të veçantë ose për persona spiritualë. Të gjithë janë të lidhur me yogën, yoga është universale sepse është bashkimi i gjithë elementeve dhe krijesave të natyrës. Fillimisht yoga më rregulloi frymëmarrjen dhe më mësoi që nëpërmjet saj të kontrolloj veten dhe fuqinë time. Me praktikë të vazhdueshme të yogës mësova të përqendrohem në trupin e muskujt e mi, e sa më shumë e arrij këtë aq më shumë fokusohem në mendimet e mia. Kështu më ka lindur dhe është rritur ndjeshmëria shpirtërore. Pastaj çdo gjë bëhet më e thjeshtë, tani arrij të bëj yoga kudo, por kënaqësia më e madhe është gjithmonë në natyrë, mbi boardin tim në det, në mal, në liqen, së fundmi dhe në shtëpi të mbyllur gjatë kohës së pandemisë. E rëndësishme është ta duash diçka dhe e gjen mënyrën për t’u ushtruar.
Sipërmarrëse e suksesshme, udhëton shpesh, merresh me sporte që të kërkojnë në lëvizje, si arrin të balancosh punën, familjen dhe pasionet?
E adhuroj punën që kam, merrem me arredime, kam një aktivitet të cilin e ndjek vete prej 25 vitesh dhe showroom-i im Interni Design në Tiranë është i njohur për brandet cilësore, për mobilimet e bukura dhe sidomos për kujdesin ndaj klientit. Jam shumë krenare për këtë. Familja dhe puna janë gjërat më të rëndësishme që kam. E këtu më ndihmojnë sportet që ndjek, me çlodhin nga ngarkesa e punës, më heqin stresin, më ndihmojnë të fokusohem. Harmonia që kam në familje më ndihmon të gjej kohën për t’i bërë të gjitha. Këtu ka rol të madh bashkëshorti im, që është krenar më pasionet e mia sportive, ai më ndihmon t’i zhvilloj, interesohet shumë që të kombinojmë pushimet me aktivitetet sportive. Me humor thotë që mund të kisha gjetur ndonje sport më të thjeshtë si shahu apo ping – pongu që të mos kishte as shpenzime, e as për të mbajtur board-e e për të zhvendosur vela, por mbështetja e tij është shumë domethënëse, është ajo që na ruan ekuilibrin në familje dhe na bën ta respektojmë e ta duam më shumë njëri – tjetrin.
Për ata që nuk kanë zbuluar sportet e ujit apo jogën, cila është këshilla juaj?
Sportet e ujit të rinojnë, e ndihmojnë trupin që të çlirohet nga stresi dhe të pastrohet nga toksinat. Vetëm fakti që je në det është rigjenerues, pastaj kur lundron me lopatë ose me vela bën edhe aktivitet fizik, rrit fleksibilitetin e muskujve, përsos ekuilibrin dhe në përgjithësi përmirëson performancën fizike dhe emocionale. Deti, liqeni e në përgjithësi natyra është vendi i duhur për t’u fokusuar, e njëjta gjë vlen edhe për yogën, por në yoga ndodh një refleksion intim më personal, ndërsa sportet e ujit në grup me miq janë akoma dhe më shumë stimuluese dhe të këndshme, ndihmojnë në njohjen dhe mbrojtjen e natyrës së bukur të Shqipërisë.
___________
Botuar ne Revisten Bordo
Gusht – Shtator

Jeta në Foto… Mirush Kabashi

t-shirt, një histori rebele!

Tavolina e kafesë!

Daniel Craig, ndryshoi përgjithmonë James Bond!

Tendencat e arredimit në Bordo Interior

Bordo Tendencë: Pantallonat e shkurtra!

Pipero: Maska e detyrueshme edhe në rrugë!

Go Wild këtë verë!

Rouge Coco Flash nga Chanel!

8 hijet e Verës!

Kristale dhe xixa.. në Bordo Tendencë


Sekreti i algave!


Anila Bashllari: Lumturia është gjendje mentale!

Eau de toilette apo Eau de parfum?

Bota e Genc Salihut!

Marina në botën e ëmbëlsirave!

Rubini, sharmi i kuqes!
