24 orët e fundit duket se kanë sjellë një përmirësim të situatës së koronavirusit në vendin tonë, dhe shpresat janë që ky trend të vazhdojë. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka pasur një numër rekord të shëruarish, pasi 227 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin dhe kështu, bilanci i personave të shëruar që prej fillimit të pandemisë shkon në 5441.
Ndërkohë ka pësuar rënie dhe numri i rasteve të reja; nga 812 testime, doli se 93 persona janë konfirmuar pozitivë. Kjo përsa i përket përhapjes së sëmundjes, sepse niveli I vdekjeve është sërish shqetësues. Kështu kanë humbur jetën një 63 vjeçar nga Lezha, një 67 vjeçare dhe një 70 vjeçare nga Tirana, një 70 vjeçar nga Librazhdi, një 72 vjeçar nga Kukësi dhe një 88 vjeçar nga Dibra.



















