
Komiteti i Ekspertëve njoftoi se masat në fuqi kundër Covid 19, do të kenë efekt edhe për të paktën dy javë të tjera. anëtarët e tij sqaruan se indikatorët tregojnë një ulje të shifrave, por situata mbetet delikate. Mira Rakacolli, anëtare e Komitetit të Ekspertëve tha se është vendosur që të mos ketë ndryshim të masave dhe për 2 javë. “Ka një tendence ulje që me sa duket, ajo tendencë ulje që ka qenë edhe dy javë më para vijon të jetë e qëndrueshme. Komiteti mendon se këto shifra janë si rezultat i masave të propozuara disa javë më parë, por edhe është vënë re një tendencë pozitive në respektimin e masave, por ende nuk është në nivelet e dëshiruara. Nga ana tjetër siç vihet re nga hartat që kemi konsultuar në Evropë, është vënë re dhe ajo që quhet vala e tretë dhe kanë nisur një izolim selektiv. Prandaj pavarësisht uljes së indikatorëve, sugjerojnë që situata është delikate dhe jo situatë që të jemi të kënaqur. Ne kemi vlerësuar që masat kanë qenë të efektshme dhe do të vijojnë të mbeten në fuqi dhe për dy javë të tjera“, u shpreh Rakacolli. Zëvendës ministrja e Shëndetësisë duke iu referuar fushatës elektorale tha se qytetarët dhe partitë politike duhet të repsektojnë masat kundër Covid.