KreuCelebrity

Ermal Meta: Kam 1 milion gjëra për të të thënë

Artisti shqiptar, një ndër favoritët e Festivalit të Sanremos, pranon se duke kënduar pa publik, mund të jetë shumë e vështirë, sidomos kur bëhet fjalë për një këngë dashurie, një dedikim për atë që e mbështeti atëherë kur askush nuk besonte tek ai 

Ai na emocionoi edhe pse u rendit i treti në Festivalin Sanremo në 2017. Pastaj, vitin tjetër, fitoi trofeun me Fabrizio Moro. Ermal Meta, 39 vjeç, është një artist i paparashikueshëm, me pak fjalë, por gjithmonë thotë ato të duhurat. Është zemërgjerë, duke pasur parasysh prodhimin e madh të teksteve të shkruara, jo vetëm për vete, por edhe për kolegët e tjerë. Sivjet, në 2 Mars ai do të ngjitet për herë të tretë në skenën e Ariston, por si artist Big me këngën “Un milione di cose da dirti” (Një milion gjëra për të të thënë), një këngë dashurie që premton të kthehet në një sukses. Duke u rikthyer në të kaluarën e tij, djaloshi i lindur në Fier, ka bërë një rrugë të gjatë në muzikë dhe siç e pranon vetë, nuk ka pasur një jetë të lehtë, por në fund arriti gjithçka që donte, sepse Ermal Meta nuk dorëzohet përballë vështirësive, edhe kur rrëzohet, ngrihet dhe vazhdon…!

Si po ecin përgatitjet për Festivalin e Sanremo?

Më shumë jam duke bërë një përgatitje mendore. Unë zakonisht nuk bëj shumë prova, sepse i njoh kufijtë dhe aftësitë e mia. Më shumë se kaq nuk mund të përmirësohem.

Pra nuk keni asnjë trajnim të veçantë në palestër.!

Ndoshta duhet, po tani më bën të ndihem fajtor.

Çfarë nuk ju pëlqen të bëni?

Nuk më pëlqen trillimi. Nëse ka diçka që nuk më pëlqen, mund ta lexoni menjëherë në fytyrën time, ajo është pa filtra. Për këtë arsye, në jetën time, kam pasur shumë probleme. Nuk hyj në xhiro lehtësisht, nuk përshtatem kollaj.

Si jeni përballur me to?

Kur mbërrita në Milano shtatë vjet më parë, ëndërrova të jepja më të mirën time, ishte problem dhe e pata të vështirë sepse isha vetëm, nuk kisha miq.

Duket e pabesueshme…

Por në fund ja dola dhe gjeta dikë. Kjo situatë e vështirë më solli fat, sepse punova i vetmuar duke shkruar. Isha aty ku doja të isha, në vendin e duhur të muzikës në Itali. Edhe pse përjetova një ngërç njerëzor, isha në një qytet të mrekullueshëm që nganjëherë i ngjante një stacioni të madh.

Si e kujton Sanremon nga ekrani dhe pastaj në skenë?

Sa herë që shikoja Festivalin nga shtëpia ëndërroja ta fitoja çmimin e Kritikës, por kur e pashë veten mes artistëve të mëdhenj, e kuptova që ëndrra ime ishte bërë realitet.

Cili ka qenë kujtimi më i bukur?

Pasi këndova një cover të Domenico Modugno dhe dola nga skena, më kaluan në telefon zonjën Franca Modugno. Ajo më falënderoi për mënyrën se si e kisha interpretuar këngën e burrit të saj. Qava nga gëzimi.

Në vitin 2018, u kthyet me Fabrizio Moro…

Ne u takuam për herë të parë në një festival veror në vitin 2017, e kuptova që do të bëheshim miq, më dukej sikur kishim një jetë që njiheshim edhe pse kishim kaluar vetëm një orë bashkë. Fabrizio më kërkoi të bënim një pjesë së bashku, ai kishte gati refrenin, pjesën tjetër e shkruajta unë. Për mua është një njeri shumë i veçantë.

Çfarë këshille do t’u jepnit atyre që debutojnë në Ariston?

Mbi të gjitha është e rëndësishme të këndosh mirë. Nuk është e lehtë, nuk ke kohë as për t’u ngrohur, sepse ka vetëm një këngë në dispozicion, sidomos këtë vit që nuk ka as audiencë për të duartrokitur.

A e mbani mend kohën kur e kuptuat se kishit ecur në rrugën e muzikës?

Meqë po flasim për rrugën: isha në një udhëtim me vëllain tim në Shtetet e Bashkuara, gjendeshim në mes të shkretëtirës në Luginën e Vdekjes. Ndaluam në një stacion benzine, në mes të askundit dhe u futëm në një lokal. Ndërsa po kërkoja një akullore, hyn një zotëri me mbesën e tij pesëmbëdhjetë vjeç. Ajo filloi të më shikojë me këmbëngulje, pastaj u afrua dhe më pyeti në anglisht: “A jeni Ermal Meta? Unë jam një fanse e madhe e juaja nga Brazili. Më kishte njohur  përmes festivalit Eurovision.

Çfarë fati të takosh këngëtarin tënd të preferuar në shkretëtirë!

Jam me fat që gjeta një fanse timen në shkretëtirë! Kjo më gëzoi pa masë.

A keni patur ndonjë zhgënjim, por që ju ka bërë më të mirë?

Isha 26 vjeç, sapo kisha filluar rrugën e muzikës. Shkova në një kompani të njohur diskografike, i telefonoja çdo ditë dhe menaxheri u përgjigj vetëm pas dy muajsh…!

Urime për vendosmërinë, por ai çfarë ju tha?

I dëgjova këngët tuaja. A mund ta di se çfarë bëni tjetër në jetë? I thashë: “Studioj dhe punoj”. Ai më tha: “Ju lumtë që studioni dhe punoni, kjo është gjë shumë e mire, por lëreni muzikën”. Kjo më shkaktoi një dhimbje të pamasë, aq sa për një muaj kalova në depresion.

Po pastaj çfarë ndodhi?

Një ditë u zgjova dhe thashë me vete: “Ky është vetëm mendimi i tij!, Amen”. Dhe vazhdova rrugën më tutje.

A e keni parë përsëri?

Po në Sanremo, madje më kërkoi të shkruaja një pjesë për një nga artistët e tij.

Dhe si ju përgjigjët?

A nuk isha unë ai që nuk dija të shkruaja? U ndjeva shumë i lumtur.