KreuCelebrity

Klodiana Shala: Trajnohu me kampionë

Njerëzit e suksesshëm bëhen të tillë, sepse rrënjosin në vetvete zakone që çojnë drejt suksesit. Zakonet gjithmonë fitojnë, ato marrin kohë për t’u zhvilluar por pasi të jenë pjesë e juaja atëherë ‘loja’ është fituar. Duket se kjo është sfida e kampiones Klodiana Shala!  “Unë e kuptoj plotësisht luftën që kalojnë shumë gra apo edhe burra kur ndihen të pakënaqur me imazhin e trupit të tyre, duke mos ditur nga të fillojnë, ose thjesht ndihen të mbërthyer pa drejtim në jetë. Të gjithë përballemi me sfida dhe në fund të ditës ajo që ka më shumë rëndësi është se si i kapërceni ato momente stresuese. Prioriteti im si trajner është t’u jap grave dhe burrave mjete për t’u përmirësuar fizikisht dhe më e rëndësishme; mendja…

Gjatë pandemisë kur Shqipëria dhe e gjithë bota u mbyll, ju gjetët një mënyrë tejet origjiale për të qenë pranë publikut! Për 20 minuta bashkë me Klodin, teleshikuesit bënë palestër nga shtëpia! 

Po, me dëshirë të madhe për të qenë sa më pranë njerëzve dhe për t’ua bërë më aktiv dhe jo të mërzitshëm qëndrimin në shtëpi, unë mendova të bashkëpunoj me një televizion ku ofroja çdo ditë 20 minuta ushtrime të ndryshme fizike. Pra jam instruktorja personale e mijëra teleshikuesve që më ndjekin nga shtëpia.

Nisi si një mënyrë argëtimi dhe ushtrimesh fizike në kohë pandemie, por tashmë ‘Fit with a champion’; Trajnohu me kampionë është mirëfilli një platformë e plotë mirëqenie fizike e mendore

Një nga arsyet që më ka shtyrë të krijoj këtë platformë ka qenë edhe jeta sedentare që ditët e sotme bëjnë fëmijët.  Shoh shumë pak fëmijë që merren me sport, me lojëra që zhvillojnë fizikun dhe mendjen dhe shkaku i kësaj dihet që janë pajisjet elektronike me të cilat të vegjlit kalojnë kohën e lirë. Në videot e mia jam munduar që gjithmonë të përfshij edhe fëmijët, duke krijuar ushtrime të koordinuara përshembull mami me vajzën e vogël që të mund të krijohet kështu një marrëdhënie ndërveprimi fizik edhe shpirtëror mes prindit dhe fëmijës. Dua shumë që nëpërmjet kësaj platforme të ndërgjegjësoj të rriturit por edhe vogëlushët e çfarëdo moshe që të jetojnë dhe përqafojnë më dëshirë rëndësinë e aktivitetit fizik.

Çfarë përmban platforma ‘ushtrohu me kampionë’? 

Ashtu sikurse kuptohet edhe nga titulli në skuadrën tonë ka vetëm kampionë.  Ushtrimet do të ndahen sipas kategorive të moshës, peshës dhe gjendjes shëndetësore. Përveç meje që merrem me ushtrimet e palestrës në platformë janë edhe katër profesionistë që plotësojnë paketën e plotë të një mirëqenie fizike dhe mendore. Mjekja nutricioniste  Diola Dosti do të përshtasë paketat e regjimit ushqimor sipas veçorive dhe nevojave që ka dhe duhet për çdo person. Arvin Kita është shefi i njohur i kuzhinës, i cili afësitë dhe talentin për kuzhinën e ka treguar prej vitesh. Emri i tij do të qëndrojë pas çdo menuje të çdo personi që do marrë regjimin e tij personal ushqimor në ‘Ushtrohu me kampionë’.

Kemi menduar që prania e një psikologe-je do të ishte mëse e nevojshme në këtë platformë si formë për të ndihmuar klientët në fokusim, motivim; mbajtjen e një programi stërvitor apo edhe për të ndihmuar individin që të shijojë ushtrimet apo aktivitetin fizik. Sa i përket fizioterapisë, dihet që është shumë e rëndësishme për çdo aktivitet fizik si për sportistët profesionistë ashtu edhe për amatorët që duan thjesht të kenë një trup fit. Kemi fatin të kemi një mjek-fizioterapist italian tejet i kualifikuar që quhet Andrea Settembrini.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF