
Situata me koronavirus në vendin tonë javët e fundit ka qenë e qëndrueshme, duke qenë se numri i të infektuarve dhe vdekjeve fatmirësisht është ulur ndjeshëm. Kjo ka bërë që Shqipëria të dalë nga Zona e Kuqe e Covid duke u cilësuar si vend me rrezikshmëri të ulët.
Këtë deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në Kuvend sot. Ajo tha se këtë e dëshmojnë të dhënat epidemiologjike. Vendi ynë ka aktualisht një incidencë të ulët, në nivelet e 26.6 raste për 100 mijë banorë nga 30.7 raste për 100 mijë banorë në javën pararendëse.
Vijon incidenca dy javore të mbetet e ulët në nivel 52.4 raste për 100 mijë banorë. Ka një rënie të pozitivitetit total, sipas javëve në 3.8 %. Ndërkaq numri i pacientëve në spitale është ulur, në 111 të shtruar.
“Vendi ynë, bazuar në të dhënat epidemiologjike, ka dalë nga zona e kuqe, pra nga zona e riskut të Covid19, krahasur me vendet e tjera, qoftë të rajonit dhe qoftë të Europës. Kjo falë masave të shënjestruara dhe efekteve të vaksinimit që, sipas ekspertëve të shëndetit publik, po fillojnë të ndihen”.; tha Manastirliu



















