Udhëtim në botën e parfumeve, shijeve të ushqimeve të rafinuara franceze, kulturës dhe artit, në zemër të rajonit më të bukur të Francës i vendosur mes maleve dhe brigjeve të kaltra të rivierës
Provenca ndodhet në Francën jugore dhe është një vend me det të hapur blu dhe male të mbuluara me borë, fshatra të vogla kodrinore të mbushura me kështjella të fortifikuara dhe qytete të artit dhe kulturës, fusha me livando të ëmbël dhe pemë të lashta ulliri. Fushat aromatike me livando, rrugët me kalldrëm dhe vija bregdetare e pafund e Provencës i kanë frymëzuar shkrimtarët, piktorët dhe udhëtarët.
Poeti spanjoll Camilo José Cela de la Alcarria kur kaloi në këto anë tha se ky ishte “një vend shumë i bukur në të cilin njerëzit nuk duan të shkojnë kurrë”, por kjo ndryshoi kur ky oaz, më i madhi mesjetar me aromën e livandos tërhoqi vëmendjen e atyre që i donin aromat. Provensa është një tokë emocionuese, e cila ndodhet në qendër të gadishullit, ku mund të takoni njerëz dhe vende nga më uniket në botë. Padyshim që do të dashuroheni, jo vetëm nga panorama e cila mëngjeseve deri në mesditë mbizotërohet nga ngjyra jargavan e luleve të livandos që pushtojnë fushat e pafundme, ndërsa në muzg, e kuqërremta të bën të dashurohesh. Ky vend është një simfoni e stileve dhe ngjyrave që përsëritet përgjatë tokave të saj, një rajon i cili që nga vitet ’60, u kthye në një oaz të vërtetë. Ndaj sot ky cep magjepsës i Francës jugore kombinon qytete të gjalla bregdetare dhe fshatra të çuditshëm, të qetë, duke e bërë atë një destinacion të preferuar për të gjithë.
Vendi i lavandës
Aroma qetësuese, delikate dhe nuanca e purpurt e livandos i ka magjepsur njerëzit për shekuj me radhë. Fushat e famshme të livandos lulëzojnë në verë, kështu që udhëtoni në qershor deri në gusht për një pamje me nuancë vjollcë. Por peshoni dëshirën tuaj për pasionin e purpurt kundër turmave, pasi ka aq shumë vizitorë që vijnë këtu enkas për këtë peizazh sidomod për Festivalin e Avinjonit, kur fushat kthehen në teatro, ku mund të shijosh përveç aromave, edhe tregjet që shesin parfume dhe produkte kozmetike të përgatitura me bimësinë e rrallë vendase. Por nëse doni pamjen klasike, atë të kartolinës-vjollcë të Provencës, ajo gjendet në Abbaye Notre-Dame de Sénanque dhe Plateau de Valensole, vende ku mund edhe të fiksoni disa nga momentet më të bukura të këtij udhëtimi.
Buzëqeshje luledielli
Në të gjithë Francën dhe veçanërisht në Provence, nga fillimi i qershorit deri në mes të gushtit, fytyrat e gjalla dhe të qeshura të lulediellit mund të gjenden kudo. Petalet e tyre të verdha, aq shumë të ngjashme me diellin, shfaqen ngado si piktura të mbushura plot aromë. Luledielli është një bimë e cila nuk është vendase, por ka ardhur këtu nga Amerika dhe kultivohet prej qindra vitesh, pasi u soll në shekullin e 16-të nga eksploruesit spanjollë në Evropë. Qysh nga fillimi, nuk ka qenë aspak bimë dekoruese, por është kultivuar për të bërë vaj i cili përdorej për gatim. Për shekuj me radhë artistët janë joshur nga shkëlqimi i lulediellit sidomos gjatë epokës impresioniste. Van Gogh i përjetësoi ato kur ai jetonte në Provence në vitin 1888, ku edhe pikturoi veprën e tij “Luledielli”, e cila është ndoshta vepra e tij më e famshme.
Provence është një nga ato vendet magjike që frymëzojnë çdo udhëtar. Një udhëtim në Provence ju jep një përvojë shumë të larmishme me të gjitha llojet e atraksioneve. Ndër gjërat më interesante për të parë në Provence, ju do të gjeni gjithçka, nga rrënojat antike në kështjellat e çmuara, pamjet befasuese natyrore dhe shumë më tepër. Për më tepër, në këtë mjedis natyror magjepsës të Rajonit të Provence, do të gjeni edhe disa nga fshatrat më të bukur në Francën Jugore.
Çfarë të vizitosh?
Provence është një nga ato vendet magjike që frymëzojnë çdo udhëtar. Atmosfera aty është vërtet unike, ndaj ju sugjerojmë disa vende identifikuese të cilat duhet të vizitoni.
Nëse dëshironi të vizitoni rrënojat antike, Arles është një nga vendet ideale. Van Gogh jetoi disa kohë në këtë qytet në brigjet e lumit Rhone. Aty gjenden plot ndërtime që datojnë që nga Perandoria Romake dhe Qyteti i Vjetër i Arles është një vend i Trashëgimisë Botërore, ku koloseu fantastik romak mbetet më i njohuri, por ju mund të vizitoni edhe Arph Amphiteatre, një teatër romak apo banjot e Kostandinit.
Avignon, lagja historike dhe më mbresëlënëse në Provence, dallon Pallatin Papal, e cila është rezidenca e papëve gjatë periudhës kur papati qëndroi aty, ndërsa po kaq e mahnitshme është Pont Saint-Bénézet, Ura simbol e Avignonit e çmuar si dhe katedralja Notre-Dam-des-Doms.
Gordes dhe Roussillon janë dy fshatrat më piktoreskë për të vizituar në Provencë. Gordes është i vendosur në majë të një kodre dhe bie në sy për shtëpitë prej guri me çati prej terrakote, rrugët me gurë me kalldrëm dhe atmosfera mesjetare, një peizazh i cili frymëzoi Marc Chagall dhe shumë artistë të tjerë të famshëm.
Ndërsa Roussillon është një fshat i vogël dhe shumë i gjallë, ku dallon portokallia, e kuqja dhe e verdha.
Abacia e Sénanque gjendet pranë fshatit Gordes dhe është një monument që duhet vizituar. I vendosur mes fushave me livando në një luginë të gjelbër, abacia u themelua në 1148 nga murgjit, të cilët janë ende edhe sot, duke jetuar traditën më të pastër të manastireve duke kaluar ditët e tyre në lutje si dhe duke rritur livando dhe duke prodhuar mjaltë.
Ku të qëndroni?
Kjo zonë ofron akomodim nga hotelet më të mira deri tek banesat e banorëve vendas të kthyera në bujtina mikpritëse ku mund të shijoni një eksperiencë unike kulturore dhe kulinarie. Le Mas de la Tannerie, është një bujtinë me pesë dhoma me mure prej guri ngjyrë mjalti, ku kombinohet stili autokton me atë skandinav, një vend ku mund të shijoni diell gjatë gjithë ditës.
Maison Jalon është një hotel Boutique me një stil kozmopolit i vendosur mes pishave shekullore, por ajo që bie në sy është stili i frymëzuar nga Marrakeshi, i cili gjendet në katër dhomat e gjumit, e deri tek veranda, ku spikasin elemente dekori nga Tajlanda deri në Meksikë.
Ushqime dhe pije
Pemët e ullinjve u mbollën në Provence mbi 2600 vjet më parë dhe kanë lulëzuar në terrenin e thatë dhe me gurë për t’u bërë ylli i shfaqjes gastronomike. Shumica e pjatave këtu gatuhen ose pikohen në vaj ulliri dhe frutat përdoren shumë gjatë gjithë gatimit provansal. Në Provence mund të geni saucisson de taureau Camargue – një suxhuk i bërë nga mishi i demave që rriten në livadhet e pafundme. Klima mesdhetare ka kullota të harlisura, ndaj vendasit rrisin dhitë, të cilat janë të famshme për djathin. Por fakti që zona shtrihet pranë detit ofron edhe ushqim deti me pjata unike. Por, pjatat më unike janë ato me tartuf, i njohur lokalisht si diamantet e zinj, ato priten hollë dhe skuqen në vaj me bukë. Kjo krahinë është e famshme për verën. E bardha dhe rozeja mbretërojnë këtu, ku më e famshmja është vreshta e Magdeleine, më e madhja në Evropë.



















