
Grupi i parë i afganëve, i cili pritej gjatë mbrëmjes së djeshme por për shkak të zhvillimeve kaotike në Kabul u anulua, do të mbërrijë sot në vendin tonë rreth orës 17:00.
Bëhet fjalë për afro 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku autoritetet tashmë kanë ngritur edhe disa tenda. Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re. Për momentin, janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të rikonstruktuara të qytetit Studenti në Tiranë, me një kapacitet total për dy mijë persona.



















