Arbana Osmani konfirmoi me anë të një statusi në Instagram drejtimin e “Big Brother”, ku ndër të tjera shprehu emocionet që përjetoi kur ia besuan sërish asaj programin, njësoi si 13 vite më parë. Moderatorja zhvilloi mbrëmjen e së martës një bashkëbisedim me ndjekësit e saj, ku zbuloi detaje rreth programit.
“Big Brother Vip” do të fillojë në tetor, do të zgjasë 100 ditë dhe do të transmetohet 24 h live në dy kanale në Digitalb. Përmbledhja ditore çdo dite në Top Channel. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë bashkë do të kemi jo një, por dy spektakle në javë me emocione të forta si përherë. Këto janë takimet që nuk duhet të humbisni. Transmetimet në Youtube do të jenë të përzgjedhura. Çmimi i madh në Big Brother Vip do të jetë 100 000 euro”, ka zbuluar moderatorja.
E pyetur se pse nuk nuk është zhvilluar këto 4 vite dhe pse pikërisht tani? Arbana shkroi, “Një format televiziv ndodh që të mos zhvillohet për arsye të ndryshme. Ka në botë formate shumë të suksesshme që e lodhin audiencën dhe kanë një stop. Ka formate realizimi i të cilave është shumë i kushtueshëm dhe kostot nuk e justifikojnë suksesin dhe kanë një stop. Mendoj që para 4 vitesh BB ndaloi në momentin e duhur. Ndryshe nuk do ishte gjithë kjo dëshirë për ta riparë. Ashtu siç mendoj që tani janë pjekur të gjitha kushtet për të rifilluar, natyrisht me një vizion të ri dhe ambicie të reja. Big Brother është një sipërmarrje gjigante, është një televizion brenda televizionit dhe që në momentin që është vendosur rikthimi i realizimit të formatit është investuar shumë. Po ndërtohet një shtëpi me sipërfaqe 1500m2 ngjitur me studiot e tv, është investuar në teknologji për të patur fjalën e fundit të teknikës, në burime njerëzore për të patur profesionistet me të mirët e fushës. Është një pune në skuadër që të jep veç frymëzim dhe motivim për të punuar. Është një frymë që kujton pak kohën e Tanit, ndoshta nga përfshirja e Lorit, ndoshta sepse na ka marrë malli për spektakle live, ndoshta sepse pritshmëritë janë të mëdha dhe përgjegjësitë akoma më të mëdha”.



















