
Vendet e Bashkimit Europian mund të përballen me pasoja ligjore për shkak të rekomandimeve për një dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit.Kjo për faktin se një dozë përforcuese ende nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), tha KE.Agjencia ka thënë vazhdimisht se duhet të ketë më shumë të dhëna para se të miratojë përdorimin e një doze shtesë.Deri më tani tetë vende europiane kanë rekomanduar vaksinimin me një dozë shtesë dhe disa të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim, thotë REL. “Dozat përforcuese aktualisht nuk janë pjesë e autorizimit të vaksinave për COVID-19 dhe ende nuk i janë nënshtruar një vlerësimi shkencor nga EMA në mungesë të të dhënave të mjaftueshme”, tha Komisioni Europian në një deklaratë për Reuters. KE shtoi se vendet anëtare mund të vendosin veç e veç për një rekomandim të tillë, por u shpreh se ato mbajnë pastaj barrën e çdo pasoje ligjore dhe kërkesash për kompensim, në rast se dikush ka efekte anësore të papritura. Komisioni gjithashtu tha se edhe kompanitë do të kenë përgjegjesi nëse dozat shtesë administrohen pa miratimin e EMA-s. “Për shembull, nëse një efekt anësor pas një doze përforcuese shkaktohet nga problemet e prodhimit, prodhuesi i vaksinave do të mbetet përgjegjës për të”, tha Komisioni.