Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, njoftoi se procesi mësimor do të kthehet në normalitet, duke nisur nga java e ardhshme. Me anë të një videomesazhi, ajo bëri me dije se të gjitha shkollat e vendit nga dita e hënë do të zhvillojnë mësim normal, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore. Sipas saj ky vendim erdhi pasi 88% e stafit pedagogjik janë të vaksinuar, dhe situata anticovid tashmë është kontrolluar.
“Dua të ndaj me ju sot një lajm të rëndësishëm që lidhet me vijueshmërinë e procesit mësimor në shkollë. Nisur nga shqetësimi juaj, por sidomos nga përgjegjësia jonë për të garantuar cilësi në sistemin arsimor. Gjatë gjithë kësaj periudhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me MSHMS, Komitetin e Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik për të rivlerësuar edhe njëherë së bashku të gjitha protokollet anticovid që zbatohen aktualisht në shkolla, e në mënyrë të veçantë me ruajtjen e distancës mes nxënësve, çka na ka detyruar që të aplikojmë mësimin me turne në disa shkolla të qyteteve më të mëdha të vendit. U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore. Përgjegjësia jonë e përbashkët është edhe më e madhe për të zbatuar masat e nevojshme që mbrojnë shëndetin e të gjithëve: vazhdimi i procesit të vaksinimit; mbajtja e maskave; dezinfektimi i mjediseve; ruajtja e higjienës – në mënyrë që mos të jemi të detyruar t’i rikthehemi më skenarit të mësimit me turne. Faleminderit të gjithëve dhe suksese!”, u shpreh ministrja Kushi.



















