Një prokuror spanjoll ka kërkuar më shumë se tetë vjet burg për superyllin kolumbian Shakira dhe një gjobë prej më shumë se 23 milionë euro për një rast mashtrimi tatimor prej 14.5 milionë euro, shkruan gazeta spanjolle El Pais këtë të premte.
Zyra e prokurorit dhe përfaqësuesit e Shakirës nuk kanë reaguar ende ndaj kësaj kërkese.
Këtë javë, ylli i popit refuzoi një ofertë zgjidhjeje nga zyra e prokurorit për të mbyllur një çështje mashtrimi në të cilën ajo akuzohet se nuk ka paguar taksat midis 2012 dhe 2014, periudhë në të cilën Shakira thotë se nuk jetonte në Spanjë.
Këngëtarja kolumbiane, e cila ka shitur më shumë se 80 milionë disqe në mbarë botën me hite të tilla si “Hips Don’t Lie”, ka përmbushur gjithmonë të gjitha detyrimet e saj tatimore, thuhet në një deklaratë. Ajo e konsideron rastin “një shkelje totale të të drejtave të saj”.