Artistja me famë botërore Rita Ora është dekoruar këtë të hënë nga presidenti Bajram Begaj me Titullin “Naim Frashëri” me motivacionin,“Në vlerësim të kontributit të dhënë në lartësimin e vlerave artistike dhe njerëzore përmes artit. Me mirënjohje për aktivitetin dhe rolin e saj si ambasadore në çështje me ndjeshmëri të lartë kombëtare dhe globale”.
Në ceremoninë e dekorimit, presidenti Begaj u shpreh: Jam i sigurt se ky nderim sot mbart vlerësimin e çdo artdashësi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo në botë. Janë miliona njerëz që mendojnë se ti je shembulli më i qartë se kur talenti dhe dimensioni njerëzor ndërthuren së bashku, krijojnë vlera të jashtëzakonshme që frymëzojnë globalisht”.
“Së fundi, me lejo të them se, nëse për botën je një artiste e madhe, për ne je gjithnjë një burim krenarie!”, tha presidenti në mbyllje të fjalimit të tij, duke i dhuruar emocione të mëdha këngëtares.
Kujtojmë që këtë të martë në orën 20:00 Rita Ora, do të performojë në sheshin “Skënderbej”. Koncerti do të jetë falas për të gjithë qytetarët.



















