Ring Road në Iceland 

Nga Edlina Losha
@dreamtravel.world

Është quajtur një nga udhëtimet e jetës. Unaza e madhe e Islandës. Për vete kisha shumë vite që e ëndërroja. Nuk po më bëhej mbarë dhe pengesa të shumta si pandemia dhe destinacione të tjera më të ngutshme gjatë verës më dilnin përpara! Por nuk e hoqa asnjëherë nga mendimet.
Islanda! Vendi i zjarrit dhe i akullit! Duke qenë se ky vend është i bekuar me ujëvara mahnitëse, akullnaja spektakolare, peizazhe të thyera, drita polare, vullkane, shatërvanët me ujë të nxehtë, si edhe gjithashtu shumë shtigje ecjeje dhe burime natyrore që tërheqin adhuruesit e natyrës nga çdo cep i botës, nuk është rastësi që Ring Road të jetë cilësuar si “udhëtimi i jetës”.

Ring road është rreth 1322 km i gjatë. Por duke qenë se do shohësh një vend të shquar për bukuritë e saj natyrore, kjo rrugë bëhet më e gjatë jo vetëm si kilometra por edhe si ditë. Zakonisht kërkon 8-10 ditë. Mirë është që ky udhëtim të bëhet në verë. Vera është stina më e bukur në Islandë. Perëndimi i diellit e kapërcen lindjen dhe nuk kupton kur është ditë dhe kur natë. Nata nuk ekziston. Por përsëri është fresk, madje ka edhe ditë të ftohta me shi edhe erë. Nga ana tjetër, dimri është më shumë për aventurierët. Dritat polare joshin turistët, por të bësh Ring Road në dimër është komplet tjetër gjë. Për shkak të borës, ngricave edhe motit të keq, rrezikon të mbetesh në rrugën e gjatë e të shkretë i bllokuar për disa ditë rrjesht. Furnizimet me ushqime, ujë dhe karburant nuk duhet të mungojnë.

Puna e parë që duhet të bësh kur shkon në Islandë dhe ke ndarë mendjen të bësh vetë Ring Road është që të marrësh një makinë me qera. Dhe pasi ke bërë programin fillimisht, ke shkruar vendet në hartë që do shkelësh dhe ke prenotuar që më parë hotelet, je i lirë të ndërmarrësh udhëtimin tënd të jetës. Në verë hotelet duhen prenotuar që herët, sepse fluksi i madh i turistëve veçanërisht vitet e fundit ka bërë që vera të gëlojë nga njerëzit dhe aventurierët. Përgjatë Ring Road shok të bëhet peizazhi përrallor: fusha të mbushura me mbetje llavash, ku po të shkelësh të duket vetja sikur ecën mbi pambuk, e më pas fusha të mbushura me lule ngjyrë vjollcë, male të gjelbëruar të çarë fije- fije nga ujëvarat. Nëse ka gjë me shumicë në Islandë ato janë ujëvarat. Kalon masive malesh të mbuluara përherë me borë, vullkane e akullnaja, plazhe të zinj me gurë vullkanikë apo forma të çuditshme shkëmbinjsh që të lënë pa fjalë. Të shoqërojnë fjordet e bukura dhe të egra, plazhe të klasifikuara në listat më prestigjioze të plazheve të botës, por që nuk mund të lahesh në ta për shkak të të ftohtit, liqene me ajsbergë, qytete që qelben erë (e dinit që islanda qelbet erë vezë e prishur?”), më pas përsëri male që çahen tejpërtej nga ujëvarat, shpellat, guvat, ku siç thonë vendasit aty jetojnë edhe trollët… Njerëz sheh shumë pak, Islanda ka shumë pak popullsi por islandezët mbahen si populli më i lumtur në botë dhe janë shumë miqësorë e të dashur. Anglezët bëjnë shaka me islandezët duke thënë që janë aq të qetë sa pijnë çaj në mes të trafikut dhe shoferët të luten të ecësh në trafik dhe kurrë nuk të parakalojnë. Mbahen edhe si njerëz pa tabu e paragjykime. Të bësh rrethin e madh të Islandes (Ring Road) është me të vërtetë mbresëlënëse. Në fund të gjithë kësaj njeriu ndihet më ndryshe, si më i rritur e i pjekur. Duket sikur ke kapërcyer një fazë të jetës dhe krejt papritur je hedhur në një fazë maturie dhe plotësimi. Në Islandë  sheh shumë pak kafshë, më së shumti dele dhe kuaj. Veçanërisht kuaj. E dini që fakti që islandezët hanë mish kali nuk është një mit? Ёshtë e vërtetë, por islandezët nuk hanë kuajt me të cilët kalërojnë dhe nuk ju venë emra kuajve që përdorin për ushqim.

Fakt tjetër interesant në Islandë është që aty nuk lejohet të mbash qen. Në mënyrë të rreptë është e ndaluar të kesh qen në Islandë.

Kuriozitet

Për shumë vite (74 vjet), islandezët duhej të duronin ndalimin e birrës,  gjë e cila mori fund më 1 mars 1989. Që atëherë, 1 marsi quhet dita “B” në Islandë – (B do të thotë Bjor, fjala islandeze për birrë).  Dhe…në Islandë nuk mund të hysh thjesht në supermarket dhe të marresh një shishe verë siç mundeni në shumicën e vendeve.  Përveç birrës me pak alkool, duhet të shkosh në dyqane speciale të quajtura “Vinbudin”për të blerë alkool.  Shteti drejton këto dyqane pijesh alkoolike dhe ato zakonisht janë të hapura nga ora 11 e mëngjesit deri në 6 pasdite.

Fakt:

Interesante është se nuk ka gjarpërinj në Islandë.  Ky është një nga ato faktet më të vogla për Islandën që gjithmonë i habit njerëzit.

Islanda është një atraksion i gjallë turistik, ku mbi të gjitha kryeson Ring Road, si dhe Golden Circle (rrethi i vogël pranë Rejkjavikut). Unë ndihem shumë e lumtur dhe e plotësuar që arrita t’i kryej të dyja ato, njësoj sikur të ishte një mision. Sepse në fakt ishte një i tillë për mendjen dhe zemrën time

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article