Nga Nada Biraçi
Kastro Zizo surprizoi jo pak publikun me pamjen e tij të re teksa u shfaq pak javë më parë si konkurent në garën e kërcimit, Dance Albania në Tv Klan. Metamorfoza e kantautorit që s’i ngjan aspak asaj të Kafkës, duket se e ka sjellë Kastron në versionin më të mirë të tij. Dikur e urrente kërcimin, madje njerëzit që kërcenin Kastro i shihte si qenie që zhgërryheshin me njëri tjetrin, ndërsa sot ndoshta edhe për shkak të kësaj metamorfoze që artisti po përjeton ai e sheh kërcimin si kurën më të mirë për një mendje produktive…
Çfarë marrëdhënie ke patur gjithmonë me kërcimin? A po e shijon eksperiencën në Dance Albania?
Në fakt i vogël apo edhe adoleshencë të hershme kam kërcyer ‘break dance’ si brezi i grupeve të mes dhe fund viteve 90’. Aty, në një moment u ndan gjërat, o do kërceja ose do të kisha një grup që do të bënte muzikë..e kështu erdhën 2Farm në 1998. Nga 98’ e në vazhdim kërceja vetëm kur isha i dehur…pastaj me kalimin e kohës edhe i dehur s’po më vinte më të kërceja. Kjo, se fillova të paragjykoj dhe grahmat e fundit të instikteve premordiale ende të ngelura te njeriu. Dhe me këtë “justifikim” refuzoja të kërceja…madje gjeja justifikime për mos shkuar në dasma apo evente me popull që kërcen. Në kuadrin e madh që shihja në cepin e tavolinës të mbushur me pasqyra me kate si për të reflektuar e parë shumë herë ushqimin e mirëqenien që as ngrënësi dhe as dhënësi nuk e shijon; reflektimi i surretërve dhe modaliteti ‘mute’ që i vija vetes, më ngjante “budallaqe”, një pikturë e madhe Budallaqe, që në fakt ishin shumë njerëz që zhgërryeshin me njëri tjetrin dhe nën petkun e rakisë apo zhurmës së muzikës orjentale gjoja tradicionale Shqipe KËRCENIN! E gjitha kjo më largonte akoma më shumë derisa në 2013 isha pjesë e Dancing Ëith The Stars, një eksperiencë që zgjati pak javë, që më la shije shumë të mirë por që më erdhi në një periudhë jo të mirë jetësore. Pasi thyva paragjykimet që kisha ndaj kërcimit jeta vazhdoi qetë por jo kërcyshëm. Fati, energjitë u rrokullisën dhe më sollën në Dance Albania, në një periudhë totalisht tjetër të jetës sime; në një moment që formatin apo kërcimin po e shijoj shumë. Jam shumë i lumtur që produksioni më bëri ftesën dhe vërtetë po kuptoj që një mendje e qetë dhe kanalizim energjish në mënyrën e duhur s’e bën dot me një trup të ‘ vyshkur’ dhe kërcimi është kura më e mirë për një mendje produktive.
Gjatë realizimit të një koreografie Kastro numëron hapat nën zë, apo çfarë mendon?
Jo, asnjë nga këto. Më vjen natyrshëm se më ka ndihmuar shumë fakti që kam prodhuar e orkestruar shumë këngë; unë e quaj atë proces si ‘një tufë me masa’ që rrjedhin.
‘The time of my life’ është kolona zanore me të cilën konkurentët bëjnë sfidën e eliminimit. Kastro si mund ta përshkruash periudhën që po jeton tani?
Nëse ne Dance Albania ajo këngë të përcakton fatin tënd në program mua më kujton disa ditë dimri të fillim viteve 90’ kur isha i vogël, rrethuar nga shumë dashuri në familje dhe gëzimin se divanet do të visheshin me copë të re dhe unë më në fund do të merrja “Rambo- n” tim, videolojën që e ëndërroja. Ja, po me aq shumë dashuri është e mbushur edhe kjo periudhë që flasim…vetëm se 30 vite informacion më shumë.
Kemi parë së fundmi një Klevis Bega të ndryshuar si fizikisht ashtu edhe duket se psikologjikisht. Si po shkon ‘bashkëjetesa’ me këtë Kastron e ri?
Për efekt komercial u detyrova t’i vija një emer e nr ( Kastro 2.0 ) por në fakt nuk ka bashkëjetesë, por një jetesë të vetme si të Klevisit apo Kastros, që në fakt shërbejnë si alterego e njëri tjetrit. Këta 2 të fundit kishin shoqëri të ndryshme, u desh thjesht që të krijonin shoqëri të përbashkët!
Ka diçka që të mungon nga Kastro i disa viteve më parë?
Njeriu kujton vetëm gjysmën e gjërave që pretendon se kujton. Më mungojnë ndoshta disa gjëra që në fakt nuk kanë ndodhur dhe janë pjellë e fantazisë sime.
Një mbrëmje gjatë spektaklit the se mosha 38 vjeçare të gjeti në një periudhë reflektimi. Për çfarë konkretisht ke reflektuar?
Reflektimi mbi pozitën që ke në botë. Unë jam qenie shumë e ndërlidhur, që ndikoj në fatët e shumë njerëzve, në mos në më të rëndësishmit fëmijët e mi, familjarët dhe miqtë që përbëjnë projeksionin tim në Tokë. Meditimi dhe rimodelimi i vetes “mpreh” trupin dhe mendjen.
Më e shëndetshme është të mësosh nga gabimet e të tjerëve apo të tuat? Meqë jemi këtu cili është gabimi më i madh në jetën tënde? A ka ndonjë syresh që nëse kthehesh pas do ta ribëje?
E rëndësishme është të mësosh. Gabimi si koncept është i lidhur me rethanën dhe në bazë të saj krijohet apo është vetë pjesë e shkak pasojës kështuqë mirë është ta kesh si informacion. Njeriu vepron në varësi të rrethanave kështuqë vjen një pikë apo moshë në varësi se sa ke jetuar që vetëm emrat ndryshojnë, historitë janë të njëjta. Kam bërë shumë gabime. Ato janë pjesë e së shkuarës. Ndoshta nuk mund të ndreq disa gabime por mund të hap porta lumturie njerëzve që u kam shkaktuar dhimbje. Gjërat duhet të shkonin kështu siç kanë shkuar…
Gjithmonë e më shumë po shohim personalitete VIP të cilët ndajnë me publikun copëza jete të cilat përbëhen nga probleme të shëndetit mendor, vuajtjen nga bullizmi, luftën ndaj alkoolit drogës apo veseve të tjera të pashëndetshme. Në ç’mënyrë mendon se i shërbejnë njerëzve të thjeshtë këto rrëfime?
Njerëzit ‘e thjeshtë’ të lënë rakinë, të punojnë dhe projektojnë të ardhmen e tyre. Të investojnë te fëmijët dhe brezi i ri se po rritet një brez hibrid dembel. Unë dua të ndikoj për mirë, dua që ata të më besojnë se jam i vërtetë në atë që kam kaluar, nëse i shërben mirë, në të kundërt më mirë!
Më thuaj një ‘life quote’ të cilën e përdor shpesh?
Kur je bariu i një tufe Ujqërish, Delet flenë jashtë dhe qumështi del i prishur.



















