Nga Nada Biraçi
Fotografia: Endrit Mërtiri
E lindur dhe e rritur në Chicago në një familje tipike shkodrane, Cindy Marina u edukua me tradita e kulturë shqiptare. Familja Marina kishte një rregull të prerë: Nëse nuk flisje shqip në shtëpi, askush nuk do të të përgjigjej…Prindërit sportistë trashëguan tek e bija gjenet e bukura e po ashtu pasionin për sportin. Ndonëse ka pamjen e elegancën e princeshave të Disney-t, me të veshur një palë tuta Cindy di të kthehet në një sportiste me grintë dhe ambicje fitueseje ndërsa shënon pikët në rrjetën e volejbollit. Së fundmi e shohim teksa javë pas jave në Dance Albania shndërrohet herë si një Hirushe në vals, e herë në një ‘femme fatale’ në një tango. E pas çdo performance, kur është në pritje të vlerësimit të juries, Cindy me përulje dhe tejet e çiltër thotë një ‘falemners’ në dialekt shkodran që ja shton edhe më hijeshinë…
Të njohim si modele dhe volejbolliste; por pak dimë për jetën e Cindy Marina. Si ka qenë fëmijëria jote? Çfarë kujton me nostalgji nga ajo kohë?
Sa herë mendoj për fëmijërinë time mbushem me kujtime shumë të bukura. Unë kam lindur në Chicago të SHBA-ve dhe kam jetuar atje deri 5 vjeçe. Më pas bashkë me familjen jemi transferuar në Californi. Atje janë edhe kujtimet e para që kam. Jam rritur në një lagje me shumë fëmijë, të cilët u bënë shokët e shoqet e mia, me të cilët kam ndarë lojërat e asaj moshe. Ndoshta jam ndër brezat e fundit që jam rritur në një periudhë ku teknologjia nuk kishte pushtuar moshën më të bukur për çdo njeri, fëmijërinë. Për fat do të thoja. Mbaj mend që gjithmonë pas shkolle mblidheshim tek lagjja dhe bënim lojëra nga më të ndryshmet, nga përpjekjet për t’u bërë sportiste të mira, herë me dëshirën për t’u bërë futbolliste, më pas vollejbolliste…Më kujtohet që krijuam një mënyrë shumë të bukur për të siguruar para për të blerë akullore. Bashkë me shoqet bënim çajra të ndryshëm e më pas ja shisnim prindërve (Qesh). Vegjëlia ka qenë një ndër periudhat më të bukura të jetës time, kujtime të cilat i ruaj me fanatizëm në memorien time. Edhe pse familja ime është transferuar nga ajo lagje, sa herë kthehem në Californi nuk le rast pa e vizituar. Të gjithë e kemi të domosdoshme besoj të rikthehemi herë pas here në periudhën e fëmijërisë.
Cindy ndihet më komode dhe vetja nën tutat e volejbollit apo nën një veshje prej modeleje?
Gjithmonë më komode janë tutat sigurisht (Qesh). Përtej shakave, vollejbolli ka qenë përherë pasioni im më i madh. Gjithë jetën time jam stërvitur përditë, ka pasur raste edhe më shumë se një herë në ditë, me ëndrrën që të bëhesha vollejbolliste profesioniste dhe ndoshta një ditë do të përfaqësoja vendit tim. Pas shumë vitesh perpjekje e gjeta veten në një moment që i kisha realizuar të gjitha ato që unë doja në aspektin sportiv. Bashkë me pandeminë dhe ndërprerjen sportive për shkak të saj, ëndrra të reja në aspektin profesional filluan të ndizen tek unë. Karriera si modele sikur po më thërriste më fort ku edhe më pas më erdhi dhe oferta nga Shqipëria për të qenë prezantuese për kampionatin italian të futbollit për Tibo dhe Oversport. Pas gjithë jetës sime të kaluar në SHBA më erdhi mundësia të transferohesha në Europë, midis Italisë dhe Shqipërisë për një karrierë që nuk mund t’i thoja jo. Dhe tani ja ku jam, duket se për momentin kam zgjedhur rrobat e modeles dhe prezantueses, por tutat e sportit nuk i kam hedhur. Madje besoj se mund t’i rivesh sërish.
E lindur dhe e rritur në Chicago ndërkohë që ke një shqipe perfekte. Ka ndikuar familja duke folur shqip në shtëpi apo edhe ti vetë ke patur vullnetin e mirë për të mësuar gjuhën amtare?
Këtu merita eshte 100% e prindërve të mi. Në shtëpi kishim një rregull; jashtë shtëpie mund të flisje çfarë gjuhe të doje, por brenda saj nëse nuk flisje shqip nuk do të të përgjigjej askush. Shqipja që unë kam mësuar ka qenë pa libra, por thjesht nga të dëgjuarit e prindërve të mi. Sigurisht një gjuhë e mësuar në kushte të tilla nuk mund të jete ndoshta perfekte. Kur kam ardhur në Shqipëri për herë të parë, shoqet më pyesnin nëse isha nga Shkodra për shkak të dialektit që kisha. Në fillim nuk e kuptoja nga e dallonin, por më vonë kuptova se flisja një shqipe me theks shkodran (Sepse kisha mësues shkodranë në shtëpi (Qesh). Sa më shpesh vija në Shqipëri aq më shumë e përmirësoja dhe këtu po shfrytëzoj rastin të falenderoj Andi Begollin, një regjisor shumë i talentuar dhe një djalë i shkëlqyer i cili më ka ndihmuar shumë me përmirësimin e mëtejshëm dhe me të folurën skenike.
Çfarë u bënte më shumë përshtypje shoqërisë tënde amerikane në familjen shqiptare Marina?
I bënte përshtypje se si shtëpia jonë ishte gjithmonë e hapur për njerëz dhe sa mikpritës ishim si familje. Gjithmonë shoqet vinin te shtëpia ime dhe aty mund të haje ushqime nga më të shijshmet dhe tradicionalet si byreku apo petullat (që janë edhe të preferuarat e mia).
Të kujtohet kur ke nisur të ndërgjegjësohesh për faktin se je një vajzë e bukur? Je ndjerë ndonjëherë jo mjaftueshëm e bukur?
Çdo vajzë e vogël rritet me dëshirën që një ditë të jetë ‘më e bukura’. Gjithsecili prej nesh ka ditët e veta të mira dhe të këqija. Por duke u rritur kupton dhe ndërgjegjësohesh se bukuria e vërtetë, ajo që nuk ikën kurrë është ajo që ti investon në vetvete. Është ajo që ti je. Është ajo që ti ke studiuar, punuar, jetuar, ëndërruar, është ajo çfarë ti ke bërë për veten, ajo që askush nuk mund të ta heqë asnjëherë. Ajo është bukuria që nuk ikën kurrë.
Pse zgjodhe ta zhvillosh karrierën tënde në Shqipëri?
Ishte një vendim jo i planifikuar. Mora ftesën nga Tibo dhe Oversport për të prezantuar kampionatin Italian pasi kisha përfunduar studimet në ‘University of Southern California’. Mosha dhe periudha në të cilën isha më jepnin luksin të merrja vendime të forta, duke shtuar këtu edhe dëshirën që kisha për ta jetuar Shqipërinë më bënë që të pranoja ftesën dhe të spostohesha mbi 10.000 km larg shtëpisë sime.
Do ta konsideroje të shpërnguleshe përgjithmonë në Shqipëri; të krijoje familje këtu?
Përgjithmonë është një fjalë e madhe. Por mosha dhe dëshirat e mia më shtyjnë gjithmonë drejt sfidave të reja. Unë e shoh veten më shumë si një “Citizen of the world” si një qytetare e botës dhe do të doja të kisha edhe eksperienca të tjera. Me këtë nuk dua të them që nuk do të doja të ndërtoja familjen time në Shqipëri, por sot është ende herët për të marrë një vendim.
Meqë jemi tek krijimi i familjes; je shprehur që zemrën ta ka marrë Genar Topalli. Si po shkon kjo romancë?
Po shkon shumë mirë. Është një marrëdhënie e cila është ndërtuar hap pas hapi dhe në të cilën secili nga ne përpiqet të nxjerrë më të mirën nga tjetri.
Çfarë të pëlqeu më shumë tek ai në fillim të lidhjes dhe çfarë vlerëson më shumë tani që lidhja juaj është e konsoliduar?
Në fillim më pëlqeu humori i tij dhe fakti që ishte tip sportiv dhe i komunikueshëm. Një ndër gjërat kryesore që vlerësoj tek Genari tani është sinqeriteti dhe shumë vlera të tjera njerëzore që ai ka. Gjithashtu dhe fakti që përpiqet të nxjerrë gjithmonë më të mirën tek unë.
Prej disa javësh të shohim në Dance Albania. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty?
‘Dance Albania’ është një ndër eksperiencat e mia më të bukura. Gjithmonë kam patur dëshirë të mësoja të kërceja në mënyrë profesionale dhe ja ku mu plotësua kjo dëshirë. Mundësia që të mësoj nga profesionistë një shumëllojshmëri tipesh kërcimi ka qenë një fat i madh. Ndihem shumë e kompletuar nga kjo sfidë që kam ndërmarrë dhe e ndjej që kam marrë po aq shumë sa edhe kam dhënë. I jam mirënjohëse produksionit për mundësinë dhe partnerit tim të kërcimit për durimin dhe dashamirësinë e treguar.
Duket se edhe në kërcim nuk je aspak keq! Nga të buron kjo energjia për të bërë çdo gjë mirë?
Në çdo sfidë që marr gjithmonë përpiqem të jap angazhim maksimal dhe të jap çdo gjë nga vetja. Besoj që limitet tona janë ato që ne i vendosim vetes. Unë përpiqem t’i thyej ato limite në mënyrë të vazhdueshme. Një ndër gjërat kryesore që më motivon është që të jap maksimumin dhe këtë jo për të fituar një garë, apo për të qenë më e mira por për arsyen e vetme që të mos bëhem kurrë pishman për diçka që nuk e bëra si duhej, apo nuk u përpoqa ta bëja fare.
Vallëzon shpesh me Genarin? A keni një këngë ‘tuajën’?
Nuk mund të them që vallëzojmë shpesh por kemi një këngë bashkë që e vallëzojmë çdo herë që e dëgjojmë…, por do e mbaj për vete këtë këngën (Qesh)
Botuar në BORDO,Dhjetor-Janar 2023