
Lura e zambakëve
Udhëtim në lartësinë mbi 2 mijë metra mbi nivelin e detit, aty ku qielli reflektohet mbi sipërfaqet e kristalta të 12 liqeneve që nuk janë aspak legjenda, por një mrekulli e rrallë e natyrës…
“Kush nuk ka parë Lurën, nuk njeh Shqipërinë”, kështu është shprehur shkrimtari At Gjergj Fishta, për një nga perlat e bukurisë së Shqipërisë. Një vend i largët nga qytetërimi modern, por ende i mbushur me mistere e legjenda që udhëtojnë përmes shekujsh, një destinacion i paeksploruar që pret të zbulohet. Lura është një perlë e tipit alpin, me pyje të dendur e të errët halorë, me 10 fshatrat e saj të vendosura në pllaja e lugina, me një bukuri të jashtëzakonshme, e cila ngjan sikur vjen nga kartolinat e Zvicrës.
E nëse paradisa viteve banorët ikën nga ky terren i ashpër, së fundmi ata u janë rikthyer kullave me çatitë e kuqe, një pjesë e të cilave presin turistë nga Shqipëria dhe e gjithë bota. Pyje halore, të gjelbër në të gjithë stinët, një numër i madh liqenesh, të gjitha që furnizohen me ujërat e majave të maleve, e një faunë e rrallë, e bëjnë Lurën të konsiderohet një projeksion përtej imagjinatës. Pikërisht për ata që duan të përjetojnë ndjesi të reja, ky vend është ideali për një udhëtim në fundjavë.
Lura shtrihet në Malësinë e Lurës, një kurorë e gjelbërt e dekoruar me një gjerdan prej plot 12 liqenesh, ku të gjitha së bashku krijojnë një Park Kombëtar, ndër më të mëdhenjtë e më mbresëlënësit. Udhëtimet në këtë zonë janë larg kontakteve me njerëzit, një zonë ku natyra mbretëron nga qielli deri tek ujërat e thellë të liqeneve. Lura është një nga fshatrat më të vjetër të Shqipërisë. E gjithë rruga deri në qendrën e fshatit të Lurës zgjat 4 orë e 30 minuta, e më pas nëse keni zgjedhur të shkoni në ndonjë bujtinë, shpesh mund të
ecet edhe me këmbë, ndaj merrni me vete këpucë sportive. Para se niseni për të udhëtuar drejt Lurës, duhet të prenotoni një vend ku mund të qëndroni: akomodimi në bujtinat e zonës është vendi i duhur për të përqafuar traditën, kulturën dhe autenticitetin e kulinarisë. E nëse doni vërtet që të vizitoni gjithçka dëshironi, 2 deri në 3 ditë janë mëse të nevojshme për t’u planifikuar.
Parku Kombëtar i Lurës shtrihet në malësinë e Lurës dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1300 hektarësh, një territor shumë i thyer prej nga rrjedhin përrenj dhe lumenj me origjinë akullnajore, mes të cilëve Seta, Uraka dhe Malla e Lurës. Parku shtrihet përreth malit Kurona e Lurës, e cila gjendet në lartësinë 2121 metra mbi nivelin e detit. Pyjet që zbresin tatëpjetë nga maja deri buzë liqeneve, janë kryesisht ahe, që formojnë edhe një kurorë të dendur me pyje, por nuk mungojnë as drunorët e tjerë të rrallë si: rrobulli, pisha e zezë dhe pisha e bardhë, të vendosura mbi lartësinë 1700 metra.
Nga fshati Lurë për të arritur deri te liqenet e bukura, do të befasoheni nga pyjet me pisha dhe lugjet që vrapojnë nëpër shtigje që ndalin në ujëmbledhës, sipërfaqet e të cilëve reflektojnë të kaltrën e qiellit e cila shprishet herë pas here nga e bardha dhe e verdha e zambakëve që ngrejnë kryet që me lindjen e diellit.
Nuk ka dyshim që ato që e bëjnë edhe më të bukur këtë zonë janë liqenet. Në të gjithë zonën gjendet 12 liqene, të cilat quhen ndryshe liqenet e Lurës, por për vendasit disa prej tyre kanë emra që lidhen me histori mitike. Ajo që e bën më interesant këtë udhëtim, sidomos nëse kaloni nga njëri liqen në tjetrin, është fakti se ju duhet të kaloni nëpër shtigje të mbushura me rrëfenja, të cilat do ta bëjnë akoma më zbavitës rrugëtimin nëse keni zgjedhur një guidë vendas. Disa nga liqenet më të njohura janë: Liqeni i Madh, Liqeni
e Zi, Liqeni i Lopëve, Liqeni i Rrasave, Liqeni i Hotit apo Liqeni i Luleve.
Liqenet shtrihen në shpatin lindor, në pragun e Nezhdës së Lurës, duke bërë që të gjitha ujërat të furnizojnë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë këta ujëmbledhës natyralë me ujë. Liqeni i Madh, ashtu siç e përkufizon edhe emri, është më i madhi mes 12 liqeneve dhe gjendet në lartësinë e 1600 metrave të malit të Kurorës së Lurës. Ky është një liqen akullnajor me ujë të kristaltë, ndërsa Liqeni i Zi, dallon për faktin se është më i thelli i të gjithë parkut, duke e bërë kështu që të ketë ujëra të errët. Ajo që bie në sy në pjesën dërrmuese të liqeneve, sidomos në periudhën e verës, është se sipërfaqja e tyre mbulohet nga zambakët e ujit, kryesisht ato me ngjyrë të bardhë, të cilët mbulojnë tërësisht ujërat duke dhuruar një peizazh spektakolar.
Zambaku i bardhë i ujit që rritet në Lurë është një lule e rrallë e mbushur me legjenda të shumta të zonës. Kjo lule rritet në ujëra me thellësi deri 1.5 metra, ka 20 petale të cilat çelen në mëngjes dhe mbyllen në mbrëmje, duke u zhytur pjesërisht nën sipërfaqen e ujit dhe është më e dukshme gjatë periudhës qershor deri në shtator, kur edhe lulëzon për shkak të rritjes së temperaturës së ujit. Kjo zonë ka një florë dhe faunë nga më të rrallat e vendit tonë, ku spikat ariu i murrmë që është kafsha grabitqare më e madhe dhe arrin në
2 metra lartësi, dhe peshon deri 200 kilogramë. Specie të tjera të rralla janë rrëqebulli, kaprolli dhe gjeli i egër.
Nëse keni vendosur të zbuloni më shumë këtë zonë, Bjeshka e Gramës është një prej tyre, me një panoramë me kullota të pafundme dhe pyje alpine, ku spikat mali i Bardhë për shkak të formacionit prej gipsi, ndërsa po aty pranë gjenden Pasqyrat e Gramës të cilat janë depozita seleniumi që pasqyrojnë rrezet e diellit, duke krijuar një spektakël ngjyrash. Një prej fshatrave më unike të kësaj krahine është Rabdishti, i ndërtuar i gjithi prej shtëpish të gurta me çati prej rrasa gurësh, një arkitekturë tipike e zonës, e ruajtur me
fanatizëm nga banorët vendas. Kullotat e kësaj zone dikur ishin vendi ku familja e kastriotëve mbarështonte kuajt, prandaj ende sot ato njihen me emrin si “lëndinat kastriote”.
Gastronomia
Nuk do ta besoni, por gastronomia e zonës së Lurës është vërtet unike dhe krejt ndryshe nga ajo që karakterizon kuzhinën tradicionale të veriut të Shqipërisë. Një prej pjatave më të dashura është flija e shoqëruar me mish qengji ose keci, produkte vendase që vijnë direkt nga fermat e zonës. Po ashtu mund të provoni edhe produkte si djathi apo kosi i freskët. Sofra dibrane është e mbushur me gatime tipike shtëpie, petullat e shtëpisë, bukën e mbrume, gjizë e gjalpë, e deri te turshitë.
Mos ikni pa provuar jufkat me pulë, një gatim i thjeshtë, dedikuar miqve të sofrës së çdo dibrani. Provoni edhe mishin e qengjit të pjekur në prush ose në saç, po ashtu edhe verën e kuqe. E kur vjen fjala për ëmbëlsira, më të njohurat janë revania dhe shëndetlia me arra, të cilat janë një prej produkteve tipike të zonës.

LEONARDO DICAPRIO: KAM ENDE SHUMË ËNDRRA…







Horoskopi Ditor, e diel 26 shkurt 2023






Horoskopi ditor, e shtunë 25 shkurt 2023





