KreuCelebrity

Rikthimi i Jennifer Lawrence pas trazirave emocionale!

Rikthimi i Jennifer Lawrence pas trazirave emocionale!

Rikthimi i aktores pas një periudhe pauze, trazirash emocionale dhe zhgënjimesh në karrierë, ardhja në jetë e djalit, si dhe suksesi i fundit filmi “No Hard Feelings”

Dy vjet më parë, në një intervistë për “Vanity Fair”, aktorja Jennifer Lawrence, tregoi se braktisi papritmas karrierën e saj si aktore, sepse ndihej bosh. Ishte një ndalesë e paparashikuar, e cila i la pa fjalë të gjithë.

Përgjigjja e saj dukej mëse e justifikuar. “Nuk po merrja cilësinë që duhej të kisha në sheshxhirim. Mendoja se të gjithë po mërziteshin me mua. Ndihesha shumë keq. Arrita në pikën ku nuk mund të bëja asgjë siç duhet. Në fund të filmit, nëse do të ecja në tapetin e kuq, mendoja se kritikët do të thoshin: Po ajo pse nuk po vrapon? Nuk bëri ndonjë gjë të madhe në këtë film”.

E në fakt, gjithë ky justifikim është bindës, kur tani aktorja e rikthyer sërish në sheshxhirim, arriti të bindë publikun, se ishte plotësisht e gatshme për një film ku mundi të jepte gjithçka. Filmi titullohet “No Hard Feelings”, me regji dhe bashkëskenar nga Stupnitsky, është një komedi e cila padyshim sjell një Jennifer të shfrenuar, të freskët dhe plot humor. Është kënaqësi të shikosh aktoren, duke përqafuar aftësitë e saj dramatike me batuta e situata, që do t’ju bëjnë të mbani barkun me dorë. Fundja, kjo është Jennifer që të gjithë duan: super talent.

Filmi “No Hard Feelings” erdhi pas një periudhe të vështirë, pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme në kinematografi, Jennifer sapo kishte sjellë në jetë djalin e saj dhe nuk po planifikonte të punonte. “Lexova skenarin dhe kam qeshur shumë. Ishte gjëja që më ndryshoi tërësisht planet dhe vendosa ta pranoj”, thekson aktorja.

Filmi flet për një grua 32-vjeçare, e cila është në prag të humbjes së shtëpisë së saj pasi përjeton shumë probleme financiare. Në kërkim të zgjidhjeve, ajo gjen një ku duhet të takojë një djalë introvert 19-vjeçar, në një përpjekje për ta nxjerrë atë nga guaska e tij përpara se të niset për në kolegj. Filmi ka aq shumë humor, sa do të dyshoni nëse aktorja që po shihni është apo jo vajza e roleve dramatike. Apo diçka ka ndryshuar në jetën e aktores? Ndoshta po, ndoshta jo?

Aktorja, e cila vitin e shkuar u bë mama me bashkëshortin e saj, galeristin e artit Cooke Maroney, duket se kishte zgjedhur të jetonte e vetme atmosferën e mëmësisë së re. Në fund të qershorit, shkova në shtëpinë e saj në Beverly Hills. Ajo më përshëndet, e veshur me një mantel gri deri te gjuri dhe me pantofla të bardha me gëzof. Ndërsa hap një shishe verë të bardhë, ajo kujton se periudha e shtatzënisë ishte shumë ndryshe nga sa e kishte imagjinuar. Duke patur parasysh se kishte abortuar kur ishte në fillim të 20-tave, ndërsa xhironte “Don’t Look Up”, kjo frikë ishte rritur kur ndjesia e mëmësisë te të 30-at, përzihej me kujtimet e trishta. “Kam patur një shtatzëni shumë me fat. Çdo sekondë e jetës sime ishte ndryshe”, kujton ajo, ndërsa tashmë djali Cy duket se tani e ka qetësuar jetën e saj.

Nga viti 2018, Lawrence është një nga aktoret më të paguara në botë, fituese e çmimit Oscar, e cila ngjiti shkallët e karrierës duke mbledhur trofe pas trofe, duke e forcuar më tej imazhin e saj publik si ylli i kinemasë. Por katër filmat e saj të fundit, rezultuan të ishin zhgënjyes për kritikët dhe arkëtimet. “Unë po nxisja veten të kisha më shumë cilësi, por ishte e pamundur. Ndihesha e lodhur. Ndërsa xhiroja një film, paralelisht isha duke u përgatitur për tjetrin. Ndihesha kaq bosh”, tregon aktorja kaq e talentuar, me një zë të trishtuar. Nuk e mohon se po ndihej sikur kishte arritur në një pikë ku njerëzit nuk ishin të kënaqur nga ekzistenca e saj, ndaj vendosi të gjente një lloj paqeje me shpirtin e saj. Tani duket se pas kësaj paqeje me veten, gjithçka ka rinisur nga e para; Jennifer është rikthyer me plane në kinematografi, por njëkohësisht nuk e mohon se djali dhe familja e saj, do të jenë një vëmendje e shtuar. Dielli i ditëve të saj momentalisht është djali Cy, i cili më shumë se tani ka nevojë për përkujdesjen e mamasë së tij. “Ai sapo filloi të buzëqeshte disa muaj më parë dhe tani shkrihet gazit kur ne luajmë bashkë. Para pak ditësh, ai provoi avokadon për herë të parë dhe nuk pushoi së qari”, rrëfen ajo.

Jennifer Lawrence do të fillojë të bëjë filma sërish këtë vjeshtë, por gjithçka do të ketë plane afatshkurtër, pasi familja është mbi gjithçka për të. Pas xhirimeve premierës së filmit të fundit “No Hard Feelings” që ka nisur të shfaqet në kinema, ajo do të udhëtojë në sheshxhirimet e “Sue”, një biografi dedikuar agjentes së Hollivudit Sue Mengers, me regji të Paolo Sorrentino.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF