Aktorja franceze Emmanuelle Béart, që luajti në filmin Mission: Impossible të vitit 1996, zbuloi në një dokumentar të ri se i mbijetoi abuzimit seksual në fëmijëri. Dokumentari ku Béart, 60 vjeçe, ndan historinë e saj personale, do të transmetohet në një kanal francez më 24 shtator.
Aktorja thotë në dokumentar, sipas gazetës britanike ‘The Times’, se një anëtar i familjes, të cilin ajo nuk e identifikon, abuzoi me të për katër vjet, ndërsa prindërit dhe miqtë e saj nuk e vunë re. Ajo përshkroi rastet e sulmit që ndodhën kur ajo ishte 11 vjeçe.
Ishte gjyshja e Beart-it e cila përfundimisht e “shpëtoi” atë, kujton aktorja. “Nëse gjyshja ime nuk do të kishte ndërhyrë, nëse nuk do të më kishte futur në tren për të më çuar të jetoja me babanë kur isha 15 vjeçe, nuk e di nëse do të kisha mundur të jetoja”, tha ajo.
BBC News raportoi se drejtoresha e dokumentarit Anastasia Mikova tha se sulmuesi i supozuar nuk ishte babai i Béart, këngëtari Guy Béart, i cili vdiq në vitin 2015 në moshën 85-vjeçare.
Béart gjithashtu dha një intervistë për “Elle France”, duke shpjeguar pse ajo vendosi të ndajë historinë e saj tani dhe pse nuk kishte paraqitur më parë një kallëzim penal. Ajo tha se abuzimi seksual në fëmijëri është një “dukuri me përmasa të pabesueshme” dhe “çdo histori është unike”.
“Unë nuk jam viktimë dhe ky nuk është një film për viktimat. Është një film për qeniet që kanë qenë viktima dhe që po luftojnë. Unë kam jetuar jetën time, por ai [inçesti] nuk të lë kurrë; nuk ikën kurrë. Mund të vraposh sa të duash, të krijosh, të bëhesh nënë, të kesh një punë fantastike”, tha Béart, për The Times.