Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku një përleshje mes dy adoleshentëve ka përfunduar fatale.
14-vjeçari me iniciale M.C. u godit me thikë në zemër dhe për shkak të plagëve të rënda, ndërroi jetë në spital. Konflikti mes dy adoleshentëve filloi brenda shkollës dhe më pas u zhvendos jashtë saj.
Gjatë përplasjes mbeti i plagosur edhe autori i ngjarjes, po ashtu 14-vjeç, i cili ka marrë disa plagë me thikë në gjoks, por ndodhet në gjendje të qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetën.
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qemal Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.



















