KreuCelebrity

Albana Leka, gjithmonë kundër rrymës!

Albana Leka, gjithmonë kundër rrymës!

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Grimi: Delina Tagani

Ka njerëz që i ndjen që në çastin e parë, jo nga zëri, jo nga fjalët, por thjesht nga prania. Albana është një prej tyre. Nuk ka nevojë të bëjë shumë zhurmë për të të bërë të kthesh kokën. Mjafton mënyra si qëndron, mënyra si ecën, si vishet, flokët, që për violinisten Albana Leka janë më shumë se një zgjedhje estetike, janë një deklaratë. Janë identitet. Ata që e njohin e dinë mirë se Albana është një grua që nuk ka asnjë lidhje me kompromisin dhe nuk është thjesht dikush që guxon me stilin, por ajo është një grua që ka vendosur të jetë vetvetja, pavarësisht çmimit.

“Që nga mëngjesi e deri në darkë, ndjej sytë e njerëzve mbi mua”, tregon artistja për “Bordo” duke qeshur me lehtësinë e dikujt që është mësuar me vëmendjen, por nuk e kërkon. “Flokët, veshja… më shohin ndryshe. Por nuk më bën përshtypje. Jam pa komplekse”. Në një kohë kur shumica e grave sillen rreth ideve klasike të feminitetit, Albana zgjedh të ecë në drejtim të kundërt. Flokët e saj shumë të shkurtër nuk janë thjesht estetikë janë një sfidë ndaj normave, një akt guximi.

Albana Leka, gjithmonë kundër rrymës!

"Kam marrë kaq shumë komplimente për flokët”, thotë ajo. “Shumë gra më thonë që do të donin t’i kishin kështu si unë, por nuk guxojnë. Unë kam fatin që forma e kokës dhe tiparet ma lejojnë. Dhe nuk i kam patur kurrë të gjatë që kur isha pesë vjeçe!”. Ajo nuk ndjek trende, por i krijon vetë. “Nuk më intereson fare çfarë është në modë. Nëse pasarelat në Milano apo Nju-Jork sugjerojnë një “x” trend, unë do të vishja pikërisht të kundërtën. Jam trendi i vetes sime”, thotë me një bindje që nuk le vend për dyshim. Tek Albana nuk ka vend për klishe. Veshja për të nuk është “çfarë ka në dollap”, por “çfarë ka në shpirt”. Nuk ndjek rregulla, nuk mat tonalitete me kujdes matematikor. Asaj i pëlqejnë ngjyrat, shumë ngjyra dhe i përzien si një artiste që krijon instinktivisht, jo me kalkulim.

“Nuk rri shumë të mendohem çfarë të vesh”, më tregon. “Jam spontane. Dhe shpesh, ky spontanitet del të jetë edhe pika ime e fortë”. Violinistja e njohur e ka ruajtur këtë frymë origjinale që në kohën e komunizmit, një periudhë që e detyronte individin të fshihej pas uniformitetit.

Albana Leka, gjithmonë kundër rrymës!

“Edhe atëherë isha kundër rrymës”, më tregon. “Funde të shkurtra, flokë ekstravagantë. Nuk më ka interesuar kurrë opinioni i njerëzve. Dhe për pasojë, jam paragjykuar gjithë jetën”. Por ky qëndrim nuk e ka lodhur. Përkundrazi, e ka bërë më të fortë, më të qartë në rrugën e saj. Ajo nuk është përpjekur asnjëherë të përshtatet me botën, e ka bërë botën të përshtatet me të. Albana është po aq ekstravagante edhe në punën e saj si instrumentiste. Përveç angazhimeve në skenën klasike si anëtare e trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit, Albana Leka ka ndërtuar një profil mjaft të veçantë si “violin show girl”, duke kombinuar muzikën klasike me performanca moderne dhe vizuale së bashku me kolegen e saj Ines Memishaj. Nëse ka një shembull të bashkëpunimit të qëndrueshëm në skenën artistike, ai është dyshja Albana Leka dhe Ines Memishaj. Të dyja, të pandara në evente dhe gëzime familjare, ato ruajnë një lidhje që tejkalon profesionalizmin. 

"Jemi shumë të ndryshme si karaktere”, thotë Albana, “por kemi të njëjtën energji. Kemi një lidhje telepatike magjike, nuk kemi nevojë të flasim. E kuptojmë njëra-tjetrën me sy. Albana nuk është vetëm një grua me stil. Ajo është një artiste në kuptimin më të pastër të fjalës. Për të violina është zëri i saj i dytë ose ndoshta i pari.

“Violina ndjek çdo emocion timin”, më thotë. “Kur jam e mërzitur, mjafton ta kap në dorë dhe shpirti më qetësohet si me magji”.

E pyes në fund: nëse violina do të ishte një ndjenjë, cila do të ishte?

“Një qetësi që të pushton ngadalë… dhe nuk të lëshon më”. 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF