Destini është ajo që parashikon rrugën e çdo njeriu. Për Akil Krajën, i cili studioi larg vendit të tij, gjithë investimi dhe formimi ishin gjithçka për t’u përgatitur për atë që ai aspiron sot, një vend në parlamentin shqiptar. Po kush është Akili përtej petkut të një politikani. Kush e frymëzon dhe motivon përditshmërinë e tij. Në këtë bisedë për BORDO ai rrëfen për veten, bashkëshorten dhe vajzën e vogël, që ka plotësuar portretin familjar të Akilit.
Akil, mirë se erdhe në “Bordo”! Je gati për të mos folur për politikën?
Kur jeton me politikën nuk është e lehtë të mos flasësh për të, por ftesën tuaj për këtë shkëmbim e mirëprita me kënaqësi dhe ju falënderoj.
Imagjino një tjetër situatë, nëse nuk do të merreshe me politikë, si do të ishte dita jote? Çfarë pune do të bëje? Kush do të ishte profesioni yt i dytë që mund t’i dedikoheshe?
Sipërmarrja besoj. Jam një person që ushqehem nga sfidat e të përditshmes, nga sfidat e projekteve, nga sfidat e inovacionit dhe besoj që sipërmarrja që krijon do të ishte një jetë e dytë në të cilën do të gjendesha mirë.
Akil ti ke studiuar dhe jetuar plot 9 vite jashtë Shqipërisë. Çfarë ka magjike ky vendi ynë, që edhe pse e shajmë, e fyejmë, nuk na ndahet shpirti prej tij?
Familja, kujtimet e fëmijërisë, identiteti dhe përkatësia në diçka e cila të paraprin, mbi të cilën ti ke ndërtuar jetën tënde, karakterin tënd, emrin dhe gjithçka që të lidh me ty. Pas emrit e mbiemrit, a nuk është të qenurit shqiptar elementi më përkatësues i yni? Magjia është tek ajo që na përbashkon, kaq e thjeshtë dhe është në shërbim të saj që unë kam pasionin e politikës.
Politika është moto e jetës tënde, por jashtë këtij konteksti, kush janë njerëzit (autorë, shkrimtarë), filozofitë, konceptet që kanë formuar dhe te të cilët mbështetesh?
Kam përshtypjen që dhe gjërat e vogla, që nga trafiku apo kolegët e të përditshmes, ndikojnë në formimin e asaj që ne jemi. Një stres i vogël të bën një person të irritueshëm, një lagje e ndotur të bën një njeri vulnerabël, një mjedis pune toksik të bën më të dobët. Ndaj të jem i sinqertë, nuk do të doja të ndalesha te një filozofi apo autor i veçantë i cili më përcakton në atë që jam. Përtej këtij besimi krejt personal, mund të citoj autoren e librit “Growth Mindset”, Carol Dweck e cila është një kërkuese sociale që mbështet tezën se çdo njeri mund të ripërcaktojë potencialin e tij në funksion të punës ndaj vetvetes, etj..
Dashurinë ti e gjete rastësisht apo e kërkove? Si u njohe me Isin?
Isi ishte fati im, pa asnjë dyshim. Besoj te rastësia e shkruar, pra që gjërat shpesh herë janë paracaktuara. Isi më plotëson pothuajse në çdo gjë, dhe kjo përputhshmëri e jona nuk është thjesht një rastësi. U njohëm në Tiranë, në një festë, dhe prej 10 vitesh, vijojmë të jetojmë po këtu, duke shijuar çdo ditë me njëri-tjetrin.
Çfarë është gjëja më e rëndësishme, që bashkon një çift sipas teje?
Familja. Përtej emocioneve të para të çdo çifti, një lidhje merr kuptim vetëm nëpërmjet shenjtërisë së familjes, angazhimit për t’u projektuar në të ardhmen e mbrojtur të shkuarën. Dhe këtu sigurisht, Zoti e bekon një familje me fëmijët, dhurata më e vyer për çdokënd!
Çfarë vlerëson më shumë te Isi?
Energjinë dhe kurajën për t’u përballur me çdo sfidë e çdo të papritur. Është një person jashtëzakonisht shumë praktik, dinamik, me shije dhe kërkues nga vetja dhe akoma më shumë nga unë. Por mbase, më shumë se gjithçka, vlerësoj muzikalitetin e saj, në sensin e plotë të fjalës. Isi jo vetëm luan piano, kitarën e çiftelinë (e kam seriozisht), por dhe në të përditshmen e saj, në timon apo në punë, ajo jeton me muzikën në krah. Koha që kaloj me të, edhe për këtë arsye, është për mua një frymëzim!
Në këtë rrugëtim ajo të shtyn, të motivon apo të lë të lirë në vendimmarrjet e tua?
Shiko vetëm përpara, ki kurajë, e ambicie për më shumë. Kjo është Isi për mua. Mendoj që një çift i mbijeton kohës pikërisht nga forca për të lartësuar njëri-tjetrin, për t’u përmirësuar, për t’u investuar në ambiciet e pasionet reciproke, për të shijuar e u rritur bashkë, uroj për t’u pleqëruar po bashkë, siç thotë shprehja. Uroj që do të arrij t’i gjendem asaj, po aq shumë sa më gjendet ajo pranë meje, pranë ambicieve e angazhimeve të mia të shumta. Në çiftin tonë, ajo është motori ynë.
Duke qenë se marketingu është një pjesë e punës së Isit, a të sugjeron ajo për strategjinë që ti ndjek, apo ti ke ekipin tënd dhe nuk e ngatërron familjen në këtë pikë?
Patjetër! Në çdo drejtim, ajo është ‘brandi’ i familjes sonë. Edhe në fushatë por dhe në të përditshmen, idetë dhe këmbëngulja e saj rezultojnë pothuajse gjithmonë të sakta, them pothuajse pasi Isi ka të mirën që dhe di të dëgjojë, kur vjen puna për gjërat e mëdha. Dhe po, ajo është pjesë përbërëse e ekipit tonë, mami i Maria Vitorias, por dhe një mike për të gjithë ekipin tonë të fushatës, pasi ne jemi realisht një familje e madhe.
Ardhja në jetë e vajzës suaj, sa e ka ndryshuar Akilin? Në çfarë pike ke ndryshuar nëse? Çfarë ke zbuluar nga vetja përmes vajzës tënde?
Konstatoj që jam edhe më “familjar” seç mendoja dhe të them të drejtën, vajza jonë është një bekim për ne të dy, që e shijojmë çdo ditë më shumë se dita më parë! Tani jam bërë dhe më i kujdesshëm për të përditshëm, edhe më i vëmendshëm ndaj Isit dhe gjërave të vogla që më parë i neglizhoja, duke filluar që nga pazari sigurisht....
Cila është ajo fjali, ajo frazë motivuese, shprese, që ti do t’ua jepje si mesazh lexuesve tanë?
Vetvetja është pengesa më e madhe drejt suksesit, ndaj kush zotëron egon e vet, zotëron botën!