Nga Nada Biraçi
Fotografia: Andis Rado
Poezia dhe veshja për poetin Albi Lushi janë 'dy vëllezër siamezë', që luajnë rol tejet të rëndësishëm si forma të shprehjes. Si poet dhe drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve për të veshja është më shumë se një kombinim copash e ngjyrash hedhur trupit, e njëjtë si përjetimet e hedhur dhe renditur aq bukur në vargje edhe në veshje, Albi zgjedh të përçojë mesazhe.
Albi, sa e vështirë është të krijosh një stil veshje që të identifikon?
Zgjedhja e një stili veshjeje që të identifikon është e vështirë, ajo kërkon një kuptim të thellë të vetvetes dhe të asaj që të bën të ndihesh komod dhe i sigurt. Disa faktorë që ndikojnë janë personaliteti, shijet, shoqëria, dhe tendencat e modës. Me rëndësi është që veshja duhet të na bëjë të jemi unikë dhe t’i përshtatet stilit të jetës që kemi. Për të krijuar një stil që na identifikon, mund të jetë e nevojshme të eksperimentojmë me stile të ndryshme, derisa të gjejmë atë që shpreh më së miri karakterin tonë ose atë që duam të dukemi para njerëzve.
Të pëlqen t'i ndjekësh trendet, apo trendet të të ndjekin ty?
Në fakt unë jam i mendimit që “Ne e bëjmë modën”… më ka pëlqyer gjithnjë ti përshtas trupit dhe personalitetit tim një stil veshjeje, që ta mbaj me dinjitet dhe ta respektoj. Veshja ka nevojë për respekt dhe mënyra si e trajtojmë është ajo që bën diferencën. Ti s’mund të veshësh një smoking dhe të mbash duart në xhepa apo të qërosh luledielli me dhembë.
Nëse je i pasur, a mund ta blesh stilin?
Po, mund të thuhet se një person që ka para mund ta blejë një stil të veshjes që i pëlqen, se e ka luksin për të blerë marka të shtrenjta dhe veshje të stilizuara nga dizajnerë të njohur. Megjithatë, stili i vërtetë nuk është vetëm çështje parash. Ai ka të bëjë me mënyrën se si dikush i kombinon veshjet, si i mbart ato dhe si ndihet në to. Ndonëse paratë mund të mundësojnë akses në veshje të stilizuara dhe luks, një stil unik shpesh është një reflektim i personalitetit dhe kreativitetit të dikujt, jo vetëm i etiketave të markave. Ka njerëz që mund të krijojnë stilin e tyre edhe me veshje më të thjeshta, duke u fokusuar në detajet, ngjyrat dhe kombinimet që i përshtaten më së miri. Ka persona që edhe pse të “krimbur” në para, fatkeqësisht vishen si “mos më keq” sepse “Klasi është performanca e trurit që kushtëzon sjelljen dhe jo kushdo e përmbush”(aforizëm i imi).
Çfarë ka më shumë në gardërobën tënde?
Në gardërobën time ka kostume ceremonialë, sportivë, këmisha pafund me ngjyrat e mia të preferuara, bluza dhe pallto, këpucë, atlete dhe rrobat e palestrës, por pa lënë më të rëndësishmet, çorapet (shpesh edhe të grisura), por për rehatinë e thoit që më hyn në mish, bëj edhe sikur nuk e shoh hera-herës (qesh).
Nëse stili yt i veshjes do të ishte një titull poezie, si do të quhej?
Pyetje interesante kjo! Nëse stili im i veshjes do të ishte një titull poezie do të quhej “Nën dritën e ngjyrave të fshehura”. Ky titull mund të përshkruante fare mirë një stil që ka thellësi, kombinon ngjyra dhe elemente që flasin për një individ të pasionuar, që e shpreh vetveten në mënyrë të veçantë, por gjithashtu e mban një anë misterioze dhe të papritur.
Si ndihesh kur të thonë, “sa bukur vishesh!”?
Në fakt nuk janë rralla rastet kur ma thonë, por së pari bindem që nuk po “tallen”, jo se kam ndonjë kompleks për veten, por thjesht për të mos iu paragjykuar shijet. “Sa bukur vishesh” patjetër që të rrit vetëbesimin, por unë mendoj se ky lloj komplimenti veçanërisht është një dëshirë reciproke e “hedhësit” për t’ia kthyer mbrapsht.
Vishesh për t'u dukur modern apo janë mesazhe ato që përcjell përmes veshjes?
Jo, unë gjithnjë vishem për t’u ndjerë mirë me veten, këtë kam primare, por ajo ndryshon në rrethanat dhe ambientet ku ndodhem. Ndryshe kur pi një kafe në lagje, ndryshe në një restorant, ndryshe në punë, ndryshe në një emision televiziv etj., sepse ne përveçse duhet respektojmë veten, duhet të respektojmë edhe të tjerët dhe kjo është kulturë!
Poezia dhe veshja sipas teje ngjajnë? Janë ndjesi të dyja për një poet apo...?
Poezia dhe veshja ngjajnë dhe duken si “dy vëllezër siamezë”, sepse të dyja janë forma të shprehjes, që krijojnë një ndikim të thellë në perceptimin e tjetrit. Po si ndjesi, kanë ngjashmëri. Poezia shpesh është një pasqyrim i ndjenjave, mendimeve dhe botës së brendshme të poetit, duke përdorur fjalë dhe figura të bukura që mund të tërheqin emocionet dhe mendimet. Po kështu, veshja është një mënyrë për të shprehur identitetin dhe personalitetin e dikujt, por pa përdorur fjalë – ajo komunikon përmes ngjyrave, formave dhe detajeve. Në të dyja, ndjesia është në mënyrën si ndihet dhe si perceptohet. Një poet që vishet me klas, mund të krijojë një stil që pasqyron elegancën dhe fuqinë e fjalëve të tij. Po kështu, një veshje e menduar me kujdes mund të transmetojë ndjesi të ngjashme, si poezi që flitet pa fjalë. Në këtë sens, poezia dhe veshja kanë një lidhje të thellë, në atë se si të dyja mund të shprehin autenticitetin dhe emocionet pa përdorur gjithmonë gjuhën e zakonshme.
"Sytë s’ja pashë e s’ja pashë"; thua në një prej poezitë e tua. Aktualisht ç'sy sheh zemra jote?
“Sytë e së vërtetës” duhet të ndjejnë “sytë e dashurisë”, që është udhëtimi nga “sytë e ballit” në “sytë e shpirtit”! Zemra ime sheh me sytë që e shohin me të njëjtit sy!
Cili mund të ishte një aforizëm i juaji për veshjen?
”Vishuni me Dashuri, Dinjitet, Respekt dhe Mirënjohje dhe të jeni të bindur se do të shndrisni pasarelave të jetës”.