KreuCelebrity

Bukuroshja nga Tajlanda shpallet “Miss World 2025”!

Opal Suchata Chuangsri nga Tajlanda u kurorëzua Miss World në Indi, ku u mbajt këtë vit konkursi ndërkombëtar i bukurisë. Chuangsri triumfoi mes 108 konkurrenteve në konkursin që u zhvillua në qytetin jugor indian Hyderabad. Fitorja e Opal është një burim krenarie për Tajlandën, ndërsa ajo merr stafetën nga Kristina Piszková e Çekisë. Bukuroshja tajlandeze do të përfaqësojë zërin e organizatës Miss World në mbarë botën si ambasadore globale për kauza humanitare.

Konkursi i 72-të i bukurisë Miss World u prezantua nga Miss World 2016, Stephanie del Valle, dhe prezantuesi indian Sachiin Kumbhar. India ishte mikpritëse e konkursit edhe vitin e kaluar.

Miss World 2025 nisi me një paradë mahnitëse ku konkurrentet prezantuan kostumet e tyre kombëtare, e ndjekur nga një shfaqje elegante ku secila pjesëmarrëse parakaloi në skenë me fustane mbrëmjeje të mrekullueshme, të organizuara sipas kontinenteve.

Opal ka lindur më 20 mars 2003 në Phuket. Ajo vjen nga një familje me reputacion; babai i saj është pronar hoteli. Opal flet edhe dy gjuhë të tjera; anglisht dhe kinezisht. Ajo studion shkenca politike në universitetin shtetëror të Bangkokut, me fokus në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë. Bukuroshja nga Tajlanda është e angazhuar edhe në aktivizëm. Kur ishte vetëm 16 vjeçe, i është nënshtruar një operacioni serioz për heqjen e një gungë beninje në gji. Pas kësaj, ajo nisi fushatën “Opal For Her”, e cila synon të rrisë vetëdijen për shëndetin e gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit.