KreuCelebrity

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

“Ky cikël është krijuar gjatë edicionit të lajmeve. Një pjesë e madhe është përfunduar plotësisht gjatë atyre 30 minutave, ndërsa pjesa tjetër që janë pak më të detajuara, i kam prekur më pas”

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

Shumëkush e ka gdhendur portretin e Ilir Paços, si figura kryesore e lajmeve në Top Channel, si gazetarin e njohur, por shumë pak e njohin anën e tij artistike. Duket se piktori brenda Paços ka ngritur krye, duke sjellë një cikël me skica, plot 35, të konceptuara si një ditar, i cili e ka zanafillën nga lajmet, por këtë herë në një tjetër dimension, atë të artistit. Ai ka arritur që të tejkalojë imazhin, të depërtojë përtej rreshtave, duke sjellë një këndvështrim origjinal, ndjesitë artistike që vijnë drejtpërdrejt nga ngjarje apo vende të caktuara, e më pas kornizohen brenda një skice. Në këtë intervistë për “Bordo”, harroni për pak minuta gazetarin dhe njihuni përmes skicave, me artistin…!

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

Ju jeni figura qendrore e lajmeve në Top Channel, i diplomuar për pikturë dhe gazetari, ndiheni më shumë piktor apo gazetar?

Pas plot 30 vjetësh në gazetari, ndihem sigurisht më shumë gazetar. Piktori “ngre krye” herë pas here, duke më kujtuar se bota e artit është një oazë paqeje, nëse e krahason me brutalitetin e së përditshmes që pashmangshmërisht “paketohet” nga media dhe amplifikohet për t’ia ofruar publikut në këmbim të copave të tortës së stërmadhe të reklamës.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!


Ekspozita e fundit ngjan si një udhëtim në Mesdhe, nga e morët frymëzimin për këtë cikël?

Ata që merren me art e dinë shumë mirë se frymëzimi është diçka pothuajse hyjnore. Është diçka që nuk mund ta shpjegosh, siç nuk mund të shpjegohet se cili është “motori i parë” që krijoi universin dhe cili e vuri në lëvizje. Sepse çdo artist është një Krijues në miniaturë. Ky në fakt është një cikël grafikash me punë të krijuara përgjatë 1 viti, gjatë edicioneve të lajmeve. Nisi pa e kuptuar. Fillimisht skicat apo vizatimet, në fund të edicionit i lija në tryezën e studios së lajmeve dhe Vasili, (tekniku i audios) i merrte. Unë me të qeshur i thosha: “Vaso mblidhi se mbase të duhen ndonjë ditë”. Dhe kështu kaluan javë. Erdhi një episod i vogël që përcaktoi dhe fatin e këtyre punimeve, që më pas krijuan këtë ekspozitë. Pasi kisha mbaruar edicionin dhe ndodhesha në dhomën e grimit, Vasili vjen për të pyetur për diçka. Në dorë mbante skicën e asaj mbrëmjeje dhe po e paloste duke grisur pjesën e sipërme të fletës ku ndodhej koka e lajmit. Paksa i “revoltuar” si gjithkush të cilit po i dëmtohet një punim i them: “Vaso, përse e grise?”. Ai përgjigjet: “ç’e dua kokën e lajmit, skica ka vlerë”. I shpjegova se pikërisht koka e lajmit ishte vlera e shtuar e skicës, që së bashku me datën në fund të saj, e kthente çdo punë, në një lloj ditari të së përditshmes. I thashë nuk do t’i jap më skicat nga sot e tutje. Kështu nisa t’i grumbulloj dhe një ditë teksa pija kafe me një mikun tim të huaj, diplomat i një ambasade këtu në Tiranë, të cilit i tregova fotot e skicave, ai u entuziazmua dhe hodhi idenë se me to mund të hapja një ekspozitë. Kështu ajo u çel për herë të parë në Galerinë COD në Kryeministri në shtator të 2023-shit, ku qëndroi plot 1 muaj. Më pas në dhjetor në Korçë, e së fundmi në Pogradec ku do të qëndrojë deri në janar 2025. Shpresoj që udhëtimi i kësaj ekspozite të vazhdojë edhe në qytete të tjera. Besoj se radhën e ka Gjirokastra e më pas edhe në qytete jashtë vendit, si në Ulqin apo Athinë.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

Vizatimet i konceptoni si një ditar me vende dhe situata, a keni qenë realisht në këto vende?

Një pjesë e tyre janë krejtësisht fantazi. Një pjesë janë vende, ku kam qenë dhe kam shkrepur foto, të cilat i kam kthyer në skica. Një pjesë tjetër janë foto nga interneti. Gjithsesi është një pjesë e mirë e Mesdheut dhe e Ballkanit, që për mua është një hapësirë magjike, mbushur me bukuri e histori, sa mbresëlënëse aq edhe tragjike.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

A ka një vend apo ngjarje, që e keni vizatuar disa herë, e në disa këndvështrime?

Besoj se bunkeret janë diçka që i kam punuar dy herë, por edhe kishat gjithashtu.

Grafikat tuaja me vetëm 2 stilolapsa përmbajnë brenda kokat e lajmeve, përse kjo zgjedhje?

Sepse aty në tryezën e studios erdhi frymëzimi. Nuk është çështje zgjedhjeje. Është me sa duket një lloj ikjeje, një si arratisje për t’u çlodhur nga puna që bëjmë çdo ditë. Pasi hapa ekspozitën e parë në COD, një kushërira ime që punon për OKB-në në Romë, më dërgoi fotot e një ekspozite që ishte hapur në kryeqytetin italian, me skica të Bob Dilan-it mbi partiturat e këngëve që shkruante. Të njëjtën gjë ka bërë më parë edhe Edi Rama me vizatimet e tij mbi dokumentet zyrtare, që kishte mbi tryezën e punës. Është me sa duket në natyrën e njeriut që nëse ka një stilolaps në dorë dhe një letër, tenton të shprehet; ai fatlum që ka talentin si dhuratë nga Zoti krijon vepra të bukura, ai që nuk e ka thjesht bën disa zhargavina.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!


A është e vërtetë që një pjesë e tyre nisin e ngjizen gjatë edicionit të lajmeve dhe si?

I gjithë ky cikël është krijuar gjatë edicionit të lajmeve. Një pjesë e madhe është përfunduar plotësisht gjatë atyre 30 minutave, ndërsa një pjesë tjetër që janë pak më të detajuara, i kam prekur më pas.


Duke

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!

menduar presionin e lajmeve, ‘live-it’, si arrini të jeni i përqendruar te të dyja?

24 vjet në televizion dhe në studion e lajmeve, (duke lënë mënjanë modestinë), besoj se janë të mjaftueshme për t’i “vjedhur” me qetësi disa minuta lajmeve, e për t’ia dhënë pikturës, duke i bërë të dyja në të njëjtën kohë.

Përveç skicave, çfarë teknikash të tjera aplikoni?

Punoj kryesisht në akrilik, sepse është disi më i pastër në krahasim me vajin, në kushtet kur nuk kam një studio, siç kanë gjithë piktorët profesionistë. Por punoj gjithashtu edhe në pastel.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!


Le Corbusier thotë: preferoj të vizatoj sesa të flas - ju i keni të dyja, cilën preferoni?

Do të doja të vizatoja më shumë sesa të flisja. Fjalët i merr era, një vizatim i mirë mbetet shumë kohë më gjatë.

A ka një vend Iliri kur “arratiset” nga e përditshmja për t’u frymëzuar?

Nuk kam një vend specifik, por natyrisht larg betonit të qytetit.

Ekskluzive/ Ilir Paço dhe ditari me dy stilolapsa…!


Prej më shumë se dy dekadash në ekran, ku do t’ju shohim më shumë në të ardhmen, në vizatim apo gazetari?

Në të ardhmen e afërt besoj më shumë do t’i përkas ekranit. Më vonë natyrshëm mund të dominojë piktura.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF