
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Andis Rado
Shija e hollë në veshje është diçka krejt normale në familjen e tyre. Një rrugëtim që mori udhë vite më parë nga stilistja Jona Muça e që krejt natyrshëm është trashëguar nga Frensi dhe Arjoni. Në këtë bisedë stili me Frensin, ajo tregon se nëse do të mundej çdo ditë do të vishej me mëndafsh, por mëmësia ka kod të pashkruar veshje, që vetëm mëndafshin nuk e toleron. E ndërsa e pyes se si do ta perifrazonte stilin e saj aktual të veshjes, Frensi më përgjigjet modestisht, “Sinqerisht një mami me nxitim!”.
Frensi, si e kujton qasjen me stilin me veshjet e bukura në fëmijërinë tënde?
Si shumica e vajzave, dëshira për t’u dukur bukur ka qenë e pranishme që në fëmijëri. 14 vitet e para të jetës sime kanë kaluar në Itali dhe kjo patjetër që ka lënë gjurmë në shijet e mia. Më kujtohet që një pjesë e veshjeve të mia që në moshë fare të vogël ishin te qepura prej mamit. Që nga këmishat e natës, duke vijuar me fustanet festive, apo pantallonat ‘cowboy’ që vishja që në klasë të parë. Të rritesh ne Itali, gjatë viteve më të arta të modës, ka qenë fat, përparësi dhe patjetër që ka krijuar një këndvështrim shumë të qartë mbi modën në sytë e mi.
Me një mami stiliste, shija e hollë në veshje është diçka krejt normale në familjen tuaj. Por cili është ai që s'gabon asnjëherë në stil?
Jona ka qenë dhe mbetet syri kritik i familjes. Përvoja e saj tepër e gjatë në fushën e modës e bën të pashmangshme këtë pjesë. Në modë nuk ekziston gabimi objektiv, por ekziston një harmoni perfekte që e bën veshjen unanimisht të pëlqyeshme.
Si njerëz kaq shumë të lidhur pas stilit/modës, ju ndodh që të gjykoni ndoshta dhe padashje njerëz të tjerë nga mënyra sesi vishen?
Jo aspak, përkundrazi ajo çka syri profesionist sheh, nuk është vetëm shija në kombinimin e ngjyrave apo qasja ndaj tendencave, por edhe përzgjedhja e materialeve dhe prerjeve në linjë me format trupore të personit. Ndaj do të thosha se nuk jemi aspak gjykues, përkundrazi çdo veshje kthehet në një ‘kuadër’ për t’u analizuar, nga ku mund të nxirret një eksperiencë, një mësim në dobi të vetë punës sonë.
Po njerëzit e ekranit si vishen sipas mendimit tënd? Ke rezerva për ndonjërin?
Në 10-vjeçarin e fundit mund të them se është bërë një punë shumë e mirë në përmirësimin e pamjes në ekran nga këndvështrimi im. Sigurisht ka gjithmonë vend për zhvillim, por qasja e përgjithshme është shumë pozitive, ekranet shqiptare po ofrojnë gjithmonë e më shumë një dukje cilësore, pa mbingarkesa, që identifikon vetë personazhin në ekran.
Veshja më e kushtueshme në dollapin tënd?
Nëse do më pyesje a kam veshje cilësore në dollap, do të thosha që PO, kam shumë veshje cilësore si, p.sh. palltot dhe kostumet Cashmere të realizuara me materiale “Made In Italy” që disponojmë pranë dyqanit tonë Lombardo Tessuti. Ndërsa sa i përket firmave, nuk kam lidhje emocionale me brand-et. Disponoj shumë pak aksesorë të brand-ave të njohura dhe mund të them me bindje se ajo ç’ka më fikson më tepër te një aksesor apo veshje, nuk është Logo, por cilësia e punimit, cilësia e materialeve dhe jetëgjatësia e tyre.
Po më e lira, sa ka kushtuar?
Këtë dimër kam shijuar pafund një çantë Zara nuance ‘Burgundy’. Stil traste, super komode dhe e kombinueshme. Një dashuri!
Përveç Jona Muçës, cili është dizajneri që pëlqen më shumë?
Yves Sain Laurent është dizajneri që revolucionoi konceptin e femërores, duke propozuar kostumin tipikisht mashkullor, në një qasje komplet të re, duke e kthyer në simbol të feminilitetit modern! I guximshëm, elegant dhe vizionar, tri karakteristika që dashuroj në një dizajner mode.
Një copëz veshje/aksesor që në gardërobën tënde është me shumicë?
Pika ime e dobët është mëndafshi. Jeta e një mami sigurisht nuk favorizon veshjet prej mëndafshi, por nëse do të cilësoja një element të gardërobës që vërtet më jep kënaqësi, pa të cilën nuk bëj dot, janë pikërisht këmishat dhe fustanet mëndafsh që realizojmë pranë Atelier-it. A i vesh shpesh mund të më pyesje!? Sigurisht që jo, dhe gjithmonë e më rrallë! Mamat më kuptojnë shumë mirë që pasi merr fëmijën nga kopshti dhe e nxjerr te lodrat apo për akullore, gjëja e fundit që do doje të kishe veshur, është pikërisht ajo këmisha e preferuar e mëndafshit! Por jam optimiste, e di që do t’i rikthehem shumë shpejt në vitet e ardhshme.
Ka në gardërobën tënde veshje apo aksesorë që kanë vlerë shpirtërore?
Patjetër që po! Janë ato në fakt veshjet më të shtrenjta për mua! Lidhem jashtëzakonisht shumë pas kujtimeve dhe nëse një veshje më risjell një kujtim të vyer, është e sigurt që do të jetojë vite e vite në gardërobën time, si një thesar pa çmim.
Nëse stilin tënd të veshjes do ta perifrazoje me një frazë si do ta quaje?
Pyetje e vështirë! Mëmësia ka ndikuar shumë në stilin tim të veshjes. 4 vite më parë do të dija t’i përgjigjesha shumë thjesht pyetjes: Materialet delikate, stili ‘Bon Ton’, nuancat e ëmbla pastel ishin ato çka më karakterizonin më së shumti. Sot ndodh e kundërta, pasi nevoja për t’ju përshtatur ritmit të jetës mes punës dhe vajzës, ka rikrijuar një stil më androgjen, veshje më ‘oversize’ dhe nuanca më neutrale, minimaliste. Kështu që nëse do më duhej ta perifrazoja stilin tim aktual, mund të ishte, “Sinqerisht një mami me nxitim!”.
Cilat janë planet e ardhshme? Si e sheh veten në këtë 5-vjeçar?
Të punosh në fushën e modës dhe artit, është fat i jashtëzakonshëm. Të pasurit një historik familjar në fushën e modës dhe rrobaqepësisë është një mundësi e madhe për të qëndruar në treg! Kur ke gjurmë të qarta për të ndjekur, edhe hapat janë më të sigurt. Por me po këtë peshë për nga rëndësia është dhe të krijosh hapa të rinj, për të lënë një gjurmë të kalimit tënd! Ajo për të cilën po punoj vitet e fundit, është pikërisht projektimi i gjurmëve të reja, të cilat pasojnë ato të vjetrat të përvojës familjare, por duke krijuar një eksperiencë të re, vetjake, që flet mbi vizionin tim mbi artin, të bukurën dhe modën.
Frensi dhe Jona Muça, si stiliste ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë nga njëra-tjetra?
Jona simbolizon perfeksionizmin klasik. Dëshira për të prekur gjithmonë atë përsosmërinë që karakterizon një punë cilësore ‘HandMade’. Duke qenë në dy breza me qasje komplet të ndryshme, mund të them se të punuarit bashkë ka qenë çelës suksesi, por dhe një sfidë e përditshme! Koncepti im mbi modën është më eksperimentuese. Modën e shoh si një mundësi për t’u shprehur, që pranon imperfeksionin dhe do të jetë ndonjëherë jashtë kornizave klasike. E kundërta vlen për Jonën, e bukura ka themele të forta, të cilat nuk duhen prekur!
Ajo që na përafron ndërkohë është padyshim dëshira për të ofruar cilësi dhe elegancë, dy shtylla kryesore të punës që realizohet në Atelier.