KreuCelebrity

“Frymë”, zëri i shpirtit të Kejsi Tolës! EKSKLUZIVISHT PËR BORDO

 

“Frymë” është albumi i Kejsi Tolës, prezantuar në fillim të qershorit për publikun e gjerë. Një album që përfaqëson shtëpinë, frymën, ngrohtësinë, gjallërinë e shpirtit, aty ku frymon dhe kupton se jeton. Ashtu si vetë emri i kësaj EP-je, njëjtë ishte edhe festa për këtë album, në një ambient të ngrohtë, me miq e kolegë të afërt. Një punë gati njëvjeçare, të cilën Kejsi, ashtu me atë sinqeritetin e saj, e tregon se ka filluar me një këngë, e më pas me një tjetër, duke shkuar te totali i pesë këngëve. Nuk mund të rrinim, të mos merrnim emocionet teksa këngët prezantoheshin për herë të parë te të pranishmit, ashtu si nuk ngurruam të realizonim edhe një bisedë pak më të qetë, pas përfundimit të aktivitetit. Nëse do të mendoni se një artist ka kohë pas lançimit të një projekti, kjo është e pavërtetë. Një artist, gjithmonë ka kohë kaq të kufizuar. Nga ankthi te mezipritja, vajtje-ardhjet Tiranë-Prishtinë, procesi i qëndrimit në studio, nga këngë të papërfunduara deri në përshtatje për stilin e Kejsi Tolës, janë të gjitha të treguara në këtë intervistë dhënë për revistën “Bordo”

5 këngë, si erdhën në jetë? A ka një histori secila?

Kejsi: Këngët janë punuar në Kosovë, në studion e producentit Fatjon Miftari dhe janë shkruar nga Lira Blakaj, Arjan Lekaj dhe Elsa Rraqi. Secila prej tyre patjetër ka historinë e vet. Unë i kam dëgjuar fillimisht pothuajse 70% të përfunduara dhe më pas kemi punuar në finalizimin e teksteve dhe melodive, duke u përshtatur me stilin tim, me dëshirën time, për të qëndruar sërish në identitet. Procesi në studio ka qenë një nga momentet më të bukura të realizimit të këtij albumi. Duke nisur nga orët e gjata të udhëtimit drejt Prishtinës, tek orët në studio dhe gjithë energjia e artistëve me të cilët kemi punuar.

Ka qenë dikush, i cili, ju ka qëndruar pranë në gjithë këtë proces?

Kejsi: Mendoj se njerëzit që kanë qenë më afër këtij procesi absolutisht janë Fatjoni, Lira, Arjani, të cilët kanë qenë aty në çdo sesion që kemi bërë në studio. Gjithashtu, familja ime që është gjithmonë prezente.

Ke ndarë çdo gjë me familjarët, apo zgjedh që t’i ndash vetëm me bashkëpunëtorët?

Kejsi: Familja ime është e para dhe për mos të thënë e vetmja, që dëgjon demot e kengëve deri sa janë në nivelin 90% të ndërtuara. Më pas, i ndaj edhe me miq apo njerëz që më këshillojnë dhe besoj në fjalën e tyre.

Si ishin komentet për këngët?

Kejsi: Komentet kanë qenë shumë të mira. Nëse flas për të ftuarit në event, të cilët i kanë dëgjuar të gjitha këngët njëra pas tjetrës, që në momentet e para kishin të preferuarat e tyre dhe preferencat ndryshonin shumë nga njëra-tjetra. Jam shumë e lumtur për këtë, sepse tregon se secila nga këngët ka karakterin e vetë dhe mund ta gjej kushdo veten brenda albumit.

Nëse të kërkojmë një koment që ke marrë, cilin mund ta thuash? Cili të kujtohet?

Kejsi: Komenti që më pëlqen shumë dhe më kujton sa gabim bëj që nuk krijoj muzikë pak më shpesh është kur dëgjoj, “Kejsi na ke munguar”, “Kejsi këndo pak më shpesh”. Është një koment që më pëlqen dhe më bën të ndihem keq në të njëjtën kohë. Por, një koment që më motivon dhe premtoj këtë herë nuk do të ndaloj.

Preferoni të bëni muzikë të mirë, duke sjellë në kohë një ose pesë këngë të mira… zgjedhje personale apo strategji për të qenë pranë fansave që e duan muzikën tënde?

Kejsi: Mua më pëlqen shumë procesi i krijimit të shumë këngëve. Është eksperienca ime e dytë me një album EP dhe sikundër thashë edhe pak më parë procesi në studio, energjia që merr, larmishmëria e këngëve që krijohen, tematikat e ndryshme të teksteve. I gjithë ky proces është fantastik dhe u gëzova shumë kur Fatjoni propozoi të bënim një EP dhe jo vetëm 1 këngë. Pastaj një arsye tjetër është se mendoj i kam munguar pak publikut dhe duhet ta shpërblej në një lloj mënyrë të gjithë dashurinë që më japin. Mendoj se muzika e re është mënyra më e mirë për ta bërë.