
Mbrëmja finale e “Ferma VIP” ka sjellë emocione të shumta dhe momente të paharrueshme për konkurrentët. Pas surprizave të rezervuara për finalistët, ishte Ilir Shaqiri ai që u përball me një moment tepër të veçantë.
Pasi ndoqi një përmbledhje të rrugëtimit të tij brenda reality show-t, koreografi dhe balerini i njohur u surprizua nga këngëtarja e dashur e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, Merita Halili, e cila kishte udhëtuar posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara për të qenë pjesë e këtij momenti.
Artistja interpretoi disa prej këngëve më të njohura të repertorit të saj, ndërsa performanca u shoqërua me valle nga balerina shqiptare. Mes tyre ishte edhe Klarisa, një nga studentet e Ilir Shaqirit, duke e bërë surprizën edhe më domethënëse për të.
Emocionet u shtuan edhe më shumë nga prania e familjarëve të tij në studio. Prindërit, bashkëshortja, vajza dhe dhëndri i Ilirit ishin aty për ta mbështetur dhe për të ndarë me të këtë natë të rëndësishme.
