Plot 10 vite më parë e kam takuar Egla Cenon në një intervistë për revistën “Bordo”, ndaj këtë ritakim ditëve me diell, por të ftohta të këtij fundshkurti, mezi pres ta takoj. I dërgova mesazhin e parë, si një nyje lidhëse drejt intervistës, i bindur se përgjigjja do të ishte: “Ols, jam e ngarkuar..., projektet në teatër, pastaj televizioni...”, por nuk ndodhi kështu. Përgjigjja ishte pa hezitim “Po” dhe me shumë mirësjellje. M’u desh të prisja një fundjavë, pasi kishte udhëtuar për një shfaqje drejt Vlorës, ku ishte pjesë e projektit të fundit i cili u vu në skenë nga Kudret Alikaj, me një kolazh poezish të Petrit Rukos.
Me të nisur java u rilidhëm, lamë takim në një bar pranë pallateve kah Liqenit Artificial, ku e shoh të ulur të vetme. Arrij të ravijëzoj në portret buzëqeshjen e saj miqësore, edhe pse kishte vendosur një kapele sportive, e cila i fshihte kaçurrelat e artë. Jam kaq kurioz, të shoh transformimin e saj. Kam në mendje gjithë rrokopujën dhe zhurmën mediatike të edicionit të shkuar të “Big Brother VIP Albania”, ku Egla trazoi shumë ujëra në program, prej nga doli fituesja e çmimit 100-milionësh. Këdo do ta kishin ndryshuar paratë dhe fama, pse jo Eglën. Teksa rrekem të deshifron me kujdes gjestet dhe sjelljen e Eglës “së transformuar” që pres, qoftë nga rolet e suksesshme apo eksperiencat në televizion, bindem se ajo është kryekëput njësoj. Po, po, njësoj si 10 vite më parë kur i dhamë dorën njëri-tjetrit. “Olsi, njeriu nuk mund të ndryshojë nëse nuk preket thelbi i tij. Mund të fitosh eksperienca, të takosh njerëz, por nëse ruan atë që je, thelbi nuk ndryshon”. Vetëm me një përgjigje të vetme ajo më zgjidh gjithë hamendësimet që prisja: sepse ka të njëjtën modesti dhe sinqeritet me të cilën më ka lënë pa fjalë kur u takuam në vitin 2015, pak pasi ishte kthyer nga Italia, ku kishte jetuar për disa vite.
Pikërisht sot, vetëm 25 minuta më parë, pasi kishim folur në telefon, Egla ishte nisur drejt Tiranës nga Elbasani, ku prej kohësh punon në teatrin “Skampa”. Ajo vijon ende të luajë në teatrin e Elbasanit, pa kërkuar asgjë në këmbim nga gjithë vëmendja dhe respekti që i dhuroi publiku përmes talentit në skenë, por edhe nga suksesi televiziv. “Mund të zgjidhja të punoja në një teatër në Tiranë, por unë nuk kam menduar ndonjëherë për vendin, sesa për vlerat e teatrit. Nuk është aspak njëri më pak i rëndësishëm se tjetri, sigurisht që Teatri Kombëtar ka një tjetër prestigj, por ndihem shumë mirë edhe në skenën e Elbasanit”, flet qetësisht ajo.
Viti i shkuar ka qenë plot shfaqje teatrale, nga Gjirokastra, Tepelena dhe Librazhdi, ndërsa në muajin shkurt u ngjit në skenën e teatrit të Korçës me komedinë satirike “Një martesë, një divorc, një funeral”, ku ajo interpretoi krah Zamira Kitës, Olta Dakut dhe Paola Kodrës. “Mendoj se nuk ka teatër më pak të rëndësishëm, nëse je profesionist duhet të ngjitesh në çdo skenë. Teatri është teatër kudo”, thotë Egla. Pas Akademisë së Arteve, ajo u zhvendos në Itali ku pati disa bashkëpunime televizive si “100 vitrinat” apo në teatër me “Sirano de Berzherak”, por kur u kthye në Shqipëri dhe u përball me faktin se “lufta” për të fituar një rol nuk ishte aspak e lehtë, Egla nuk kishte më as kohën dhe luksin të priste. Në kthim pasi kishte kapur trenin të cilit i kishte zbritur 15 vite më parë, talenti dhe puna kishin bërë që të fitonte rolet e para në teatër, kinema dhe seriale televizive. Nuk e mohon që kthimi s’ishte i lehtë, sidomos nga një emigracion i gjatë, por ama ajo është nga ato artiste që di të ngulë thonjtë fort pas asaj që do, derisa ta arrijë. Dhe ja arriti!
Aktualisht ka në dorë një tjetër projekt të nisur vite më parë me Bujar Lakon, i cili pritet të finalizohet në skenë në muajin prill krah aktorit Vasjan Lami dhe Bujar Lako. Ka një vlerësim të pakufi për Bujon – siç e thërret, një artist i cili u nda nga jeta në vitin 2016. “Artisti vdes kur e harron – detyra jonë e të gjallëve është që disa kolosë si Bujar Lako, të cilët kanë dhënë kaq shumë për artin të mos i harrojmë. Edhe tani që po flasim ne e kujtojmë atë dhe duhet ta bëjmë gjithmonë”, thotë aktorja, e cila duket se i ka provuar të gjitha zhanret, por nuk e fsheh se ka të preferuarin e saj mes roleve që do më fort. “Kam dhënë prova që bëj komedi të huaj edhe atë shqiptare, por mua më pëlqen teatri klasik, drama e tragjedia. Dua të lodhem në ato ujëra me personazhe dhe role psikologjikisht jo të rehatshëm – më pëlqen sepse më bëjnë ti hulumtoj”, rrëfen Egla Ceno.
Ndjesia e të qenit në skenë padyshim që është misioni i saj, edhe pse e di që arti në Shqipëri nuk e bën të pasur aktorin, por ama emocioni që skena i dhuron nuk ka të paguar. “Duhet të investohet në art, sepse nëse një shtet nuk investon do t’i mbyllë gojën popullit. Arti të zgjon, arti është oponencë dhe nuk ka përkatësi politike. Arti të ushqen shpirtin, nuk të bën mumie para ekranit të celularit”, shprehej ajo.
Pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania”, Egla u shfaq në ekran me një projekt tjetër televiziv “Goca dhe gra”, ku nuk e fsheh që është ndier shumë mirë. “Më pëlqeu shumë roli im në programin “Goca dhe Gra” sepse isha shumë natyrale dhe ndihesha vetvetja. Edhe pse ka një skaletë rreth temave, programi është një lloj forumi ku mund të japësh opinionin tënd pa skenar, ashtu siç e mendon. Më pëlqeu si eksperiencë dhe e shijova”, pohon Egla, duke theksuar se gjatë këtyre episodeve ishte ndier mjaft mirë sidomos për bashkëpunimin me stilisten Enada At’Nikolla e cila u kujdes për stilin e saj. E ndërkohë, një tjetër ngjarje televizive sapo e ka rikthyer atë në ekran me serialin “Niçe”, ku ajo luan rolit e Guest Star. “U kënaqa me pjesëmarrjen time në ‘Niçe’, sepse kam bashkëpunuar me të rinj shumë të talentuar të cilët kishin këndvështrime ndryshe”.
Kur bisedat lidhen me “Big Brother VIP Albania”, ajo nuk e fsheh se ishte ky program që e risolli nga emigracioni. “Kisha thënë që nuk do të hyja – por bëra shumë mirë që hyra. ‘Big Brother’ nuk ka ndryshuar ndonjë gjë tek Egla aktore në skenë, por është shtuar vëmendja dhe punët që nuk kanë të bëjnë me teatrin. Jam e lumtur që e bëra”. Tani në jetën e saj është bërë pjesë edhe TeamEgla, një grup fansash të cilët e kanë mbështetur gjatë qëndrimit të saj në ‘Big Brother’ me të cilët ajo ka një raport të vërtetë dhe miqësor. “TeamEgla ekziston, është real. Në mblidhemi herë pas herë dhe jemi një bërthamë e mirë, kryesisht të rinj intelektualë që flasim të njëjtën gjuhë. Kjo më ushqen me dashuri dhe respekt. Dashuria që kanë për mua është shumë e veçantë. Janë fantastikë”, thekson Egla.
Duket se në këto 10 vitet e fundit, nga hera e fundit që unë dhe Egla jemi takuar, shumë dhe asgjë nuk ka ndryshuar: shumë, sepse të tillë kanë qenë rolet që kanë hyrë në jetën e saj artistike, e njëkohësisht aspak, sepse në thelb ajo është njësoj. “Nuk kam ëndrra, as për veten, as për projektet artistike. Dëshiroj të kem shëndet për veten dhe njerëzit e afërt”, përfundon ajo intervistën për “Bordo”. Kjo e bën Eglën sa njësoj me çdo tokësor, e po aq të papërsëritshme me askënd.



















