KreuCelebrity

Makth për Vanda Narën, grabitet shtëpia në Milano teksa brenda ndodheshin fëmijët e saj

Makth për Vanda Narën, grabitet shtëpia në Milano teksa
Një moment ankthi ka përjetuar Vanda Nara, e cila ka zbuluar se banesa e saj në Milano është bërë objekt i një grabitjeje, ndërsa brenda ndodheshin fëmijët e saj dhe nëna.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë modelja dhe menaxherja argjentinase përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo tregoi se në momentin e ngjarjes ishte e angazhuar në një aktivitet profesional, kur mori një telefonatë urgjente nga nëna e saj.

Sipas Vandës, tre persona kanë hyrë në banesë për të vjedhur, duke shkaktuar momente të forta frike për familjen. Fatmirësisht, fëmijët nuk kanë pësuar lëndime.

“Po punoja për një markë kur mora telefonatën nga nëna ime. Tre persona kishin hyrë në shtëpinë time në Milano. Për fat të mirë, fëmijët janë mirë, edhe pse u përballën me një frikë të madhe. U nisa menjëherë drejt shtëpisë,” shkroi ajo.

Vanda falënderoi gjithashtu policinë italiane për ndërhyrjen e shpejtë dhe mbështetjen e dhënë menjëherë pas ngjarjes, duke bërë të ditur se autoritetet morën situatën nën kontroll.

Pavarësisht episodit të rëndë, modelja nuk e ndali aktivitetin në rrjetet sociale. Pak më vonë ajo publikoi një selfie provokuese nga banesa e saj në Milano, duke treguar se po përpiqet t’i rikthehet normalitetit pas ngjarjes.