Bota e muzikantëve është një univers, ku mbizotërojnë tingujt, magjia e zërave dhe një ritëm i cili mund të çojë në parajsë, ose në kahun e saj të kundërt. Por para se kënga të arrijë gjithë shkëlqimin e skenës, puna e një vocal coach-i është ajo që gdhend pak nga pak skulpturën artistike të një këngëtari. Merland Kademi, një nga vocal coach-ët e “X Factor”, tregon eksperiencën e fundit në këtë program, sesi portretet e grupit të vajzave dhe bandës The Chemicals, kanë marrë formën e vërtetë, atë që e kërkon një skenë e madhe. Dikur pjesë direkte e skenës, Landi është shkëputur nga koncertet, për t’i lënë vend mësimdhënies, një sektor që më shumë se kurdo ka nevojë për vëmendje, në mënyrë që të krijohet një brez artistësh të rinj, të cilët do të pushtojnë së afërmi skenën shqiptare.
Pas 6 muajsh në “X Factor”, si do ta përkufizoje këtë eksperiencë?
Një eksperiencë plot sfida, emocione, adrenalinë dhe përplasje të forta shijesh dhe stilesh muzikore.
Prej shumë vitesh, vocal coach privatisht dhe në programe TV, çfarë kishte ndryshe “X Factor”?
Ky “X Factor” si një eksperiencë e parë në këtë lloj ‘talent show’, kishte lidhjen shumë të fortë emocionale, përmes mentorimit tim dhe ajo e skuadrës sonë. Përgjegjësia ime e madhe deri në finalizimin e performancave të tyre në stage, ishte shumë përcaktuese, u bëra si një baba i dytë për ta.
Ndryshe nga kolegët e tu, kishe dy skuadra, vajzat dhe bandën, si ishte të punoje me dy kategori?
Në fillim e mendova se do të ishte një punë e dyfishtë për mua, për të instruktuar këto dy kategori, por në fakt mora shumë kënaqësi dhe energji pozitive, sepse të gjithë ishin shumë të talentuar dhe kjo e bëri punën time, si vocal coach, më të lehtë.
Nëse duhet të zgjidhje mes grupit dhe vajzave, kush duhet të fitojë?
Secili nga ata, ishte një fitues për mua. Kurrë nuk mund ta parashikoja fituesin, megjithëse zemra ime qëndron, pak më shumë, te skuadra e vajzave.
Më pëlqeu zgjedhja e performancës në natën e Vocal Coach, pse kjo këngë?
Po patjetër dhe është një këngë e cila identifikon brezin tim, në një nga periudhat më të vështira të tranzicionit dhe këto këngë nuk duhet kurrsesi të humbasin në vorbullën e kohës, është obligim profesional t’ia lëmë trashëgimi brezave që vijnë, për të mos harruar nga kemi ardhur.
Pse je fokusuar më shumë te trajnimi, në vend që të këndonit vetë?
Mësimdhënia për mua është një pasion i fshehur thellë në zemrën time dhe një dashuri e fortë, për të cilën nuk do të ndjeja kurrë të thosha, "U lodha". Më pëlqen të trajnoj vokale dhe të zhvilloj terapi vokalistike, me të rinjtë e këtij brezi dhe jo vetëm.
Prej vitesh duke punuar me të rinj, cila është risia e këtij brezi, ka diçka unike në muzikë?
Risia e këtij brezi është diversiteti, stilet apo zhanret muzikore, që ata posedojnë, te të cilat ata dëshirojnë fort të identifikohen në fillim, si për të ecur dhe ndjekur artistin e tyre ikonë, dhe më pas drejt imazhit të tyre solid.



















