Vajza e Schumacher, Gina, zbuloi se ishte në pritje të ëmbël në dhjetor dhe tani ka njoftuar ardhjen e vogëlushit.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Gina i uroi mirëseardhjen në botë vogëlushes Millie. "Mirë se erdhe në botë, Millie. Lindur më 29 mars, zemrat tona janë më të mbushura se kurrë. Jemi shumë të bekuar që të kemi në jetën tonë", ka shkruar ajo, teksa të shumta ishin mesazhet e urimit.
Gina, 28 vjeç, zbuloi se ishte shtatzënë menjëherë pasi u martua me partnerin Iain Bethke në një vilë në Majorca vitin e kaluar. Kishte spekulime në atë kohë se babai i saj shtatë herë kampion në F1 mori pjesë në dasmë, por asnjë detaj nuk u publikua në media.
Legjenda e F1, Schumacher, 55 vjeç, nuk është parë në publik që kur pësoi një dëmtim të rëndë në kokë pas një aksidenti me ski në dhjetor 2013 në Alpet Franceze.