Legjenda e F1, Michael Schumacher është bërë gjysh. Gina Schumacher solli në jetë një vajzë më 29 mars 2025, por njoftimi i ëmbël u bë vetëm tani në rrjetet sociale. Vajza e vogël quhet Millie. "Mirë se erdhe në botë, Millie - lindur më 29 mars. Zemrat tona janë më të mbushura se kurrë. Jemi të bekuar që të kemi në jetën tonë!" ishte mesazhi i postuar në Instagram nga vajza e ish-yllit të Formula 1.
Gina Maria Schumacher, 27 vjeç dhe bashkëshorti i saj Iain Bethke u martuan në shtator të vitit të kaluar dhe dasma u zhvillua në vilën luksoze të familjes Schumacher në Majorca, të cilën e blenë për 27 milionë paundë në vitin 2017.
Lajmi i mrekullueshëm vjen mes njoftimeve të trishta ndërkohë për shëndetin e ish-pilotit të F1. Michael Schumacher nuk mund të flasë më dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm nga stafi dhe familja. Ai u përfshi në një aksident tragjik me ski në dhjetor 2013 dhe që prej atëherë, nuk e ka marrë më veten. Felix Görner, një nga gazetarët më të respektuar të Gjermanisë në F1, tha në një intervistë për RTL: "Situata është shumë e trishtueshme. Michael ka nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe është plotësisht i varur nga ekipi mjekësor dhe familja. Ai nuk mund të flasë më." Për momentin ka një maksimum prej 20 personash që mund të afrohen me Michael.