Një ëmbëlsirë që ka shije fëmijërie, aromë gjalpi të ngrohtë dhe kujtime që kalojnë brez pas brezi. Për Erblina Ashikun, sheqerparja nuk është thjesht një ëmbëlsirë tradicionale dibrane, por një pjesë e identitetit, familjes dhe dashurisë së trashëguar në sofrën shqiptare. Mes aromës së tlynit siç e quan ajo, ritualeve familjare dhe recetave të ruajtura me fanatizëm, ajo na rrëfen si një ëmbëlsirë mund të mbajë brenda historinë e një vendi, ngrohtësinë e shtëpisë dhe emocionet më të bukura të jetës. Sheqerparja mbetet gostia më e mirë për miqtë, ëmbëlsia që mirëpret ardhjen e fëmijëve në këtë botë, një emocion që prej kohësh Eblina e ndan me klientët që porositin për festa e gëzime në faqen e Instagramit, sheqerpare_gourmet.

Erblina, si nisi historia jote me sheqerparen, a ka qenë një traditë familjare?
Historia ime me sheqerparen ka filluar me lindjen time, ashtu si dhe me të gjithë dibranët. Është një ëmbëlsirë e cila ka shoqëruar çdo gëzim familjar dhe ka qenë një pjesë e pandarë e kulturës sonë. Jam rritur me aromën e gjalpit të gatimeve dibrane dhe siç thoshte gjyshi im: “Edhe gozhda kur skuqet me gjalpë, është e shijshme”. Sheqerparja për mua është aromë Mami, aromë shtëpie, aromë fëmijërie, aromë Dibre.
A e mban mend kur ke gatuar për herë të parë sheqerparen?
Patjetër që e mbaj mend. Para 6 vitesh kur lindi nipi im i vogël. Isha në Athinë dhe i kërkova mamit të ma mësonte, ndaj e bëmë bashkë me shumë dashuri. Deri në atë moment e kisha shijuar gjithmonë nga duart e mamit dhe tezeve. Sigurisht që në fëmijëri kam qenë e përfshirë, por thjesht si një ndihmëse e vogël.
Çfarë e bën sheqerparen dibrane të veçantë krahasuar me zona të tjera?
Kam dëgjuar që e bëjnë edhe zona të tjera të Shqipërisë, por në fakt sheqerparja dibrane është unike në shije dhe teksturë, ndaj dhe nuk e krahasoj dot me atë të trevave të tjera.
A ke ndonjë kujtim të veçantë nga fëmijëria që lidhet me këtë ëmbëlsirë?
Shumë kujtime, aq sa do të duhej një libër që t’i përmblidhte, nga lindjet e fëmijëve te dasmat e plot gëzime familjare të cilat e kanë pasur këtë ëmbëlsirë si mbretëreshën e tavolinës. Por kujtimi më i vyer për mua është “pagëzimi” i fëmijëve të sapolindur. Ky ritual kryhej nga daja ku mbi një tepsi me sheqerpare, i thirrej emri tri herë. Dhe këtë traditë e kam ndjekur edhe për djalin tim kur lindi. Dhe në fakt është i ëmbël si një sheqerpare.
Cili është sekreti për sheqerparen perfekte?
Tlyni (gjalpi) i mirë, vezët e freskëta, krahët e fortë dhe mbi të gjitha, dashuria për ta bërë ashtu siç duhet.
A ke ndonjë recetë tradicionale “si dikur” apo ke e përshtatur?
Receta ime është tradicionale dhe e trashëguar brez pas brezi. “Modernizimi” që i kam shtuar unë është te sherbeti, duke shtuar një shkop kanelle dhe lëkurë portokalli.
Shumica të njohin nga marketingu, si reaguan kur e lidhën emrin tënd me këtë pasion?
Ata që më njohin nuk u habitën, madje më përgëzuan. Por kishte edhe të tjerë që më njihnin më pak dhe u surprizuan. Të panjohurit që porositën ishin qershia mbi tortë, sepse përgëzimet që mora nga ata ishin mbresëlënëse. Kishte dhe nga ata që nuk e besonin që e bëja unë…!
Cilët janë klientët e tu – më shumë shqiptarë apo edhe të huaj?
Janë kryesisht klientë shqiptarë.
A mendon se të rinjtë po e vlerësojnë kuzhinën tradicionale?
Të rinjtë e vlerësojnë atë që u shërben, atë që u mësojnë prindërit dhe përfshirja e tyre që në vegjëli në përgatitjen e ushqimit trashëgon edhe vlerat për traditën familjare.
Nëse do ta përshkruaje këtë ëmbëlsirë me një ndjesi, cila do të ishte?
Fjala e vetme me të cilën do ta përshkruaja sheqerparen është: Ngrohtësi!
