KreuStil Jetese

6 sugjerime librash për muajin maj, sugjeruar nga "Bordo"!

6 sugjerime librash për muajin maj, sugjeruar nga "Bordo"!

Isabela

Autori: Kaisa Akuino - Çmimi: 1200 lekë

Një nënë, bijë, grua, e dashur, mike, mësuese, epror. Këta janë zërat që përbëjnë sagën e romanit “Isabela”. Të rrëfyera në sfondin e tri dekadave të historisë së Filipineve përmes lirizmit erotik, jeta e grave në luginën Kagajan është një përpjekje e vazhdueshme për drejtësi sociale. Këto histori, janë betejat e disa jetëve që e shkruajnë fatin e tyre të traumatizuara nga plagët, që i detyron ata që të marrin vendime ekzistenciale, për familjen, dashurinë dhe arritjen e kauzës deri në kufi mes jetës dhe vdekjes.

I dashuri

Autori: Freida McFadden - Çmimi: 1200 lekë

Sidni Shou, si çdo femër beqare në Nju-Jork, ka patur fat dreqi me të dashurit. I ka provuar të gjitha, por më në fund, bëri bingo. I dashuri i ri është absolutisht i përsosur. Pastaj, vjen vrasja mizore e një gruaje të re. Një burrë misterioz që krijon lidhje me viktimat e tij para se t'i vrasë. Sidni nuk ka pse të trembet. Papritur i lind dyshimi se mashkulli i përsosur mund të mos jetë aq i përsosur sa duket. Sepse, dikush po e përgjon vazhdimisht dhe po të mos zbulojë të vërtetën, ajo do të jetë viktima e radhës e vrasësit...!

Mashtrim i përsosur

Autori: A. R. Torre - Çmimi: 1200 lekë

Psikiatrja Guen Mur është eksperte për vrasësit. Ajo ka trajtuar grabitqarët e Kalifornisë. Viktima e fundit, një adoleshent që arriti të arratisej, identifikoi si robëruesin e tij mësuesin e shkollës së mesme. Për Guenin çështja kundër tij është e vulosur, derisa një zhvillim i fundit ndryshon gjithçka. Avokati Robert Kevin është babai i një prej viktimave, ndaj Gueni do të intervistojë të akuzuarin, për të krijuar një profil psikologjik të vrasësit. Ndërsa Gueni zhytet në hetim, kupton se Roberti fsheh diçka, ai mbart një sekret.

Në dorë të fatit

Autori: Goran Petrovic - Çmimi: 1500 lekë

Disa libra i kalojnë dekadat në mënyra të habitshme. Pikërisht një prej tyre, i lidhur me safian të kuq, i ra në duar Adamit. Në pamje të parë, aty nuk ka as subjekt, as personazhe, po thjesht përshkrime. Adami i rrëmbyer nga magjia e këtij universi, nuk arrin të shkëputet prej tij, sepse, me në paragrafë shfaqen: një vajzë e re, një plakë ekscentrike, një kuzhiniere e shquar dhe një kopshtar tepër kurioz... Kaq shumë takime të pazakonta për Adamin, që i zbulojnë ngjashmëri të çuditshme me realitetin…!

Ne zgjidhim vrasje

Autori: Richard Osma - Çmimi: 1500 lekë

Stiv po shijon jetën në pension. Ndonëse bën punën e detektivit, preferon të ndjekë rutinën: kuicin në pijetoren e preferuar. Ditët me aventura kanë mbaruar dhe burimi i vetëm i adrenalinës është puna e nuses së të birit, Emit, truprojë e shkrimtares së librave bestseller, Rozi D’Antonio, derisa një trup i pajetë, e një çantë me para sjellin telashe. Ajo i dërgon një mesazh personit të vetëm tek i cili ka besim. Ndërsa nisin një turne emocionues në mbarë botën, a do të munden Emi dhe Stivi të mposhtin një vrasës?

Burri im

Autori: Rumena Buzarovska - Çmimi: 1100 lekë

Një poet i dobët, një gjinekolog artist, një baba posesiv, një burrë që ia hedh fajin gruas për sjelljen jo të hijshme të të birit, një partner impotent, një bashkëshort i vdekur…! Figurat mashkullore të këtyre 11 tregimeve sa të pamëshirshme aq dhe me humor, rrëfehen nga gra të forta dhe të brishta, që zbulojnë marrëdhënie të shënjuara nga mashtrimet dhe hipokrizia, mes së cilëve shpërfaqet një dimension plot konflikte, i dhunshëm, grotesk dhe herë-herë melodramatik.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF