Nga Eda Bano
Kisha pak kohë që në mendje po më vërtitej, një dasmë e re me bashkëshortin tim. Doja një vend që të më trondiste, të më linte pa fjalë.
Fillimisht ëndërrova, sa bukur do të ishte të bëja një dasmë në safari. Makinat jeshile me goma të trasha të safarit, ku ti e lidhur me rrip sigurimi sheh luanët, rincerontët, zebrat, buajt dhe majmunët që varen degëve të pemëve, e gjithë kjo, më dukej shumë aventurë e bukur (që në fakt është), dhe unë atje me fustan të bardhë, mes kësaj bote të egër e të heshtur, kjo ishte ajo që më përvijohej nëpër mendime.
Por, nuk munda të bëj një gjë të tillë. Dhe kjo mbeti vetëm skutave të ëmbla të ëndërrimeve. Në fakt dasma që bëra, ishte edhe më e organizuar dhe mori një kuptim më të ëmbël se kaq!
Rrethuar nga gjirafat mrekullisht të bukura, të urta e të heshtura, në një hotel oazë qetësie e relaksi në Nairobi të Kenias, bëra dasmën më përrallore që mund të përfytyroja. Hoteli i rrallë do zor të prenotohet. Kjo për shkak edhe të rejtingjeve të larta që ka! Të namit të hapur dhe sigurisht të gjirafave, që të nanurisin e përkëdhelin. Për shkak të pozicionit të mirë në Nairobi- shumë pranë tij dhe rreth vetëm 20 km larg aeroportit, për shkak të autonomisë e qetësisë, që ky hotel të ofron dhe gjithashtu atë sasi të madhe toke mbushur me gjelbërim, pëllumbat e gjirafat që ka, e bën atë tepër të kërkuar. Që në orën gjashtë të mëngjesit, ende pa zbardhur dita, gjirafat afroheshin në errësirë dhe t’i shihje siluetën e tyre, teksa të vinin pranë në heshtje drejt e në dritaren e dhomës.
Teksa hapje dritaren, bashkë me ajrin e freskët mëngjesor, fusnin kokën edhe gjirafat, dhe shporta me ushqim priste aty, e mbushur enkas për to që në mbrëmje. Më pas, në 6:30, duhet të dilje për të ngrënë mëngjesin, dhe në orën 8:00 restoranti hapte dritaret që mëngjesin ta konsumoje, edhe me praninë e gjirafave! Nuk ka impresion më të madh, nuk mund të harroj dot ato fytyra gjatoshe, të bukura, me sy të mëdhenj e të zinj si qymyri, atë pastërti që shprehnin ata sy, si sy fëmijë!
Pikërisht kjo mirësi, paqe e qetësi njëkohësisht, shënjoi karakterin e kësaj dasmës sime të katërt, zgjedhur të bërë në Afrikën e largët dhe aq të dashur. Me vellon ngarkuar në valixhen që s’duhet t’i kalonte të 15 kilogramët për secilin nga ne, me takat, sendet e makiazhit dhe ornamentet e tjera të zbukurimit, iu luta stafit të hotelit të më hekuroste fustanin e rrudhosur të nusërisë, punë që e morën më shumë përgjegjësi e angazhim të veçantë. Rregulluar e stolisur me emocion më në fund i hodha vështrimin tim shoqi, i cili i angazhuar mrekullisht në rolin e tij prej dhëndëri, kollarisej e parfumosej veshur me pantallona të verdha e xhaketë linoje bezhe.
Një dhomë, e quajtur dhoma e orkidesë, mbushur plot me lule e qirinj dhe një tavolinë e arreduar bukur në mes të saj, ishte rezervuar në emrin tonë dhe priste që në darkë vonë, të darkonin të zgjedhurit e mbrëmjes- çifti nga Shqipëria. Atmosfera e dasmës ishte një magji. Ata të paktë bujtës të hotelit u bënë dëshmitarët tanë, në veçanti një çift nga Alabama, USA. Kamerieri i caktuar enkas për ne, na orientonte drejt vendeve ku të kënaqeshim: në lisharsen e varur dhe ku mund t’i jepnim gjirafave “puthjen franceze”, në verandë “me mikpritjen e pasdites” me ëmbëlsira e kokteje apo brenda hotelit, që për nga forma e arredimi mbetet unik. Foto të mrekullueshme na u mundësuan nga stafi dhe në fund darka në dhomën e orkidesë. Muzika shqiptare me vallen e napolonit, pogonishten e “xhamadanin vija-vija, është Kosova, është Shqipëria“, po i habisnin kamerierët afrikanë, të cilët na pyesnin nga e kishin origjinën, këto këngë kaq të bukura! Ndoshta nga Afrika? Sepse nga qasja që kemi për muzikën, të bukurën, ngjyrat dhe dritat, kemi diçka prej afrike edhe ne?
Ishte një dasmë që nuk mund ta harroj dot kurrë!
Një dasmë afrikane në mes gjirafash!
E ku ka më bukur!

Si ta kuptoni që dikush po ju gënjen?!





Ja pse stresi bën që të shtoni peshë!






Përse duhet të hani kos çdo ditë!


Orari më i mirë për të konsumuar darkën





Makina e Mbretëreshës Elizabeth del në ankand!
