KreuStil Jetese

Ekskluzive/ Kampioni ynë Gresi Koxhaku; Vetëm 18 vjeç, por me plot 44 rekorde!

Ekskluzive/ Kampioni ynë Gresi Koxhaku; Vetëm 18 vjeç, por me

Vetëm 18 vjeç, por me plot 44 rekorde: djaloshi i talentuar nis sot një udhëtim jo thjesht drejt olimpiadës më të famshme, por edhe një rrugë e cila do t’i garantojë atij trofetë që meriton një sportist elitar...

Nga Olsi Kolami

Vetëm pak ditë para se të fluturonte drejt Parisit për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike, Gresi Koxhaku sapo kishte rrëmbyer triumfin e tij të radhës: u shpall kampion kombëtar dhe Notari më i mirë i vitit 2024. Edhe pse është vetëm 18 vjeç, djaloshi nga Tirana, është një rekordmen me arritje spektakolare. Regjistron plot 44 rekorde kombëtare në stil të lirë dhe delfin, në 25, 50 dhe 100 metra. Kur ka qenë ende një fëmijë, është zhytur në ujë dhe nga ai moment për 15 vite pa ndalim, Gresi është kredhur duke fituar disa nga trofetë më të rëndësishëm, brenda dhe jashtë vendit. Vëllai i tij duket sa ka qenë nxitësi kryesor drejt kësaj rrugë ujore, por e pranon se arritjet e tij janë falë mbështetjes së trajnerit të tij, Arian Fetishaj. Ndryshe nga shumë moshatarë të tij, ai rrëfen për revistën “Bordo” se ndjek një regjim të rreptë stërvitje dhe me një disiplinë rigoroze, cilësi të cilat po e formësojnë atë një sportist elitar. Gresi Koxhaku është ende shumë i ri, por premton shumë! Nëse kjo është hera e tij e parë që udhëton me flamurin kuq e zi drejt Lojërave Olimpike, padyshim të tjera rrugëtime e presin në olimpiadat e ardhshme.

Ekskluzive/ Kampioni ynë Gresi Koxhaku; Vetëm 18 vjeç, por me

Gresi, ëndrra e çdo atleti janë Lojërat Olimpike, si kanë nisur ato për ty, në cilën moshë?

Sportin e notit kam gati 15 vjet që e praktikoj çdo ditë. Fillimisht e kam nisur me vëllain tim, i cili më ka mbështetur gjithmonë, ndërsa tani stërvitem rregullisht me trajnerin tim të palodhur Arian Fetishaj.

Tani je zyrtarisht pjesë e Lojërave Olimpike, si ndihesh, si ishte ai momenti kur more vesh lajmin?

Ndihem shumë i lumtur dhe i emocionuar, për faktin që jam pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Parisit. Kam qenë në një aktivitet europian në Serbi në Beograd, kur e mora vesh që jam përzgjedhur si sportisti që do të përfaqësoj flamurin tonë në Lojërat Olimpike dhe për mua ishte një moment lumturie.

Kampion i Shqipërisë dhe 44 rekorde, sa vlejnë titujt për një garë Olimpike?

Pavarësisht se kam disa rekorde kombëtare, synimi im për këtë olimpiadë është që të bëj më të mirën, do të jap maksimumin, dua të përmirësoj kohën time aktuale, pse jo edhe me një rekord të ri.

Në çfarë disiplinash noti, sa metra do të jenë garat e tua dhe cila është pika jote e fortë?

Disiplina ime në të cilën do të marr pjesë në Olimpiadën e Parisit do të jetë 100 metra stil i lirë, por disiplinat e mia janë 50 metra dhe 100 metra stil i lirë, po ashtu edhe 50 metra dhe 100 metra stil delfin, me të cilat do të mund të kem pretendime dhe në një të ardhme të jem ndër 16 më të mirët e botës.

Ekskluzive/ Kampioni ynë Gresi Koxhaku; Vetëm 18 vjeç, por me

Cilat janë pritshmëritë e tua nga kjo garë?

Më pjesëmarrjen time në Lojërat Olimpike, pritshmëritë e mia janë shumë të larta, por gjithçka mbetet për t’u parë kur të jem në Paris.

Si është ajo bota nën ujë për Gresin, ai momenti kur sheh finishin?

Sporti i notit do shumë disiplinë, kërkon që të jesh shumë korrekt me stërvitjen, gjumin dhe ushqimin. Momenti i finishit është shumë emocionues, sidomos kur shikon rezultatin, pavarësisht nëse është mirë apo keq, prapë është shumë emocionues.

Cili ka qenë çmimi më i rëndësishëm deri tani në karrierën tuaj si notar?

Besoj se fakti që përfaqësoj Shqipërinë në Lojërat Olimpikë 2024 është diçka shumë e madhe, por gjithashtu për mua është me rëndësi fakti që jam shpallur, si Notari më i mirë për vitin 2023-2024. Të gjitha këto arritje të deritanishme më nxitin të stërvitem më shumë herë, më fort dhe kjo më bën të ndihem shumë i lumtur.

A do të veçoje një moment emocionues kur ke ngritur flamurin tonë kombëtar?

Ka qenë një aktivitet botëror, kur kam dalë i pari në baterinë time. Edhe pse më kishin vendosur në korsinë 9, e cila është në cep të pishinës, koha që kisha unë duhet të isha në mes, sepse kohët më të mira vendosen në mes të baterisë, por mua më kishin lënë anash. Gjithsesi, me vullnet ja dola të dal i pari në baterinë time.

Jam kurioz të di, si është dita e një notari, pra sa orë stërvitesh, po regjimi ushqimor?

Si çdo sportist, edhe unë kam rutinën time: zgjohem në orën të mëngjesit, ushqehem dhe shkoj direkt në stërvitje duke bërë 2 deri 5 kilometra. Më pas qetësohem dhe i dedikohem sërish stërvitjes pasdite. Noti është një sport i cili kërkon shumë disiplinë dhe nëse e ndjek atë, të bën një sportist elitar.

Kush është për ju personi i cili të ka mbështetur në këtë rrugëtim?

Personi i cili më ka suportuar shumë është trajneri im Arian Fetishaj dhe jam shumë falënderues ndaj tij.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF