Tri herë rekordmen i Shqipërisë, fitues i disa trofeve ndërkombëtare në atletikë, këmbëshpejti shkodran do të garojë në Lojërat Olimpike Paris 2024 në disiplinën 100 metra.
Nga Olsi Kolami
Çdo event sportiv ka sfida që shpërblehen me medalje, po asnjë më shumë sesa Lojërat Olimpike, nuk mund të jetë një ëndërr e çdo atleti si Franko Burraj. Kampioni ynë kombëtar, shkodrani i sprinteve të fuqishme, ka arritur të realizojë ëndrrën e tij të madhe, të jetë pjesë e eventit prestigjioz Paris 2024. Edhe pse ka fituar disa çmime në disiplinën 400 metra, në pistën e Parisit atleti ynë pritet të garojë në 100 metra, një sprint i cili shpreson t’i sjellë një rekord të ri. Atleti shkodran, mbajtësi i tre rekordeve kombëtare, i profilizuar në garat 100, 200 dhe 400 metra, pret që në këtë eveniment prestigjioz të garojë jo vetëm për flamurin kuq e zi, por edhe me shpresën për të arritur një rekord të ri. Djaloshi këmbëshpejtë konsiderohet një nga figurat më premtuese të atletikës shqiptare dhe pritet që së afërmi të garojë në evente të tjera të rëndësishme, si, Lojërat Mesdhetare dhe Lojërat Evropiane.
Pse Shkodra ka kaq shumë atletë të talentuar, ju jeni një prej tyre?
Shkodra gjithmonë ka patur traditë sportin dhe në veçanti atletikën, ku ndër vite ka patur shumë atletë të nivelit të lartë dhe besoj se gjithçka vjen nga dashamirësia dhe dëshira që ka Shkodra dhe shkodranët kanë kundrejt sportit.
Hera e parë si atlet në Lojërat Olimpike, si do ta përshkruanit këtë emocion?
Po për mua është hera e parë që marr pjesë në një eveniment kaq të rëndësishëm dhe natyrisht jam shumë i emocionuar, sepse është maja e sportit elitar, është ëndrra e çdo sportisti që të jetë në Lojërat Olimpike.
Sa kohë keni që përgatiteni për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike?
Kam pothuajse një vit, që po përgatitem për të qenë pjesë shumë garave shumë të rëndësishme dhe një ndër to janë edhe Lojërat Olimpike.
Ju jeni kampion dhe rekordmen në 400 metra, po në Paris ku do të garoni?
Po gara ime e preferuar është 400 m, ku unë zura këtë vit vendin e 11-të në Kampionatin Botëror dhe kisha shpresë që të kualifikohesha në Lojërat Olimpike me 400 metra, por në garat e fundit nuk isha në formë sepse dhe ngarkesa gjatë vitit ishte shumë e madhe. Por duke patur parasysh që kam garuar edhe në disiplina të tjera si 100 metra, pata mundësi të merrja ftesën për Lojërat Olimpike në po këtë garë, pra 100 metra.
A prisni me pjesëmarrjen tuaj në këtë event prestigjioz ndonjë rekord të ri?
Po kemi shumë kohë që e mendojmë dhe e prisnim, ndaj besoj se do të tentojmë thyerjen e rekordit në garën 100 metra. Deri tani stërvitja na ka ecur shumë mirë dhe kemi shpresat për të thyer një rekord të ri.
Cili është regjimi juaj ditor dhe a ka ndryshuar që kur u konfirmuat si pjesë e Paris 2024?
Regjimi është pothuajse i njëjtë me atë që kam patur më përpara, natyrisht fokusi tani është më i madh dhe tani më shumë po stërvitemi për detajet e fundit para garës.
Franko, kush ka qenë personi i cili ka spikatur talentin tuaj dhe si ndodhi?
Unë e kam filluar sportin e atletikës shumë vonë dhe nuk mendoja që do të arrija aty ku unë jam sot. Talentin e ka zbuluar trajneri im Bruno Rrotani, ku edhe falë këmbënguljes së tij, fillova të merresha intensivisht me sportin e atletikës.
Në gjithë këto vite karrierë, kujt ja dedikoni të gjitha arritjet tuaja sportive?
Në të gjitha këto vite që merrem me këtë sport, arritjet kryesore ja dedikoj familjes, e cila është mbështetja ime kryesore.
Cilat janë synimet tuaja pas Lojërave Olimpike dhe aktivitetet ku do të jeni prezent?
Pas Lojërave Olimpike do të ketë pak pushim dhe pastaj do të filloj përsëri me fazën përgatitore për pjesën tjetër të vitit, i cili do të jetë i mbushur me shumë ngjarje sportive, ku gara kryesore është Kampionati Europian i sallave të mbyllura, ku do të marr pjesë në disiplinën e 400 metrave.
Franko, ku e shihni veten si atlet në të ardhmen?
Shpresoj shumë që në të ardhmen të kem një titull kryesor në ngjarje sportive të rëndësishme, siç janë Lojërat Mesdhetare ose Lojërat Evropiane.
Atleti Mo Farah thotë: "Mos ëndërroni të fitoni, stërvituni për të!", po ju a keni një moto?
Ju kurrë nuk i dini kufijtë tuaj, nëse nuk e provoni deri ku mund të arrini...!



Vitaminat e nevojshme gjatë verës!



3 kokteje të freskëta nga L&M Comercial!





Gabimet që bëni shpesh me ilaçet!

1 Gusht – Numri i ri i BORDO në duart tuaja!




5 këshilla për të përballuar vapën e verës!


Çfarë është marrëdhënia 'tolyamoury'

