KreuCelebrity

Rudina Dembacaj: Dy rolet e reja në jetën time!

Aristea Kola

Aktorja e humorit është bërë pjesë e një emisioni që vjen për herë të parë në televizionet shqiptare. Rikthimi në ekran i Rudina Dembacajt, kësaj here e ka shndërruar atë në një moderatore të lezetshme e spontane, një shofere e cila fton në taksinë e saj, emrat më të njohur të showbiz-it shqiptar. Ka dy eksperienca të reja në jetën e saj së fundmi. Roli i saj i parë si moderatore, si dhe roli më i ëmbël në jetën e një femre, atë të qenurit nënë. Në një intervistë për Bordo.al, me humorin që e karakterizon, Rudina na rrëfen ndjesitë për të rejat në jetën e saj, si dhe zbulon femrën sharmante që do të hipi sot në taksinë e Rudinës…

Si ishte ky rikthim në ekran për Rudinën?

Ky program më erdhi në kohën dhe momentin e duhur. Më kishte munguar shumë ekrani, madje çdo ditë më shkruanin e më pyesnin fansa e dashamirës, le të themi se u kisha një mini-borxh. Tani jam çdo të premte në ‘Mos i fol shoferit’ në Ora News.

A është Rudina një shofere e mirë? 

Jam një shofere e mirë, s’duhet thënë kurrë shumë e mirë. për mua makina nuk është mjet vetëm për të lëvizur, por është edhe pavarësi.

Si reagojnë personat e rastësishëm që hipin në taksi si pasagjerë?

Habiten shumë në fillim, por disa tregohen ‘aktorë’ të lindur dhe reagojnë në mënyrë perfekte përpara kamerës. Ka edhe të tjerë që bëjnë batuta natyrshëm dhe koha kalon shumë shpejt edhe me ta.

Ndërkohë sa i përket personave VIP, cili është personazhi më interesant që ka hipur në taksinë tënde deri tani. Na thuaj një përshtypje për gjithsecilin.

I kam shijuar që të gjithë dhe i falenderoj shumë duke filluar nga e emisioni i parë me Arian Çanin. Unë e shoh me shumë qejf prej vitesh programin e tij ‘Zonë e lirë’ dhe jam një ‘Çanatore’. Mos u habisni nëse e ftoj Çanin përsëri. Renato Mekolli, masterchef-in më tip që kam njohur, djalë fantastik që përveç se shef i zoti ka guxuar të këndojë e të kërcejë. Do t’i sugjeroja të provonte edhe aktrimin se është i paparë. Kolegu dhe miku im Florian Binaj, i cili është edhe mjaft i rezervuar në intervista, më zbuloi me shumë humor mjaft detaje nga jeta e tij private. Kjo ishte biseda jonë e parë e këtij lloji, edhe pse jemi shumë miq.

A i bën pyetje spontane të ftuarve, apo i përmbahesh gjithmonë skaletës apo skenarit?

Nuk pretendoj të jem një gazetare apo moderatore e mirëfilltë. Kam një skenar dhe disa pyetje bazë ku referohem. Pyetjet që përgatit stafi i kthej në stilin ‘alla’ Rudina, i përshtatem shumë shpejt, sikur t’i kisha shkruar vetë. Por, shumë pyetje lindin edhe gjatë bisedës.

A i bën të ftuarve pyetje të sikletshme, ose me ‘pullë të kuqe’?

Nëse ka diçka që më pëlqen dhe arsyeja pse pranova të bëj një format të tillë ishte pikërisht rastësia dhe koincidenca që do të sillte momenti. Unë dua që bisedat me të ftuarit të rrjedhin natyrshëm dhe së bashku të nxjerrim gjërat më të mira. Nuk e kam qëllim në vetvete të prodhoj lajm, edhe pse emisioni ka prodhuar, për këtë falenderoj gjithë mediat dashamirëse ndaj meje dhe ‘Mos i fol shoferit’ sigurisht. Zoti ju bekoftë!

Të është dashur të censurosh ndonjë përgjigje?

Për sa i përket përgjigjeve të personazheve, nuk i çensuroj apo t’i pres në montazh, thjesht përpiqem të lë thelbin. Në rast se të ftuarve u ka shpëtuar ndonjë fjalë e pistë, atë e bëjmë me ‘Beep’.

Vetëm pesë muaj më parë Rudina është bërë nënë e një vajze, Viktorias. Si ka ndryshuar jeta juaj.

Mos i flisni shofere Rudinës për Viktorian, se fillon e qan. Më ka bërë më të mirë, më të dashur, nënë, kjo i përmbledh të gjitha. E nis ditën me të, e ushqej, e ndërroj dhe më pas jam gjatë gjithë kohës në takime pune e xhirime. Pasditet ia kushtoj gjithmonë vetëm vajzës dhe bashkëshortit. Në fund të ditës, ata janë më të rëndësishmit se çdo gjë në botë.

Çfarë po bën për të rikthyer format e tua fizike?

Të të jap një lajm? Nesër nis palestrën!

A keni projekte të tjera të afërta?

Projekt më të afërt se emisioni që po bëj nuk kam. Por sezonin e ardhshëm do të sjell gjëra të reja dhe më të bukura. Kam edhe plane të tjera, por do i zbuloj më vonë.

Po pushimet verore i keni planifikuar?

Në fund të qershorit nisem për Turqi, ndërsa për pjesën tjetër pyesni më mirë bashkëshortin tim Aleksin, ai është një ‘travel blogger’ i vërtetë. Para se në jetën tonë të vinte Viktoria, ishim çdo muaj në fluturim, madje kisha frikë se edhe vajzën do na e priste ndonjë stjuardesë, e jo mjeku gjinekolog.

Kemi zbuluar se sonte në “Mos i fol shoferit”, do të jetë e ftuar Grida Duma. Do na zbulosh diçka ekskluzive për bordo.al, nga udhëtimi me taksi me Grida Dumën?

Përveçse një zonjë e vërtetë, Grida Duma është edhe gruaja e parë VIP në taksinë time, por sigurisht jo e fundit. Mund t’ju them me shumë bindje që sot do të njihni një Grida tjetër dhe sigurisht më shumë sharm në kabinën time. Do zoti nuk më thotë gjë Ndriçim Xhepa dhe Luiza Xhuvani që u vodha titullin e filmit (qesh).

 

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF