Nga Aristea Kola
Akreoma Saliu, një vajzë me një emër të rrallë, një balerinë e re e skenës shqiptare që e ka ndjerë kiminë me kërcimin që në fëmijëri. Një dëshirë që lindi e u zhvillua hap pas hapi ka bërë që Akreoma të gjejë një mënyrën e të shprehurit të saj. Në këtë intervistë për Bordo.al balerina e re energjike e dansit bashkëkohor tregon për profesionin e saj argëtues, balerinën që e ka inspiruar të ndjekë këtë pasion si dhe kuriozitetin e dëshirën për të zhvilluar karrierën e saj artistike në skenat e huaja.
Çfarë është baleti për ju dhe kur e kuptuat se ky profesion ju përshtatej?
Dansi tashmë është prioriteti im. Është një nevojë e imja si individ për t’u shprehur. Mjafton të kërcej dhe e them me bindje që funksionoj më mirë si qenie. Nuk jam lodhur të gjej nëse ky profesion më përshtatej apo jo. Ishte një kimi shumë e natyrshme, që në vogëli madje. Por fillimisht filloi si një deshirë e imja për të kërcyer, për t’u argëtuar, e tashmë është mjeti im verbal për t’u shprehur.
Preferoni baletin klasik apo modern? Ku e gjeni veten më mirë?
Unë vij nga një background shumëvjeçar i shkollës klasike të baletit me baza shumë të forta, por tashmë kam zgjedhur dansin bashkëkohor.
Cili është balerini dhe koreografi juaj i preferuar në Shqipëri? Po jashtë vendit?
Koreografi më afër shijeve të mia në Shqipëri është padyshim Gjergj Prevazi dhe e huaj Pina Bausch dhe Aszure Barton. Pina është frymëzimi im i padiskutueshëm.
Si e shihni të ardhmen e arteve dhe profesionit tuaj në Shqipëri? Keni menduar ndonjëherë të zhvilloni karrierën në skenat e huaja?
Me bindje e them që Shqipëria ka shumë artistë. Kjo është treguar me fakte menjëherë sapo artistët shqiptarë kanë dalë jashtë kufijve, kemi parë sukseset e tyre të padiskuteshme. Nuk e di pse të gjithë largohen. Ndoshta për eksperiencë, ndoshta sepse vlerësohen më shumë. Atë po mendoj edhe unë. Është eksperiencë, është frymë tjetër e të bërit art. Jam kurioze shumë ta provoj. Çdo artisti do i bënte mirë një edukim mbi profesionin jashtë vendit.
Me çfarë po merreni aktualisht dhe cilat janë projektet më të afërta profesionale?
Muaji gusht mbetet gjithmonë i vetmi muaj ku unë mundem të pushoj. Në fillim të shtatorit më pret projekti profesional i radhës në Sassari, Itali.



















