Nga Tea Kola
Arjola Shehu, një nga prezantueset simpatike të televizioneve shqiptare, në këtë sezon televiziv na shfaqet jo vetëm në një tjetër ekran, nga IN Tv në Klan, por edhe me një emision ndryshe nga ç’ishim mësuar ta shihnim më parë. Arjola na shoqëron çdo mesditë me nga dy personazhe të ftuar në “Kush vjen për drekë” të cilët gatuajnë live recetat e preferuara dhe zbulojnë për publikun edhe informacione të tjera interesante. Në këtë intervistë për Bordo.al ajo na rrëfen përshtatjen me këtë program të ri dhe artin e gatimit. A është Arjola edhe një kuzhiniere e mirë apo ajo zgjedh vetëm që ta shijojë ushqimin e preferuar? Po pjata së cilës moderatorja nuk i reziston kurrë? Për të zbuluar të gjitha këto detaje, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë të moderatores Arjola Shehut për Bordo.al!
Si ishte të ndryshoje profil nga emisioni “Tek unë” në “Kush vjen për drekë”?
Do të thoja se ishte një kalim i mirë. Unë e gjeta shumë shpejt veten në Tv Klan dhe po ndihem shumë komode në studion time, që më pëlqen aq shumë.
Nga pozicioni komod ulur, tani qëndroni në këmbë gjatë gjithë emisionit së bashku me të ftuarit teksa gatuajnë. Si u përshtatët me këtë ndryshim?
Forma sesi ne e kemi ndërtuar programin është e tillë që ne improvizojmë tamam një ditë në kuzhinë. Duke biseduar për tema nga më të ndryshmet, teksa edhe sjellim receta të veçanta e të shijshme! Koha kalon aq shpejt dhe besoj që ky është një çelës i mirë për të mbërritur tek publiku, të vijmë të vërtetë!
A jeni më e fokusuar tek gatimet tani?
Të them të vërtetën unë ende nuk di të gatuaj asgjë. Edhe s’kam pasur kohe as që të eksperimentoj. Megjithatë, mezi pres që të jem një ditë e lirë dhe të provoj të gatuaj atë kekun e mrekullueshëm super të shijshëm që gatoi Iva Tiço përpara disa episodesh.
Cili është personazhi vip që ka gatuar më mirë nga të ftuarit tuaj deri tani?
E dinë të gjithë tanimë dashurinë time të madhe për ëmbëlsirat, por vetëm dy personazhe më kanë ardhur me ëmbëlsira, Klea Huta dhe Iva Tiço, kështu që këto dy receta do të zgjidhja si të preferuarat e mia! Nga të ftuarit, Saimir Kodra ka qenë më i miri në kuzhinë deri tani.
A dini të gatuani? Cila është pjata që keni përgatitur për herë të parë?
Gatimi i parë dhe i fundit ka qenë një kek që u bë me ndihmën e mamit se të ishte për mua… keq puna! Por, do mësoj. Teorikisht tani di të gatuaj makarona, duhet ta vë edhe në praktikë! Hahaha!
Kush i shijon më tepër ato pak pjatat tuaja?
Askush, se unë nuk gatuaj, por jam eksperte në dekor.
Po kuzhina juaj e preferuar? Jeni më shumë për pjatat tradicionale apo ato ato modernet?
Unë kam shumë qejf ushqimin meksikan dhe sushin. Më pëlqejnë shumë edhe frutat e detit, pra modernia.
Raporti juaj me ëmbëlsirat, a keni një të preferuar që nuk i thoni kurrë jo, edhe pas një vakti të bollshëm?
Embëlsirave nuk i rezistoj asnjëherë. Madje nuk bëj as përpjekjen më të vogël për t’i rezistuar!
Çfarë premton në vazhdimësi programi “Kush vjen për drekë”?
Emisioni ka gjithmonë surpriza, nuk i dihet asnjëherë se kë do shohim në kuzhinë duke gatuar! Jemi kujdesur që veç humorit dhe bisedave të të zakonshmes e të përditshmes, të kemi edhe informacione të vlefshme dhe këshillat të rëndësishme për publikun, përmes rubrikave të ndryshme të emisionit! Është një një orësh që fluturon e të lë në fund të çdo takimi, shijen e mirë dhe frymëzimin për të gatuar edhe ti diçka të mirë në shtëpi pasi ke ndjekur emisionin “Kush Vjen Për Drekë”!



















